Agresiviteti rus i nxitur nga fuqizimi i Kinës

Nga: Kevin Sinani

Lufta me Gjeorgjinë, kriza në Ukrainë apo krijimi i Bashkimit Euroaziatik nuk janë thjesht reagime të konsideruara agresive të Rusisë, por janë veprime të nxitura nga fuqizimi i disa shteteve në rajone të ndryshe të botës dhe veçanërisht i Kinës. Në dekadën e ardhshme më shumë ngjasë multipolariteti në sistemin ndërkombëtar do të jetë qartësisht evident dhe rajone me rëndësi strategjike thelbësore do të dominohen kryesisht nga një fuqi e vetme.

Tashmë duket se rivali kryesor i Rusisë nuk është më SHBA-ja, por Kina edhe pse marrëdhëniet midis Mokës dhe Pekinit po njohin vetëm rritje. Rusia e ka të qartë se në perëndim të saj Bashkimi Europian i ka përcaktuar përfundimisht kufinjtë e tij dhe influenca ruse në vendet europiane do të jetë në zbritje, ndërsa në lindje Kina për momentin mbetet një pengesë e pakapërcyeshme.

Gjatë një vizite në muajn Maj në Pekin, Vladimir Putin, firmosi një marrëveshje 30 vjeçare që kap shifrën e 400 miliard dollarëve për furnizimin e Kinës me gazin rus. 38 miliard metër kub gaz do të transportohen çdo vit nga fushat e Siberisë lindore drejt territorit kinez, por ndryshe nga rasti europian ky gazësjellës 4000 kilometër i gjatë nuk e bënë Kinën të varur nga gazi rus pavarësisht sasisë së konsiderueshme që do të transportohet.

Në këto kushte, Rusisë nuk i mbetet gjë tjetër përveç se të shtrihet në atë rajon dikur Bashkimi Sovjetik (jo për shkak të nostalgjisë), nëpërmjet çfarë do lloj mënyrë, të cilat shpesh herë janë etiketuar si agresive nga perëndimi.

Rusia jashtë Azisë Juglindore

Në vitet e ardhshme rajoni i Azisë Juglindore pritet të kthehet në një rajon të nxehtë ku do të përplasen fort interesat amerikano-kineze. Me një pozitë të rëndësishme strategjike si dhe zbulimi i vendburimeve të naftës e rrit peshën gjeopolitike të këtij rajoni aq sa SHBA në dekadën e ardhshme do të spostojë drejt Azisë Juglindore pjesën më të madhe të flotës së saj detare. Si një vend që ka ushtruar historikisht një ndikim të madh në këtë zonë, Kina vitet e fundit ka rritur prezencën e saj ushtarake në rajon. Fuqizimi ekonomik i disa prej shteteve të këtij rajoni të cilat jo më kot njihen edhe si Tigrat e Azisë e vendos Azinë Juglindore në qendër të gjeopolitikës botërore.

Me një SHBA dhe Kinë që do të përplasen fortë në këtë zonë si dhe me ndikimin e madh të Indisë dhe Australisë, Rusia e sheh veten të përjashtuar nga ky rajon i rëndësishëm. Sigurisht në një botë multipolare një fuqi si Rusia nuk mund të mbesë mbrapa në krijimin e zonave të saj të influencës dhe të drejtimit.

Euroazia kundërpërgjigjia e Rusisë

Rusia për momentin nuk mund të avancojë drejt lindjes pasi Kina e pengon, ndërkohë në perëndim BE dhe SHBA nuk i kanë lënë hapësira të mëdha për të vepruar. Në këto kushte Kremlini do të kërkojë të zgjerohet në ato vende ku influenca ruse ka qenë e pranishme përgjatë gjithë historisë. Shtetet e shkëputura nga Bashkimi Sovjetik vazhdojnë të mbeten vende me një ekonomi të dobët edhe pse me pasuri të shumta natyrore. Sistemet e tyre jodemokratike i kanë lënë këto shtete jashtë vëmendjes dhe ndikimit europian apo amerikan. Vetëm pak kohë më parë mori jetë Bashkimi Euroaziatik me pjesëmarrjen e Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit. Ky union pritet të zgjerohet me shtete të tjera të euroazisë apo Azisë qendrore si Turkmenistani, Krigizstani, Taxhikistani, Uzbekistani, Azerbajxhani apo Armenia.

Ky projekt i propozuar nga Vladimir Putin ka për qëllim krijimin e një komuniteti të ri ekonomik në ish-hapësirën sovietike brenda vitit 2015, sipas modelit të BE-së. E vetmja pengesë që mund të haste Moska në këtë rajon ishte influenca turke, por mesa duket Rusia e ka blerë miratimin e Ankarasë pas firmosjes së marrëveshjes për rritjen e furnizimit me gazin rus dhe uljen e çmimit të tij me gjashtë përqind për Turqinë. Në këtë mënyrë Rusia ka dorë të lirë për të vepruar në rajon ndërkohë që bllokon avancimin e Kinës drejt perëndimit, ndonëse kjo e fundit e ka kapërcyer Euroazinë për të mbërritur në Europën lindore dhe juglindore.

Gjithashtu ky bashkim i ri ekonomik është edhe një kundërpërgjigje ndaj Bashkimit Europian, të cilit i duhet të mendohet dy herë në të ardhmen për të marrë masa ndaj veprimeve ruse pasi furnizimi me gaz në të ardhmen do të bëhet nga vetë Rusia por edhe nga shtete që do ti bashkohen këtij unioni në të ardhmen siç pritet të jetë Azerbajxhani.

Europa jo synim i Rusisë

Disa vende gri si Ukraina apo Moldavia janë shpresa e fundit e Kremlinit për tu shtrirë më në brendësi të Europës dhe kriza aktuale në lindje të Ukrainës është guri i fundit që Vladimir Putin mund të luante për ta rikthyer edhe një herë këtë vend nën tutelën ruse.

Rusia nuk pretendon më shumë se Ukraina në perëndim pavarësisht se kërkon të ketë prezencë të fortë në Serbi apo vendet e tjera të Ballkanit. Veprimet ruse në Europë kërkojnë që të ngadalsojnë harmonizimin e një politike unifikuese të Bashkimit Europian ndaj Moskës si dhe të zvarrisë anëtarësimin e Serbisë në BE apo Malit të Zi në NATO, dhe e gjitha kjo ka për qëllim të fitohet kohë për të forcuar Bashkimin Euroaziatik.

Pamundësia për të thyer Brukselin në lindje të Europës dhe me një rritje të ndikimit ekonomik gjithnjë e më të madh të Kinës në këtë rajon, të cilën Rusia ekonomikisht nuk e lufton dot, mundësia e vetme e Moskës mbetet fuqizimi i Bashkimit Euroaziatik, e cila do të jetë një kundërbalancë ndaj Bashkimit Europian dhe Kinës si dhe do ta paraqisi e Rusinë lider të këtij rajoni.

Lajme të ngjashme

Back to top button