HEROI I PËRBUZUR

Thonë se “betejat më të rënda Zoti ua beson luftëtarëve më të fuqishëm”. Nëse kjo është e saktë dhe nëse ekziston heroi i vërtetë i mbijetesës shqiptare, ai hero është GJUHA SHQIPE. Falë saj ne mbijetuam tmerre bajlozësh, të cilëve u paguajtëm tagre tim për tim.

Rilindësit e quajtën shqipen “Gjuhë perëndishë”. Ata e mëkëmbën dhe e shndërruan atë në armë për ringjalljen e vetëdijes së shfytyruar ndër katrahura përsëritjesh përsëriten përsëri.

Përndryshe, shqipja është gjuhë e veçantë e indoevropianishtes, ku bëjnë pjesë 46 % e gjuhëve të botës. Si e tillë, sado degë e vogël e një trungu të madh gjuhësh, ajo mbetet më e rëndësishme se gjuhët që fliten prej etnishë qindra milionëshe, sepse është degë e trungut, jo degë e degës.

Në sajë të kësaj Zonje të rëndë me zhdërvjelltësi monumentale dhe me një fond prej dhjetra mijëra fjalësh e shprehjesh, shqiptarët kanë pasur, të paktën që nga Renesansa evropiane, autorë kalibrash të mëdhenj, që i kanë shkruar librat e tyre në një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme prej gjuhëve evropiane të shkruara me alfabetin latin…

Shqip jetojnë poemat e De Radës dhe vjershat e Naimit, Mjedës, Fishtës, Nolit, Migjenit, Lasgushit e Camajt; prozat poetike dhe esetë madhështore të Konicës, tregimet mahnitëse të Kutelit e të Koliqit, “Laokoonti” dhe “Pallati i ëndrrave” të gjeniut Kadare, “Koha e dhive” e Starovës, “Lum-Lumi” i Podrimjes, “Oh” i Anton Pashkut e hajt bir.

Brenda gjirit të shqipes, si në gjirin e një nëne biologjike ndihen edhe kryeveprat e kolosëve të letërsisë botërore, si: Homeri, Virgjili, Eskili, Dante, Servantesi, Shekspiri, Khajami, Firdusiu, Edgar Alan Po, Xhojsi, Kafka, Markesi, Llosa e kush jo tjetër.

*

Por, duke qenë e rëndësishme dhe me vlerë të pallogaritshme, gjuha është dhe objekt mësyemjesh turlifare, sepse dihet kë godet rufeja…

Jo rastësisht, shpërndarja e gjuhës është shpërdarje e gjakut, thotë poeti arbëresh, i gjendur mes darësh të tjetrit, ku gjejnë shprehje vargjet e Podrimjes së madh: Po qe se takon/ Arbëreshin dhe Ujkun/ vraje arbëreshin. 

Gjuha është sinonim i etnisë, vatanit, gjakut, farës e fisit, është vullnet Zoti, është identitet, është kodi mbrojtës, që s’i lë lopët t’na hanë si krunde.

Në kujtesën e kulturave të botës, gjuha është zjarr, shkëlqim hyjnor, simbol i vullnetit të Zotit, simbol drejtësie, mjet marrëveshjesh, po dhe shkas grindjesh e luftërash të përgjakshme me synime hegjemoniste.

Në folkorin irlandez gjuha është ekuivalent i kokës së njeriut, i racës së tij, i vlerave shpirtërore e materiale që zotëronte ai, i vatrës dhe vatanit. Jo rastësisht në këngët e tyre të lashta, trimëria dhe heroizmi në beteja dëshmohej me gjerdanët e gjuhëve të prera të luftëtarëve kundërshtarë, që vareshin në gjokset e ngadhnjimtarëve.

Kështu ka qenë një dajm edhe në siujdhesën trazavaçe të Ballkanit, të banuar me popuj autoktonë e ardhacakë, që koloviten n’vorbulla armiqësishë të përhershme të nxitura nga pretendime dominimesh gjuhësore e kulturore.

Të gjithë tmerret ballkanike janë prirë nga ideja e mposhtjes dhe ndalimit të përdorimit të gjuhës, me çka, me automatizëm, bëhet zap çdo frymim kulture e civilizimi i të mundurit. Dëshminë më të bindshme të kësaj vakie e gjejmë në fatin tonë tragjik, në heshtjen e armëve dhe çivive të sofistikuara armike sa herë që na kanë tjetërsuar nga vetvetja, sa herë që na kanë detyruar të flasim, të jetojmë e të vdesim si ata.

Dhe vërtet: sa herë që kemi braktisur Gjuhën tonë të bukur shqipe dhe kemi pranuar gjuhën dhe frymën e tjetrit, na i kanë gardhuar hapësirat e jetesës, i kanë pagëzuar me emra të tjerë, po na kanë lënë ta vazhdojmë jetën po aty, të bindur se jeniçerizmi politik, kulturor e shpirtëror, që si metodë sundimi është praktikuar që nga perandoritë e antikitetit, do ta grimcojë më pariparueshëm substancën shqiptare…

Ç’përgjigje tjetër mund të sqarojë fatin e arvanitasve dhe çamëve të Greqisë, fatin e Kuçeviqëve dhe Vasojeviqëve të Malit të Zi, fatin e “boshnjakëve” të Novi Pazarit, fatin e “torbeshëve” të Gorës e të Malësisë së Sharrit, fatin e shqiptarëve të Rekës së Gostivarit…, të cilëve u ka mbetur vetëm vajtimi shqip.

Po kaq tragjikë gjejmë edhe në fatin e shqiptarëve të shpërngulur me marrëveshje sekrete, me dhunë dhe me metoda të sofistikuara, që pikërisht për mungesë lirie të përdorimit të Gjuhës shqipe në institucionet arsimore e kulturore janë bërë të tjerë.  Të tillë janë sot miliona shqiptarë të Anadollit, një pjesë e të cilëve (kryesisht pleqtë) e ruajnë shqipen si njëren prej gjuhëve në të cilën mund të flasin në shtëpi apo lagje fshati e kasabaje.

Të njëjtin fat me këta të fundit e kanë arbëreshët e Kalabrisë dhe shqiptarët e diasporës së shpërndarë në katër anët e botës, që nuk mund të mbijetojnë pafundësisht si klandestinë, pa gjuhë, pa shkolla, pa institucione shqipe.

*

Mjerisht, lëndimet më të rënda Shqipes ia shkaktojnë bijtë e saj biologjikë, duke mos e respektuar ashtu siç e do rendi. Papërgjegjësia jonë ndaj gjuhës është e njëjtë kudo: në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë. E kastrojmë pariparueshëm, ia heqim rasat, trajtat, mënyrat, kohët…, ia bastardhojmë boshtin kurrizor – sintaksën, ia shëmtojnë muzikalitetin, e zbresim në llofkë dhe e zullullandosim në gjuhë paranjerëzish.

Për tmerr, me papërgjegjësinë më ekstreme, këtë e bëjnë politikanët (ata që kanë obligimin suprem për t’ia siguruar asaj statusin që e meriton…), intelektualët, qytetarët akademikë, publicistët, gazetarët (respekt përjashtimeve) dhe shumë të tjerë që gjuhën e kanë mjet të përditshëm pune.

Megjithatë, për mrekullinë e Zotit, edhe përkundër të gjitha përçmimeve, shqelmave e shilkave, Gjuha shqipe, me aftësinë e saj ringjallëse nga hiri,  vazhdon të rrojë, vazhdon të mbetet vitorja e egzistencës shqiptare.

Arbitri kohë do të tregojë a do të realizohet parashikimi i diplomatit të huaj, i cili gjatë një ndeje rastësore më pati thënë: “Ju jeni gjuhë dhe kulturë për 100 vjet”…

Pak e frikshme, apo?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button