Gostivari përkujtoi masakrën në fshatin Gjonovicë (FOTO)

Njëqind vite pas masakrës së Gjonovicës së Gostivarit, për herë të parë në formë të organizuar u përkujtuan 36 banorët e këtij fshati të cilët në vitin 1913, janë masakruar nga pushtuesit vendor dhe ata serb. 


Me iniciativë të banorëve të fshatit Gjonovicës, në lagjen Bigor u shpalos pllaka përkujtimore ku janë shënuar emrat e të rënëve para njëqind viteve. 

Në këtë organizim morën pjesë banorët e fshatit Gjonovicë dhe rrethinës si dhe kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.  


Në fjalën e tij, kryetari Bejta përgëzoi banorët për iniciativën për të përkujtuar të rënët dhe tha se ky akt është në interes njerëzor dhe kombëtar. 

“Besoj se këtë shembull do ta ndjekin të gjithë vendbanimet në komunën e Gostivarit, kurse ne si komunë sa do kemi mundësi do ti ndihmojmë. Në të ardhmen edhe vetë komuna do të merr iniciativë që ti përkujtojmë të gjithë banorët të cilët janë masakruar para njëqind vitesh nëpër vendbanimet e tyre”, tha kryetari Nevzat Bejta. 


Kryetari i bashkësisë lokale, Nazmi Jusufi tha se Gjonovicasit janë arsimdashës, ata e çmojnë dhe përkujtojnë historikun e tyre, qoftë edhe ajo e hidhura. 

“Bashkëfshatarët tanë me ngritjen e kësaj pllake përkujtimore dëshmuan se nuk harrojnë historinë e tyre dhe i përkujtojnë ata që ranë viktima nga kriminelët. Gjonvicasit në vepër dëshmuan sa janë popull paqedashës, por edhe mbrojtës të vlerave tona historike-kombëtare”, theksoi, Jusufi.  


Për masakrën e Gjonovicës, foli Begzat Begzati banorë i fshatit cili edhe ka shkruar libër për historikun e vendlindjes së tij. 

“Bëhet fjalë për një masakër qyqare, për një masakër shumë të egër. Në lagjen Bigor kanë vrarë 24 banorë, pleq, djem dhe fëmijë. Qëllimi për Gjenovicën ka qenë që rinia më vitale, më e shëndosh dhe më aktive të arrestohet. Dymbëdhjetë banorë të fshatit Gjonovicë, i kanë arrestuar dhe bashkë me 63 banorë të fshatit Siminicë i kanë dërguar në fshatin Cerovë dhe më pas i kanë masakruar. Skenari i kësaj masakre ka qenë shfarosja e banorëve të Gjonovicës dhe Simnicës”, tha Begzat Begzati, njëherit edhe autor i monografisë, Gjonovica, Kështjellë Iliro-shqiptare. 


Javë më parë u përkujtua masakra e Qafës dhe heroizmi i Sulltane Qafës. 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button