OEMVP promovoi 100 kompanitë më të suksesshme

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore mbajti TOP 100-in, manifestimin tradicional të cilin e zhvillon në çdo fundvit, me qëllim të shpalljes të kompanive më të suksesshme për vitin paraprak.

Shpallja e kompanive më të suksesshme bëhet në bazë të të dhënave zyrtare të Regjistrit Qendror si institucion përgjegjës, për secilën kompani veçmas. Në TOP 100 renditen kompanitë më të suksesshme shqiptare të vitit në bazë të tre kategorive kryesore siç janë: Qarkullimi i përgjithshëm vjetor; Neto fitimi; dhe Numri i të Punësuarve;

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore vendosi që sivjet të fut edhe një kriter të ri në renditjen e sivjetshme, atë të rritjes më të lartë të shënuar në tre vitet e fundit.

Kryetari i OEMVP-së, Menderes Kuçi si nikoqir i këtij manifestimi theksoi rolin e rëndësishëm të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore për afaristët dhe shoqërinë në përgjithësi, ngase është OEMVP-ja ajo që ndjek, promovon dhe i nxit anëtarët e saj të punojnë më shumë që të jenë pjesë e këtij TOP 100 apo pjesë e më të mirëve.

Ai theksoi faktin se qarkullimi i këtyre 100 kompanive të renditura si më të suksesshme,  gjatë vitit të kaluar ka shënuar 524 milion euro, me çka ata përbëjnë 3 % të qarkullimit të përgjithshëm në vend, që është 17 miliardë e 340 milionë euro. Në ndërkohë që dhe numri i të punësuarve është rritur në 5600 dhe që sipas tij kjo dëshmon më së miri rritjen dhe zhvillimin e këtyre kompanive në drejtim të duhur.

Çmimin e parë e rrëmbeu kompania DAUTI-KOMERC, çmimi i dytë ju nda kompanisë ALMA-M, çmimi i tretë shkoi për kompaninë EUROAKTIVA dhe kompaninë EUROMEDIA, ngase të dyja u renditën barabartë në klasifikim.  Kurse çmimi i veçantë për rritje më të lartë në tre vitet e fundit, shkoi për kompaninë NABIZI.

Lajme të ngjashme

Back to top button