Sheikë e Kaubojë

Motoja e OPEC-ut është të mbajë stabile çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare. Por kohëve të fundit nuk po tregohet shumë e suksesshme në këtë aspekt. Nëse në Qershor çmimi i naftës ishte gati 115$ për fuçi nafte, sot ky çmim është rreth 70$. Ashtu si e kam cekur disa shkrime më parë, pritet që ky çmim të bjerrë akoma më shumë, ndoshta brenda vitit 2015 do të arrijë minimumin e 50$ në fuçi.

Kjo rënie drastike e çmimit për 40% në vetëm disa muaj mund të spjegohet në dy mënyra: e para është që ekonomia botërore është ngadalësuar, sidomos ajo kineze dhe indiane, rrjedhimisht edhe konsumi i naftës dhe derivateve të saj ka rënë ndjeshëm. Arsyeja e dytë është sepse brenda vetë OPEC-ut është rritur oferta për naftë, sepse vendet prodhuese kanë prodhuar më shumë nga ç’pritnin tregjet. Theks i veçantë duhet dhënë nxjerrjeve me anë të teknologjive të reja në SHBA (Teksas dhe Dakota perëndimore) e naftës nga burime prej ku më përpara mendohej se nuk mund të nxjerrejme anë të një procesi të njohur si “Fracking”. Si rezultat i çmimit të lartë, edhe u hapën rreth 20.000 burime të reja nafte të pamendueshme pa këto teknologji të reja në kërkim të profitit të shpejtë. Me këtë prodhimitaria e SHBA-ve është rritur për 30% në 9milion fuçi naftë në ditë, ndërkaq që prodhuesi më i madh i naftës në Botë – Arabia Saudite prodhon vetëm 1milion fuçi më shumë.

Nafta më e lirë duhet të shërbejë si një injeksion adrenalini në rritjen globale ekonomike. Në suaza globale, rënia e çmimit për 40$ transferon 1.3 trilion $ nga prodhuesit tek konsumatorët. Pra do të rritet niveli i fuqisë konsumuese, dhe duke ditur që pjesa më e madhe e këtyre mjeteve të liruara do të shfrytëzohen për konsum sesa për kursim, niveli global i GDP-së do të rritet. Ulja e çmimeve të naftës do të ndikojnë në uljen e mëtutjeshëm të nivelit të inflacionit, me çka Bankat qendrore pritet të ulin akoma më shumë kamatat dhe të fleksibilizojnë politikat monetare.

Megjithatë, si në çdo ekuacion ekonomik, nga e gjithë kjo do të ketë edhe humbës. Humbës sidomos do të jenë shtetet, buxhetet e të cilave varen në mënyrë direkte nga nafta dhe të hyrat prej shitjes së saj. Në rradhë të parë shtetet arabe të Lindjes së Mesme, Nigeria, Venezuela, Irani, dhe sidomos Rusia. Rubla përsëri pësoi rënie gjatë këtyre dy javëve që nga shkrimi im i fundit për këtë çështje. Nigeria u detyrua të rrisë normat e interesit për të rruajtur valutën vendase – hap të njejtë bëri edhe Rusia para disa muajsh, por pa arritur efektin e dëshiruar. Venezuela është pranë bankrotimit. Ndërkaq tek vendet arabe, rezervat janë më tepër se të mjaftueshme sa për të përballuar shokun fillestar të çmimeve.

Pozitiviteti i këtyre çmimeve do të varet prej asaj se sa gjatë do të vazhdojnë çmimet të mbeten të ulta. Kjo është edhe një ndër arsyet për debatet më të mëdha përbrenda OPEC-ut. Disa vende anëtare kërkojnë uljen e prodhimtarisë me shpresën për të rritur sërish çmimet. Cuditërisht, Arabia Saudite është një ndër vendet të cilat e kundërshtojnë këtë taktikë, duke përdorur një taktikë ndryshe: duke lejuar rënien e mëtutjeshme të çmimit, do të detyrojnë lojtarët e vegjël të dalin prej loje; me këtë edhe oferta do të binte, edhe çmimet do të fillonin të rriteshin në mënyrë “natyrale”. Më së shumti shpresojnë në faktin që burimet e reja të hapura nga amerikanët do të jenë jetëshkurtëra. Secili investim i ri në këto burime me qëllim për të rritur produktivitetin, është e pritshme të mos sjellë rezultat. Me këtë edhe kompanitë përgjegjëse për këto burime të reja do të gjenden pranë bankrotimit. Por megjithatë nuk duhet harruar që “Fracking”-u është teknologji e re, me shume potencial dhe mund të ndodhë e kundërta, që ajo të perfeksionohet duke sjellë akoma më shumë gjetje nafte, akoma më shumë rritje të prodhimtarisë, akoma më shumë duke e ulur çmimin.

Një gjë është e sigurtë: lufta mes kaubojve dhe sheikëve sapo ka filluar…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button