Ish-i burgosuri i Guantanamo-s: Kam parë gjëra që truri s’i percepton

Në një intervistë me reporterin e Anadolu Agency (AA), Murat Kurnaz ka folur rreth torturës dhe dhunës, dëshmitar i së cilës ishte për pesë vite sa kishte qëndruar në burgun amerikan Guantanamo.

Kurnaz foli në një tryezë të rrumbullakët në Berlin dhe me këtë rast realizoi një bisedë me gazetarin e AA, ku tha se në periudhën 2002-2006 në Guantanamo pa gjëra “që mendja e njeriut nuk mund ti perceptoj”, dhe se një numër i madh i të burgosurve vdiqën si pasoj e dhunës dhe torturave të ushtruara nga stafi i burgut.

Kurnaz pohon se pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në New York nga Gjermania shkoi në Pakistan për të mësuar diçka më shumë për Islamin dhe se në nëntor u arrestua nga forcat e sigurisë Pakistaneze, ku u transferua në kazermat amerikane në Kandahar të Afganistanit. Atje kaloi 3-4 muajt e ardhshëm, nga ku u transferua në burgun famëkeq të Guantanamos.

“Torturat dhe dhuna mbi ne, të burgosurve filloi që në Kandahar, ku nga torturat vdiqën shumë njerëz. Këtë e kam parë me sytë e mi. Ne të mbijetuarit na dërguan në Guantanamo, ku e keqja vazhdoi dhe sigurisht që kurrë nuk ndaloi,” tha Kurnaz.

Duke theksuar se ushtria amerikane nuk ka pasur asnjë dëshmi për akuzat që ai personalisht kishte marrë pjesë në luftën e Al-Kaedës kundër SHBA-ve, Kurnaz vërteton se ishte i detyruar të nënshkruajë një seri të deklaratave dhe dokumenteve dhe se i është nënshtruar torturave të tmerrshme, si pasoj e refuzimit për ta bërë këtë. “Zbatuan gjërat më të tmerrshme për t’më detyruar që ti nënshkruaj ato, por me ndihmën e Zotit kam arritur të jem i durueshëm dhe ti mbijetoj gjithë kësaj kohe”, tha Kurnaz.

– Në Guantanamo të burgosur nga 9 deri në 90 vjeç

Ai thekson se përkujtimet e ditëve të vështira në Guantanamo ende janë të freskëta. Kurnaz tha se që të gjithë të burgosurit ishin viktima të torturës, ndërsa në mesin e tyre kishin nga të gjitha moshat, nga më të voglit prej 9 deri në 12 vjeç, deri të moshuarit dhe të sëmurët e moshës në mes 86 dhe 87 vjeç. “Në radhët e të burgosurve shumë prej tyre u verbuan ose humbën dëgjimin. Si të rinjtë ashtu edhe të moshuarit ishin viktima të barabarta të dhunës. Askush nuk kishte ushqim të mjaftueshëm,” tha Kurnaz.

– Në Guantanamo mësoi pesë gjuhë

Duke treguar për problemet e shumta gjatë qëndrimit në kompleksin kolosal Guantanamo, Kurnaz tha se pjesën më të madhe të kohës i është lutur Zotit, por edhe duke komunikuar me të burgosurit më të afërt. Ai thotë se nuk kishte të burgosur në afërsi që fliste turqisht, dhe për këtë shkak gjatë qëndrimit pesë vjeçar mësoi të njëjtin numër të gjuhëve të huaja.

“E keqja dhe padrejtësia që kemi përjetuar atje nuk duhet harruar, por nuk kam asnjë urrejtje ose synime hakmarrëse ndaj amerikanëve”, porosit Kurnaz.
Duke treguar numrin e madh të kundërshtarëve të torturës edhe në Shtetet e Bashkuara, Kurnaz tha se deri më tani asgjë nuk ka ndryshuar, por se fillimisht duhet të ndryshojë perceptimi i përgjithshëm i njerëzve, apo njeriu – njeriun ta shohë si vlerë e barabartë si individ, dhe se pjesa tjetër do të bie në vend.

Ai kujton premtimin e fushatës parazgjedhore të Presidentin amerikan Barak Obama, që ishte se do ta mbyllte Guantanamon, ku Kurnaz tha se ky premtim nuk është mbajtur, Guantanamo akoma ekziston dhe e keqja në të vazhdon.

Duke iu referuar raportit të fundit nga Senati i SHBA-së mbi Torturat e CIA-s, Kurnaz tha se nuk pret që kjo të sjellë përparim të madh, por gjithsesi se do të nxisë diskutimet mbi keqtrajtimet e të burgosurve.

– Raporti i Senatit asgjë e re

“Publikimi i të dhënave nuk paraqet asgjë tjetër përpos tendencës që një rreth politikanësh ta mposht tjetrin. Janë të vetëdijshëm se shumica tashmë është bërë e ditur dhe se e gjitha do ti paraqitet opinionit publik, kështu që ata vendosën që të përpiqen për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohet. Kjo është një lojë e inteligjencës që zgjat për vite . Asgjë e re. Është mirë që u publikua, por unë nuk mendoj se do të sjell diçka të mirë “, përfundoi Kurnaz.

Kurnaz në burgun e Guantanamos qëndroi deri më 2006, ai u lirua pas takimit të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit amerikan George Bush.

Marrë nga “Anadollu Agency”

Lajme të ngjashme

Back to top button