Na thuaj çfarë ke bërë, o Hashim Thaçi!!

Të vërteta ka shumë, por rëndësi ka kush ngre zërin për t’i thënë ato. Qeverisja në Kosovë filloj të funksionojë. Kjo nuk ka më diskutim. Erdhën dhe përshndetjet rutinë të diplomacisë nga vende të ndryshme të botës. Edhe kjo mirë është. Por, nuk na intereson këtu koalicioni politik, pasi atë e morën vesh të gjithë, se si erdhi dhe çfarë përfaqëson. Problemi shtrohet drejtëpërdrejtë dhe thjeshtë; pse Hashim Thaçi u qep me thonj e me dhëmbë pas karriges së pushtetit. Pse ai për një kohë 6 mujore bëri lojën politike më të padëgjuar ndonjeherë, kundër interesave të vendit? Këtu nuk e kemi fjalën për përfitimet personale, pasi dihet që nën trysninë e pushtetit të parasë dhe të përfitimeve të tjera, pushteti politik për politikanët shqiptarë është i ëmbël. Le të jetë kështu, dhe kjo është punë për ta.
Gjithçka e thënë dhe e pathënë brenda shfaqjes së këtij fenomeni, lidhet me një seri faktorësh, që ndihen dhe ndjehen mire tek politikanët shqiptarë. Ata nuk e njohin institucionin e dorëheqjes. Ata, me qëndrimin që mbajnë, kthehen pa dashur në e keqia më e madhe e vetvetes. Dhe kjo ka një shpjegim. Gjithë problemi qëndron se, çfarë ka pas largimit nga pushteti. Kjo është enigma që i shoqëron këta kalanderë politikë, të cilët janë bërë për popullin, si buka që ha në tryezë.

Të kthehemi pas tek Hashim Thaçi. Deri sa ky politikan (nëse do ta quajmë të tillë), pranon të futet në koalicion me një ish ministër të qeverisë titiste të Rahman Morinës, tregon se ai ishte në gjendje të bënte koalicion edhe me djallin vetë, vetëm e vetëm të mos largohej nga pushteti, të garantonte paprekshmërinë e tij, për gjithçka që ai ka bërë, di dhe nuk ka guximin ta pranojë dhe thotë hapur.
Po Kadri Veseli pse duhej pa tjetër të uzurponte vendin e kryeparlamentarit? Thjeshtë për numerologji pushtetesh, apo për diçka tjetër? Çfarë ka më shumë ky njeri se sa disa emra të tjerë politikanësh, si Xhavit Haliti, Ramush Haradinaj, apo ndonjë emër tjetër të lidhur me luftën? Kush është në të vërtetë Kadri Veseli dhe çfarë përfaqëson ky për opinionin e gjerë në Kosovë, një njeri i dalë nga labirinthet e policisë sekrete?! A nuk mund të ishte një njeri tjetër në krye të Kuvendit, por duhej pa tjetër ky njeri i errësirës? Po për Hashim Thaçin çfarë është Kadri Veseli, që të dy u dakortuan të ndajnë poste shumë të rëndësishme dhe kyçe në këtë martesë të detyruar politike? Çfarë di opinioni në Kosovë për lidhjet e forta midis këtyre “miqve të vjetër” dhe çfarë roli kanë pasur këta në përfundimin e luftës dhe më pas në Kosovë?

Po shpjegojmë shkurt diçka filozofike në lidhje me këtë çështje. Aleancat janë të forta dhe të pathyeshme, vetëm në dy raste. Së pari; kur ajo funksionon midis shokësh ideali, për vepra dhe qëllime të mëdha në emër të popullit, dhe së dyti; kur midis “miqsh”, mes tyre ka një bashkëfajësi, që u prish gjumin në mes të natës prej ëndërrave makbethiane. Kadri Veseli di shumë dhe po të jetë larg Hashim Thaçit, mbetet një njeri i rrezikshëm për të, në rast qejfmbetje. Kjo është natyrë e njerëzve të inkriminuar midis njeri tjetrit dhe me pushtetin politik. Ata duhet të jenë afër, të shpërblyer nga pushteti, të konsultohen bashkë (si gjithmonë), ta pinë kafen “e punës” bashkë në ambjentet e Parlamentit dhe të Qeverisë, të marrin dhe të japin nga njeri – tjetri, sepse ka plotë gjëra që i bashkojnë dhe shumë pak të tilla që t’i ndajnë.
Po zoti Isa Mustafa, si ndihet midis tyre?! Isa e ka të shkruar biografinë e tij, të kaluarën dhe të tashmen, dhe për këdo në Kosovë dihet se kush është. Ky njeri i deklaruar, që merr frymë në Beograd dhe kollitet në Prishtinë, që merr guximin të godasë, duke mos qënë në gjendje të polemizojë me Alademikun Rexhep Qosja, me sa duket Serbia dëshiron që ky njeri të jetë këtu, në këtë post dhe të bëjë mirë detyrat e shtëpisë. Shumë elementë të dyshimtë dhe të errët të këtij oportunizmi politik të hapur, do të shihen qartë në muajin janar të vitit që vjen. Në këtë kohë, do të rifillojnë bisedimet Serbi – Kosovë dhe dihet që këto bisedime do të jënë të përfaqësuara në nivel kryeministri. Hashim Thaçi, edhe pse ministër i Jashtëm, nuk do të këtë më rol të hapur në “mbarëvajtjen” dhe shtyrjen më tej të tyre. Ai, detyrimisht është i përjashtuar “de fakto” nga këto bisedime. A mund t’i besohen këto bisedime Isa Mustafës, këtij njeriu të dyshimtë që të mbrojë dhe të insistojë në të drejtat e shqiptarëve, apo më tej, në arritjen e njohjes së Kosovës nga Serbia?

Kur Bexhet Pacolli u bë 36 ditë President i Kosovës, atëherë çfarë u tha dhe çfarë nuk u tha për këtë njeri. Megjithatë, ai e dorëzoi Presidencën dhe në rolin e zëvendëskryeministrit të parë, nuk la vend të botës pa shkuar për të bërë të mundur njohjen e shtetit të Kosovës. Kjo Pacollit ndodhta i ka kushtuar shumë, por ai e bëri këtë me angazhimin e tij, pa qejfmbetje, edhe pse do të dëshironte që sot të ishte ende President i Kosovës. Për Isa Mustafën nuk flet njeri, por edhe kundër vullnetit ai u pranua Kryeministër i Kosovës dhe sot, pa ulur akoma mirë të ndenjurat në karrige, guxon të replikojë ashpër dhe me injorancë, qoftë me Qosjen apo dhe me Demaçin, të cilët asnjëherë nuk mund të ngatërrohen me të në vlerat që përfaqësojnë. Përplasja e Isës është përtej asaj që duket, dhe i kapërcen caqet personale. Me këtë rast, Isa po shfryn një merak të vjetër. Njerëzit e Rambujesë do të goditen, njerëzit e luftës do të goditen, sepse kështu i intereson Beogradit. Kush do ta pësojë tjetër nga ky njeri? I vetmi “gabim” i Rexhep Qosjes në reprilat e tyre mediatike, është se, Isa Mustafa nuk e meriton këtë nga akademiku. Të gjithë dëshirojnë që Isa Mustafa të mos e ndryshojë biografinë e tij (siç ka deklaruar), të mos i heq asaj asgjë, të shfaqet ashtu siç e njohin të gjithë në Kosovë. Arritja e zgjidhjes politike do të godasë më fortë në të ardhmen, pasi ajo u bë e turpshme, sipas vlerësimit të opinionit të gjerë në Kosovë.

Duke mbrritur deri këtu, u deshën plotë 6 muaj që Kosova të vuante krizën politike, e cila e la atë në mëshirë të fatit. Atëherë, para se të pranohej zgjidhja, pse askush nuk dha llogari para deputetëve dhe opinionit, pse u sajua dhe u pranua kjo gjendje krize, e cila goditit institucionet, moralin njerëzor, goditi ekonominë, sigurinë kombëtare, goditi dhe shumë më thellë se sa kaq, por u anashkaluar përgjegjësia? Kush qëndronte në krye dhe pas kësaj përgjegjësie? Gjykojmë se, fenomene të tilla nuk janë rastësi. Nuk ka se si të ndalet dikush dhe të kërkojë të bëhën analiza të tilla, kur paraprakisht ata i kanë konsumuar batëritë e tyre në shkatërrimin e imazhit të njrti – tjetrit kohë më parë dhe pastaj ulen dhe lëpinë jargët e njeri – tjetrit, pra atë që kanë pështyrë kohë më parë. Kështu janë sharë e akuzuar me njeri tjetrin, Berisha me Nanon, Berisha me Ilir Metën, Ilir Meta me Edi Ramën, Ali Ahmeti me Gruevskin, Isa Mustafa me Hashim Thaçin, por çuditërisht, kur është dashur të rrëmbehet pushteti dhe të siguroihet paprekshmëria personale, këto janë harruar, dhe takimet e buzëqeshura të tyre të ngjallin krupën. Çfarë është ky fenomen shqiptar, që turpëron masën e gjerë të njerëzve të thjeshtë, të cilët gjithësesi, e duan shtetin e tyre?! Kush e detyron klasën politike shqiptare, qoftë në Tiranë, Prishtinë apo në Shkup, që të kenë një vijë sjellje gati në turpërim për popullin që i voton? Çfarë janë këto specie, që nuk u bëhet fare vonë që të tjerët fërkojnë duart dhe nxisin gjithçka mbrapsht, që shqiptarët të shfaqen si një popull me veti joshtetformuese?

Të rikthehemi tek Thaçi. Ai është një figurë qëndrore sot në Kosovë, nga më të përfolurat, pasi rezulton se është kapur keq nga pëgjegjsitë e pushtetit në mandatet e tij qeverisëse. A mund të na thotë Hashimi se, si shpjeghet tërë ky zemërim dhe përçmim ndaj tij, qoftë dhe nga bashkëpunëtorët e tij të afërt, apo përgjithësisht nga masa e njerëzve të luftës, që e çuan atë në pushtet më votat e tyre? Çfarë ka ndodhur që, për shkak të karriges së pushtetit, Hashimi u largua shokëve, është trembur, bëri gjithçka vetëm të qëndronte të kabinetin Mustafa? Hashim Thaçi duhet të na e thotë këtë hapur, që të shpëtojë shpirtin e tij të tmerruar. O Hashim Thaçi, rrëfehu dhe të jesh i bindur se populli do të të falë. Do të të falë makutërinë, shkeljen e besës, hajninë, vjedhjen, shitjen e pasurisë kombëtare, do të të falë rënimin moral që i bërë vlerave të luftës, do të të falë gjithçka, vetëm të mos të të shikojë më fytyrën atje në krye të shtetit, qoftë dhe ministër në kabinetin e Isës. Çliroje o Hashim Thaçi shpirtin e trazuar dhe të robëruar nga koha dhe ëndërrat e këqia.

Në Kosovë formohet një qeveri ndryshe, e cila do të godasë farë hapur njerëzit dhe vlerat e luftës çlirimtare, nën diktatin e dy individëve të leqendisur, si Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, të cilët nuk kanë ide për perspektivën dhe u mungon integriteti moral dhe mbështetja masive e popullit shqiptar në Kosovë. Isa Mustafa para krizës u bashkua me grupin opozitar dhe vetë përfaqësonte partinë më të madhe opozitare, të cilën e ka kritikuar ashpër qeverinë Thaçi, në dy mandatet qeverisëse. Pse e braktisi Isa Mustafa opozitën dhe mori drejtimin e shtetit? Çfarë u “fshi” në marrëdhëniet e tij me Hashim Thaçin? Të gjithëve na ka ardhur turp, kur kemi parë Hashim Thaçin ministër të kabinetit Mustafa, në një gjendje njerani të pashpresë, duke e ditur se kjo martesë e detyruar me mblesëri, nuk e ka të gjatë në qeverisjen e Kosovës.

Po çfarë ke bërë O Hashim Thaçi kaq shumë, sa të biesh kaq poshtë? Po më mirë t’ja lije qeverisjen dikujt tjetër o Hashim Thaçi, që më të paktën të mos turpëroje sakrificat e mëdha njerëzore dhe gjakun që është derdhur për çlirimin e Kosovës. Të lije dikë tjetër o Hashim Thaçi, që të justifikonte atë që prêt dhe dëshiron opinioni i gjerë në Kosovë. Çfarë pate kështu or bir, kush ta helmoi gjakun dhe shpirtin, kush të bëri magji të zezë, kush të hodhi kundër popullit tënd, kundër bashkëluftëtarëve të tu, kundër atyre që të çuan në majat më të larta të pushtetit dhe të politikës?! Po na e thuaj çfarë ke bërë o Hashim Thaçi, që dhe populli të dijë pse duhet të të falë ty!

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Le te jete kejo nje krah edhe per qeveritaret, e posacerisht nje drite per te nderuarin Hashim Thaci me shoket e tije, qe te shohe rrugen me te drejte

Back to top button