Dilentantizëm i madh  

Islami është fe universale, mbinacionale për dallim prej ortodoksizmit. Islami është fe e Allahut për të gjithë. Të thuhet “shqiptarzim i islamit” është ngjashëm si të thuhet “shqiptarizim i bukës”, “shqiptarizim i ujit”…

Jo vetëm që është në karakterin tim, por edhe vetë titulli fetar më obligon që të merrem me dukuri. Fenomenet janë ngjarje që shfaqen si pasojë e Vullnetit të Madh, janë përtej kapaciteteve dhe mundësive njerëzore. Pra, sa më shumë që të vëmë në shënjestër dukuri aq më shumë do të jemi shoqëri e rehatshme dhe e pakompleksuar. Etiketimi i dikujt si nacionalist, apo si “përkatës” i izmave të ndryshme vetëm për faktin se merret me një dukuri që ndodhë në një komunitet apo shoqëri, kjo është përtej llogjikës.Të etiketohet njeriu si nacionalist apo si “përkatës” i izmave të ndryshme vetëm për faktin se merret me një dukuri që ndodhë në një komunitet apo shoqëri, kjo është idiotizëm.

Në kollumnen time të fundit vura në fokus dukurinë e konvertimit politik të torbeshëve në “makedonski muslimani”! Një mori sulmesh të orkestruara u hdhën mbi mua, mbi personalitetin tim. Mediat e instrumentalizuara nisën te merren me personalitetin tim dhe jo me dukurinë. Dilentantizëm i madh në mesin e tyre. Unë lutem “Zot, fali se, ata nuk dinë se ç’bëjnë”! Ç’mesazh përçojnë mediat kur ndërmarrin sulme kundër një personi që është në një post të rëndësishëm. Përveç që tregojnë pozicionimin e tyre politik, në fakt përçojnë kërcënimet e tërthorta të shërbimeve sekrete për heshtje dhe nënshtrim. Kundërefekti është shumë i madh, pa dyshim.

Po, Sulejman Rexhepi është shqiptar! Ky është vullnet i Zotit dhe për këtë, në shenjë falënderimi, i përulem natë e ditë me një krenari të papërshkrueshme. Kë rrezikon shqiptarizmi im? Kush ndjehet i kërcënuar nga shqiptarizmi im skajshmërisht paqësor? Natë e ditë i përulem Zotit për vullnetin e Tij me të cilin ka vendosur që për mëkëmbës të Vet në tokë të caktojë njeriun. Për mua të gjithë njerëzit në botë janë mëkëmbës të Zotit. Këtij fakti i besoj po aq sa i besoj vetë Allahut Fuqiplotë. Atëherë, si mundkam unë të jem kundër njeriut, kundër njerëzve, kundër një shoqërie. Si shqiptar, të jem kundër maqedonasëve të ndershëm?! Në asnjë mënyrë! Mund të jem vetëm kundër zullumqarëve. Jo vetëm që më porosit por edhe më obligon Allahu Fuqiplotë që pa kompromis të jem kundër zullumqarëve.

Nuk ka shqiptar në botë që sot nuk e ka gojën përplot Amerikë. Nuk ka shtëpi shqiptari që nuk e ka flamurin e Amerikës. Nuk ka shqiptar në botë të cilit do t’i pengonte sot flamuri apo stema amerikane. Dora e zgjatur që shpëton një njeri, një familje, një komunitet apo një popull, ajo dorë është e bekuar. Shqiptarët e Maqedonisë kanë kontribuar për një bashkëjetesë të pashoqe në mes të maqedonasve dhe shqiptarëve, kanë dhënë kontribut të pamohueshëm për shtetin e Maqedonisë, për vetë popullin maqedonas, për fenë dhe Kishën e tyre, për gjuhën, për historinë, për kulturën maqdonase, të cilat kurrë nuk i kanë mohuar. Po pse kaq mllef e urrejtje kundër shiptarëve? Nëse një shqiptar e sulmon një dukuri që po ndodhë në mesin e maqedonasëve kjo menjëherë përkthehet si atak i “nacionalizmit shqiptaromadh”. Ja, unë publikisht këtu do të shpreh disa urata të mia të sinqerta, ndonëse strukturave të instrumentalizuara maqedonase do t’ju duken si ironi! Përjetë rroftë populli maqedonas! Rrofshin “sllavomaqedonasit”, “maqedonasit antik”! Rrofshin e qofshin “muslimanët maqedonasë”, dhëntë Zoti e u shtofshin sa më shumë sepse vetëm kështu do të na shtohet numri i pjesëtarëve të BFI-së dhe të tejkalohet numri prej një million muslimanëve në vend. Rrofshin edhe torbeshët të cilët unë dhe BFI-ja i kemi ngritur në kategori kushtetutare ashtu siç e gëzojnë këtë të drejtë edhe turqët, romët, boshnjakët, egjiptasit si dhe pjesëtart e tjerë të islamit që jetojnë dhe veprojnë në Maqedoni. Mos të harroj, një uratë të përshpirtshme t’ua dërgoj edhe shqiptarëve ortodoksë të vendit. Rrofshi të gjithë, e qofshin rehat secili në gjirin e vet etnik. Përpjekjet për konvertim etnik janë përpjekje djallëzore, akt prej atyre akteve më të urryera nga Zoti Fuqiplotë. Dhe kundër kësaj dukurie duhet të shprehin urrejtje e mllef edhe mediat e instrumentalizuara maqedonase dhe jo kundër shqiptarit, Sulejman Rexhepit, i cili pati guximin që ta shpreh frikën e pjesëtarëve të besimit të tij, të cilëve ekzistenca po ju varet nga politika e konvertimit etnik që po e ushtrojnë disa të pamend. Unë as nuk shpreha urrejtje, as kërcënim e as mallkim kundër këtyre të sëmurëve për mend, sepse ta urresh dhe kërcënosh budallain është po ashtu mëkat.

Nuk më brengosën asnjë nga ato sulme që i përkasin strategjive të shërbimeve sekrete (përpjekjet për denigrim personal e familjar gjithnjë vijnë nga shërbimet secrete amatore), por tepër të neveritshme ishin sulmet që më vinin nga “bota akademike” e disa diletantëve të cilët nuk kanë as njohje më elementare mbi islamin ndërsa i japin vetes të drejtë të flasin si ekspertë. Unë qenkam për “Shqipëri të Madhe”? Përpjekje politike tepër arkaike, si e tillë demode! Shqiptarët, deri më një, tani janë për inkuadrim dhe integrim në familjen e madhe europiane të BE-së. Dhëntë Zoti që të gjitha tokat shqiptare (të gjitha ata troje që banohen nga shqiptarët) sa më parë të jenën nën një kufi të BE-së. Me shpirt i lutem Zotit që edhe Maqedonia të inkuadrohet sa më shpejt në këtë familje europiane, madje pa e ndërruar as emrin dhe asgjë tjetër. E di që kjo dëshirë e imja do të keqkuptohet nga diletantët dhe për inatin tim do të dëshironin që Maqedoninë t’ia bashkangjesin Rusisë! Ja një propozim të sinqertë: i ftoj liderët e ndryshëm politik e fetar maqedonas që, bashkarisht, në një ditë të premte, në xhami e kisha, t’i drejtojmë Zotit të Plotëmëshirshëm lutje të përshpirtshme për të na ndihmur që Maqedoninë sa më parë ta shpiejmë në familjen e madhe të BE-së. Kjo lutje do të nënkuptonte heqjen e halleve politike dhe mirëkuptim politik e njerëzor si për maqedonasit ashtu edhe për shqiptarët dhe për komunitetet e ndryshëm që jetojnë në vendin tonë. Por kjo do të nënkuptonte edhe shpërfytyrim në djall me këmbë të thyer të të gjithë atyre që e pengojnë këtë inkuadrim. Jam i sigurt se ndër maqdonasit do të dilnin shumë të këtillë me një këmbë!

Disa akademikë, po ashtu, të instrumentalizuar dolën dhe më akuzuan se unë po e “shqiptarizuakam islamin” në Maqedoni! Çka do të thotë me këtë “akademiku” diletant, se mund të nisë dikush dhe ta “maqedonizojë islamin” si kundërpërgjigje të “përpjekjeve” të mia? Islami është fe universale, mbinacionale për dallim prej ortodoksizmit. Islami është fe e Allahut për të gjithë. Të thuhet “shqiptarzim i islamit” është blasfemi, mëkat, është ngjashëm si të thuhet “shqiptarizim i bukës”, “shqiptarizim i ujit”…

Për ruajtjen, praktikimin dhe kultivimin e islamit njëkohësisht obligohen të gjithë pjesëtarët e tij, pa dallim përkatësisë etnike. Rastësisht shumicë e muslimanëve në Maqedoni kanë qëlluar shqiptarët dhe, natyrisht që, shqiptarët do të jenë ata që në shumicë do të angazhohen rreth islamit. Kjo nuk i përjashton të tjerët, përkundrazi, i motivon dhe i trimëron edhe ata që janë “pakicë” të angazhohen dhe t’i kryejnë obligimet e veta karshi fesë islame ashtu siç i kryejnë të përfshirë madje edhe në kryesi, nëpër trupa, organe e institucione të BFI-së.  Secila etni predikimet i kryen në gjuhën e vet, ndërsa ritualet fetare kryhen në gjuhën e shpalljes, në gjuhën e Kur’anit, sado të jeshë shqiptaromadh a maqedonmadh. Nëse akademikët e tillë kanë dyshime në këto të vërteta, atëherë le të provojnë e le të konvertohen në fenë islame, le të bëjnë jetë nëpër xhamitë e Mqedonisë e gjetiu dhe do të binden në këtë që po e them. Pa pretendime për t’i  “islamizuar maqedonasit” dhe as për ta “maqedonizuar islamin”, sepse kjo është punë që nuk mund të bëhet kurrë. Zoti i ka krijuar fetë dhe kombet për të bashkëjetuar dhe për ta njohur njëri tjetrin dhe jo për t’u asimiluar në mes vete dhe as për të dominuar njëri mbi tjetrin. Vetëm Allahu Fuqiplotë ka tagrin për të dominuar mbi krijesat e veta. E kundërta e kësaj do të ishte një aventurë e madhe e diletantëve të kulluar, qofshin këta edhe me titull akademik.

Fenomenet ndodhin sipas vullnetit të Zotit të Madh, ndërsa dukuritë ndodhin si pasojë e vullnetit të njerëzve pamend. Le t’i lutemi Krijuesit tonë për vetëdijësim, për iluminim të mendjes e shoqërisë, në përgjithësi. Do të jemi më të sinqertë dhe më të devotshëm. Amin!

Lajme të ngjashme

Back to top button