Stuhia kaploi Sarandën dhe Vlorën, bllokon pushuesit në plazh ( VIDEO)

Rreth 80 pushues janë bllokuar që prej orës 14:30 në plazhin e Pasqyrave në Sarandë. Pushuesit nuk mund të lëvizin për shkak të përkeqësimit të menjëhershëm të motit, stuhisë dhe dallgëve të mëdha.

Mësohet se një pjesë e pushuesve, mes të cilëve gra e fëmijë, kanë qenë në bregdet, ndërsa pjesa tjetër ndodheshin nëpër varka, në momentin kur zona është përfshirë nga një stuhi e fortë me erë dhe shi të dendur.

Pushuesit kanë kërkuar menjëherë ndihmën e policisë, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për evakuimin e tyre, një nga një, me litar përmes shpatit të malit.

Burime nga policia konfirmojnë se të gjithë pushuesit janë në gjendje të mirë shëndetësore.

VLORË- Dallga deri më 4 ballë

Moti i keq ka përfshirë paraditen e së shtunës qytetin e Vlorës, me reshje të dendura shiu dhe breshër. Sipas informacioneve të fundit, nga reshjet janë verifikuar përmbytje në zonën e Ujit të Ftohtë, ndërkohë që dallgët brenda gjirit kanë arritur deri në 4 ballë.

Ndërkohë, nga moti i keq janë krijuar edhe radhë të gjata automjetesh në rrugët e qytetit bregdetar, raportojnë për Top-Channel dëshmitarë nga vendi i ngjarjes. Shiu i dendur ka bërë që pushuesit të tërhiqen nga plazhet dhe të strehohen në hotelet dhe shtëpitë e tyre. 

Freskimi i motit dhe shoqërimi i tij me vranësira ishte paralajmëruar më herët gjatë javës nga meteorologët, pas një periudhe me temperatura maksimale, që arritën deri në 38 gradë Celsius.

Moti i keq ka kapluar edhe Maqedoninë dhe gjithë Ballkanin /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button