Koha e ngadalshme, koha e shpejtë

Nuk janë më ato kohë kur në Tetovë binte bore, kur koha nuk ngutej, kur rrugët e qytetit ishin të qeta jo vetëm dimrit, por edhe verës. Krojet kishin plot ujë dhe ajri i freskët ishte shenjë njohëse e qytetit. Nuk janë ato kohë kur kishte lezet të shkuarit mysafir e të ndenjurit me bujtje. Aty-këtu kishte ndonjë mejhane para së cilës kishte ndonjë rrap a ndonjë dru tjetër, ndërsa në rrugët e qeta fëmijët luanin futboll, luanin me pisha ose, siç u thonë në Shkup, xhamlia.

Nuk ia doli as komunizmi ta ndërrojë rrjedhën e kohës, tempon e ngadalshmet saj, ndonëse të gjithë punonin diçka. Të gjithë ishin bujq a punëtorë. Megjithatë kishin njerëzit kohë të bëjnë ritual të ndenjave të përcjella zakonisht me çaj e me kafe. Kishin kohë, pra,  edhe për tjetrin e jo vetëm për vete. Dhe, krahas të këqijave të shumta, atëherë e mira e së mirës ishte ndenja ku mysafiri ishte kryesori, sepse, thoshin, “zoti e ka çu n’derën tonë”. Me të vërtetë, ku gjendej gjithë ajo hapësirë e madhe nëpër ato shtëpi të vogla të bëra me plitharë që të mblidhen plot njerëz ta nderojnë mysafirin?  Çdo gjë  atëherë ishte me bollëk dhe gjithçka kishte  lirikë, ndonëse njerëzit ende ishin të lidhur me heronjtë dhe epikën.

Njerëzit atëherë më duket se më mirë e lexonin realitetin. Më kujtohet: sa herë që dikujt i rrëshqiste goja ta përmendë partinë, shtetin, a pushtetin, gjendej ndonjë njeri që jepte ndonjë shenjë me të cilën bënte me dije se midis tyre ishte një i kuq. Dhe, biseda kthehej përsëri kah heronjtë, kah forca e Mujit dhe shkathtësitë e Halilit. Mendoj se shumica besonte se Muji me të vërtetë e ka pasur atë forcë që ia përshkruante legjenda  Nuk ma merr mendja se ishte frika  që ia ndërronte kahen muhabetit. Atëherë vdekja ishte e tillë, sa nuk mundte të nxjerrë ndonjë pikë loti prej njerëzve të asaj kohe. Vdekja ishte e pranishme gati për çdo ditë, vinte përmes fruthit e tuberkulozit dhe trokiste thuajse në çdo derë. Përveç asaj edhe burgjet ishin plot me shqiptarë. Dhe, burgu kapërcehej më lehtë atëherë, sepse “burgu ishte për burra”. Pra, nuk ishte puna te frika, por thjeshtë mbretëronte mendimi se partia, pushteti dhe shteti, madje as vdekja, nuk e meritojnë të vjedhin diçka nga koha e atyre burrave të vyer, pa marrë parasysh se sa e gjerë ishte koha dhe sa ngadalë lëvizte. Dhe, s’i bënte dot për vete burrat e asaj kohe as partia, as pushteti. Ata nuk e jepnin as një pupël të shqiponjës, kurse flamuri ruhej në odën e burrave. Ajo kohë u takonte heronjve, trimave të epikës sonë. Këta trima i flisnin në fakt brezit të ri. I flisnin të ardhmes. Dhe e gjithë kjo atmosferë, këto marrëdhënie epike shndërroheshin në një çarçaf të mëndafshtë e të shtrenjtë që e mbulonin mjerimin dhe i jepnin sharm e bukuri jetës së rëndë.   Dhe, biseda kthehej përsëri kah heronjtë, kah forca e Mujit dhe shkathtësitë e Halilit. Mendoj se shumica besonte se Muji me të vërtetë e ka pasur atë forcë që ia përshkruante legjenda.

Sot është ndryshe.

Sot koha ikën shpejt, u rrëshqet duarsh edhe njerëzve të papunë, frika u ka hyrë njerëzve në palcë, heronjtë Mujin e Halilin s’i di kush. Mysafiri është harruar, nuk është më kategori shoqërore. Të gjithë gojën e kanë plot parti, pushtet e shtet, kurse flamuri shërben shpesh për t’i mbuluar të palarat. Dhe, për t’i fituar tenderët. Edhe për ta zbatuar politikën e nënshtrimit.

Sot në Tetovë nuk bie borë, rrugët janë pushtuar nga veturat, ajëri i pastër nuk zbret nga bjeshkët, krojet janë tharë, fëmijët nuk kanë ku luajnë. Janë tretur edhe mejhanet e rralla kur i rralli hynte në to dhe pinte ndonjë raki kumbulle “për ilaç”, çaji pihet nëpër çajtoret e shumta me pamje të çajtoreve të Pakistanit.

Sot shumica janë bërë ushtarë të partisë.

Sot shtëpitë janë të mëdha, por nuk kanë vend për mysafirin.

Sot i rralli i fal mikut pak kohë e pak kujdes.

Sot nuk sheh më as fëmijë që lozin rrugëve me pisha.

Sot nuk ka as lirikë, as epikë, por ka monotoni.

Megjithatë  ka mbetur diçka e njëjtë: edhe sot burgjet janë plot me shqiptarë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button