Moska publikon historinë e një agjenti të infiltruar prej 15 vitesh në Estoni

Shërbimet ruse të inteligjencës (FSB) publikuan historinë e njërit prej agjentëve të tyre të infiltruar prej 15 vitesh në policinë sekrete estoneze, i cili ka transmetuar informacione drejt Moskës dhe demaskuar spiunazhin e Perëndimorëve kundër Rusisë, në këtë ish-republikë sovjetike.

Në një dokumentar të publikuar dje në mbrëmje nga kanali televiziv pro Kremlinit, NTV, të titulluar “Njeriu ynë në Talin”, Uno Puusepp, tregon ai vetë punën e tij në departamentin e përgjimeve në policinë sekrete estoneze (KaPo) mes viteve 1996 dhe 2011.

“KaPo”-ja shpalli menjëherë hapjen e një hetimi pas këtyre publikimeve shumë të pazakonta nga shërbimet sekrete.

Uno Puusepp, me origjinë estoneze, i kishte propozuar shërbimet e tij FSB-së, trashëgimtare e KGB-së sovjetike, tregoi një ish-agjent estonez, Nikolai Ermakov, proanr i një dyqani bulmeti, i cili e ndihmoi të kontaktojë shërbimet sekrete ruse.

Falë këtij informatori, Moska merrte vazhdimisht raporte mbi marrëdhëniet e “KaPo”-s me CIA-n, shërbimet sekrete britanike, kanadeze, finlandeze dhe ato të vendeve të tjera Baltike.

Uno Puusepp ka mundësuar gjithashtu që të demaskojë agjentë të huaj në Rusi, mes të cilëve edhe Valeri Oiamiae, që u dënua në vitin 2001 me shtatë vite kamp në Moskë për spiunazh për llogari të Britanisë së Madhe.

I kthyer në Rusi pas tre vitesh, Uno Puusepp, që kishte punuar në departamentin e përgjimeve të “KaPo”-s u përshëndet për pengimin e instalimit nga Uashingtoni të një sistemi përgjimi shumë të shtrenjtë në ambasadën ruse në Talin.

Ish-spiuni rus tregoi gjithashtu se ishte ngarkuar nga “KaPo”-ja që të përgjonte qindra estonezë, ku shumica rusofonë. Ky sistem përgjimi kontrollohej nga bashkëpunëtorë të ambasadës amerikane në Talin, theksojnë autorët e këtij dokumentari./BalkanWeb

Lajme të ngjashme

Back to top button