A po largohet Turqia nga BE?!

Aksionet qeveritare kundër medias opozitare në Turqi kanë zënë vend në faqet e para të mediave kryesore botërore ndërsa edhe organizatat dhe institucionet ndërkombëtare kanë reaguar menjëherë duke dënuar aktet arrestimit të gazetarëve.

Por si duket, asgjë nuk është e rëndësishme për presidentin Recep Tayyip Erdogan i cili sot reagoi ashpër kundër institucioneve dhe mediave përendimore të cilat kritikuan dje dhe sot veprimet e qeverisë turke.

“Ata qajnë për lirinë e shtypit, por bastisjet nuk kanë të bëjnë fare me këtë… Nuk na bëhet vonë ç’thotë BE-ja, pavarësisht nëse na pranojnë si anëtar apo jo. Ju lutem, mbajeni për vete mençurinë… BE-ja nuk ka të drejtë të ndërhyjë në veprimet e policisë dhe drejtësisë kundër elementëve që rrezikojnë sigurinë tonë kombëtare. Ata duhet të shohin punën e vet”, u shpreh Erdogan në një fjalim.

Reagimi i ashpër i Erdogan vjen pas reagimeve të shumta që arrestimet e gazetarëve shkaktuan në botë.

Përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë e BE-së, Federika Mogerini, dhe Johanes Hahn, Komisioneri që drejton Politikat evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, deklaruan se liria e medias është parim thelbësor në demokracitë e vërteta.

Në komunikatën e komisionerëve theksohet se operacioni i ndërmarrë në Turqi, është në krah të kundërt me vlerat dhe aspiratat evropiane të Turqisë, dhe pengojnë rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.

Përfaqësuesit e lartë të BE-së shprehen se negociatat e pranimit për vendet kandidate varen nga respektimi i plotë i ligjeve dhe i të drejtave themelore të njeriut.

Ndërkohë, kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, është shprehur dje se “Media e lirë është princip themelor për anëtarësim në BE. Turqia dhe liria e medias po ecin në drejtime të kundërta”, duke nënkuptuar se aktet e fundit e largojnë Turqinë nga BE.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Koçijançiç i ka quajtuar shqetësuese arrestimet ndërsa zëdhënësja e Stejt Departamentit amerikan, Jen Psaki, ka shprehur shqetësim për, siç i quan ajo, “operacionet e forcave të sigurisë turke ndak mediave të cilat kanë qëndrime kritike ndaj qeverisë”.

Në anën tjetër, ndër reagimet më të ashpëra ka qenë ai i “Freedom House”.

“Akuzat gjithëpërfshirëse kundër gazetarëve dhe të arrestuarve të tjerë është një kërcënim për shprehjen e lirë në Turqi dhe për të gjithë kritikët e qeverisë”, tha Daniel Calingaert, zv. presidenti ekzekutiv i “Freedom House”.

“Këto arrestime duket të jenë ndëshkime të qeverisë kundër gazetarëve që raportojnë për korrupsionin dhe që kritikojnë qeverinë. Goditja ndaj fjalës në Turqi duhet të marrë fund”, ka përfunduar Calingaert.

Mediat botërore i kanë dhënë hapësirë të gjërë arrestimeve në Turqi.

Gazeta e njohur “The Wall Street Journal” ka publikuar lajmin me titull “Turqia arreston 27 kritikët e Presidentit”.

Ndërkohë, prestigjiozja amerikane “Financial Times” ka shkruar se janë arrestuar shumë gazetarë mes të cilëve edhe kryeredaktori i gazetës më të madhe turke. Gazeta më tej shkruan se Turqia është një vend kandidat për në BE por në Bruksel dhe Washington çdo ditë e më shumë po rriten shqetësimet rreth sundimit të ligjit në vend, duke shtuar se arrestimet e gazetarëve vijnë në periudhën kur do të shohet edhe përvjetori i aksioneve policiore anti-korrupsion.

Gazeta italiane “La Republica” i ka dhënë ngjarjes hapësirë në faqen e parë me titull “Erdogan arreston gazetarët, përballja e fundit e Sultanit me median”.

Edhe gazeta tjetër italiane “La Stapma” ka shkruar për ngjarjet në lajmin me titull “Arrestohen 27 gazetarë; nëse Turqia ndërpret zërat e lirë …”, duke vënë theksin në rrezikun që këto arrestime të ndikojnë negativisht në procesin integrues të Turqisë në BE.

Kanali amerikan i lajmeve CNN ka njoftuar teleshikuesit se Turqia ka arrestuar gazetarë dhe drejtues mediash, si dhe skenaristë serialesh televizive nën akuzën e “themelimit, drejtimit dhe të qënit antarë i një organizate të armatosur terroriste”.

CNN citon edhe deklaratën e kryeministrit turk, Ahmet Davutoglu i cili teksa justifikon arrestimet e gazetarëve deklaron se “gjërat ndryshojnë kur dikush do të kontrollojë burokracinë dhe i hap luftë qeverisë”.

Dje, në orët e para të mëngjesit, nisi një vale arrestimesh ndaj drejtuesve të disa prej mediave opozitare në Turqi.

Sipas mediave turke, policia ka kryer të paktën 27 arrestime gjatë bastisjeve në gazetën më të madhe turke “ZAMAN” dhe “Samanyolu TV”. Të arrestuarit akuzohen për formimin e një organizate të paligjshme dhe përpjekje për të kapur kontrollin e shtetit. / Albeu

Lajme të ngjashme

Back to top button