Debati per Fe dhe Shoqeria Kosovare

Gjatë këtyre ditëve në Kosovë po organizohet një program për “Fenë dhe Politikën e Jashtme” nga Tony Blair Faith Foundation dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Ballkan Institute dhe Universitetin e Prishtinës. Sipas informatave në dispozicion për publikun në këtë program po marrin pjesë 26 pjesëmarrës nga mese 15 shtete të ndryshme të botës. Përgjatë dy javëve aty do të debatohet për rolin e fesë në transformimin konfliktuoz dhe post-konfliktuoz.

Edhe pse tematikë shumë interesante dhe e rëndësishme për një vend në ‘tranzicion’ si Kosova, megjithatë, tingëllon mjaft ironike kur nuk sheh aty as përfaqësuesit e as akademikët fetarë, qoftë nga BIK-u si institucioni më i madh fetar në vend, qoftë nga Fakulteti i Studimeve Islame që tashmë zyrtarisht, së paku në letër, është pjesë e Universitetit të Prishtinës. A thua vallë si do të mund të flasim për fenë dhe rolin e saj në shoqëri e politikë pa përgjegjësit dhe intelektualët fetarë!

Sidoqoftë, shyqyr o Zot që po ju bie ndërmend ndërkombëtarëve të organizojnë tribuna dhe debate të tilla, për rolin e fesë në shoqëri, edhe në Kosovë e kështu po ua kujtojnë edhe politikanëve tanë se duhet të bisedohet edhe për fe, se edhe feja e ka rolin e vet madje shumë të madh në jetën e njeriut. Ashtu siç po ua qesin ndërmend se popullit të vet, me shumicë muslimane, duhet uruar Bajramin, ku për çdo vit Presidenti Amerikan, pastaj Sekretarja e shtetit e shumë të tjerë po ua kujtojnë homologëve të tyre kosovarë se jetojnë në një shtet me shumicë absolute muslimane, duke qenë edhe vet musliman, së paku siç njihen ndërkombëtarisht. Andaj edhe po ua urojnë festën e Bajramit atyre dhe popullit të tyre.

Kështu, udhëheqësve tanë sikur po u bie ndërmend se paska festa fetare vetëm pasi po vihen në siklet nga urimet ndërkombëtare, e pastaj edhe këta po i bashkëngjitën urimeve ndaj popullit. Përndryshe, politikanët tanë sikurse as që duan të dëgjojnë për fe e lëre më të organizojnë programe të ndryshme e të na urojnë festën e Bajramit.

A thua vallë kush mund ta mohojë rolin e fesë në shoqëri, përpos dy kategori njerëzish: i padituri-injoranti i cili nuk ka fare njohuri rreth asnjë feje, madje as fesë së vet, dhe mohuesi-kryeneçi, e që në këtë rast nënkupton neo-komunistin i cili nga bindja e tij ateiste mohon fenë tërësisht duke mohuar edhe rolin dhe rëndësinë e saj në shoqëri. I pari mund të justifikohet deri diku, derisa të mësojë apo të informohet drejtë, ndërsa i dyti Allahu na ruajt prej sherrit tij.

Se këndejmi, disa politikanë tanë edhe pse kanë veshur gëzofin e demokracisë dhe plotë gojën e kanë liri, demokraci e prosperitet, megjithatë, sa i përket aspektit fetar ata akoma kanë mbetur të pa civilizuar e (neo)komunistë. Çuditërisht, një politikë ateiste e anti-fetare po ndjek edhe vet krye-diplomati kosovar i cili, edhe pse dorën në zemër nuk duket t’i përket periudhës komuniste, megjithatë ai sa ishte ministër i arsimit nxori udhëzime administrative të tipit ‘ENVER HOXHA’, pra partia mendon për juve, duke ndaluar bartjen e shamisë nëpër shkolla fillore e të mesme, duke i detyruar vajzat të largohen nga shkolla dhe duke bërë kështu shkelje flagrante të të drejtave themelore të njeriut. Nuk i di motivet, por duket shumë ironike ‘lufta’ e tij ndaj fesë dhe shtrydhja e ndjenjave fetare edhe pse pretendon të jetë një evropian liberal e i moderuar.

Nga ana tjetër, njerëzit më me ndikim në botë siç është edhe vet Tony Blair, shefi i fondacionit në fjalë, ish-kryeministër i Britanisë së Madhe, të cilin vet politikanët tanë, ndoshta sa për sy e faqe, e patën cilësuar si ‘Hero i Kosovës’ për shkak të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në zgjidhjen e krizës së Kosovës, dhe shumë të tjerë, jo vetëm që e respektojnë dhe praktikojnë fenë e vet, por e respektojnë dhe e çmojnë lartë edhe Islamin dhe rolin e tij në botën bashkëkohore, në të gjitha shoqëritë duke mos përjashtuar vet shoqërinë britanike por edhe shoqëritë tjera evropiane.

Sugjeroj që krye-diplomati Hoxhaj tu tregojë mysafirëve se muslimanët në Kosovë nuk kanë asnjë të drejtë më të madhe sesa që kanë pasur nën pushtetin titist komunist dhe se qeveria e tij për çdo ditë po i shkel dhe diskriminon muslimanët sikur të ishin kategori e dorës së dytë apo tretë në shoqëri. Mysafirët e nderuar duhet ta kuptojnë se ‘ENVERI’ me qeverinë e tij i kanë lënë shumë vajza pa shkollë, u kanë mohuar të drejtën e shkollimit shkaku i një lecke, arni, që vendoset në kokë, e që për muslimanen është bindje dhe parim fetar i pa kontestueshëm, i pa kompromis.

Kryediplomati ynë si duket ka probleme edhe me terme filozofike e politike ngase ai në njërën anë deklaron se “Kosova gjithmonë do të jetë shtet laik (laicite)” ndërsa në anën tjetër tregon se Republika e Kosovës mbështet mbi tri shtylla: demokracinë, multietnicitetin dhe sekularizmin” e nuk e di sipas kryediplomatit a kanë dallim këto dy terme, apo tek ai janë të njëjta, dhe besoj se ai duhet të dijë më mirë këto punë?! Mendoj se kryediplomati gabon rënd kur pohon me ngulmë se “Kosova gjithmonë do të jetë shtet laik”. E di se kryediplomati është i vetëdijshëm se proceset politike nuk pranojnë ngurtësi dhe se asgjë në këtë botë nuk mbetet për gjithmonë. Përgjithmonë është vetëm Zoti dhe askush tjetër. Ndoshta diplomati ka dëshirë të jetë ashtu, apo ndoshta është edhe duke shprehur qëndrim politik, por ja që ka pasur të atillë, shumë kohë para tij, që kanë ëndërruar që Kosova të mbetet komuniste përgjithmonë, por nuk ju zgjati shumë. Mendoj se edhe filozofia e Hoxhaj dikur do të marrë fund, sikur çdo filozofi e ideologji tjetër para tij, por çështja është çfarë përfiton kryediplomati dhe shokët tij nga diskriminimi që i bënë muslimanëve, e në veçanti të rejave që i lanë pa shkollë.

Allahu e drejtoftë qeverinë tonë dhe tërë këtë shoqëri. Amin, ve selamu alejkum 

Lajme të ngjashme

Back to top button