Suedi-Rusi, avioni luftarak rus rrezikon përplasjen me atë të pasagjerëve

Një avion luftarak rus për pak sa nuk u përplas me një aeroplan pasagjerësh në hapësirën ndërkombëtare pranë jugut të Suedisë gjatë së premtes, bënë të ditur autoritetet suedeze, ndërkohë që Rusia këmbënguli sërish të dielën se avioni i saj ka ruajtur distancën e sigurisë.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit janë përkeqësuar ndjeshëm dhe kanë rënë në nivelin më të ulët që prej Luftës së Ftohtë, për shkak të rolit të Moskës në konfliktin e Ukrainës dhe aneksimit nga ana e saj të gadishullit të Krimesë. Shumë vende europiane kanë reaguar të alarmuar, ndaj këtyre shfaqjeve të Rusisë të dyshuara për të treguar fuqinë e saj ushtarake.

Një skuadron anijesh luftarake ruse hyri në kanalin e La Manshit gjatë muajit të kaluar, ndërsa Suedia ka nxjerrë prova se një nëndetëse e huaj kishte operuar ilegalisht në ujërat e saj gjatë tetorit. Britania ka nisur gjithashtu një kërkim për nëndetëse, e ndihmuar nga aleatët e NATO-s.

Fluturimi i pasagjerëve të së premtes, “SK1755”, i nisur nga kryeqyteti danez i Kopenhagenit ne destinacion për në Poznan të Polonisë, është devijuar nga autoritetet suedeze përpara se të ndodhte përplasja, bënë të ditur vet suedezët.

Fluturimi ishte ndërmarrë nga “Cimber”, një avion në pronësi të linjës ajrore skandinave, SAS.

Ministria ruse e Mbrojtjes reagoi sërish të dielën duke mohuar që avioni i saj të ketë fluturuar aq pranë sa të rrezikonte përplasjen me një avion pasagjerësh, raporton agjencia e lajmeve TASS. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button