Shkëndija vizitohet nga gazetarët e L’Equipe’

KF Shkëndija të shtunën është vizituar nga mediumi prestigjioz francez L’Equipe. Gazetari Alban Traquet dhe një fotoreporter kanë qëndruar në zyrat e klubit, ku janë takuar me drejtuesit dhe menaxhmentin e skuadrës. Alban Traquet qëndron këto ditë në Serbi dhe Maqedoni, duke bërë një hulumtim rreth mënyrës së funksionimit të futbollit në ish-Jugosllavi, ndërsa me këtë rast kanë qëndruar edhe në Tetovë ku ishin mysafir të Shkëndijës.

Alban Traquet u prit nga drejtori organizativ i KF Shkëndija, Dritan Musliu, drejtori sportiv Nebi Mustafi, shefi i stafit teknik, Ardian Kozniku dhe pjesë e menaxhmentit. Mysafirët treguan interes për skuadrën ‘kuqezi’, mënyrën e funksionimit dhe ambiciet për të ardhmen, si dhe angazhimin që jep kompania ‘Ecolog’ në zhvillimin e skuadrës.

Mysafirët patën mundësi të njihen me gjithçka rreth klubit përmes një prezantimi të detajuar, ndërsa sipas interesimit që treguan nuk përjashtohet mundësia që të bëjnë një storie rreth klubit tonë. KF Shkëndija është e kënaqur që interesimi për klubin rritet gjithnjë e më shumë edhe në suaza evropiane, ndërsa shpresohet që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen. 

Lajme të ngjashme

Back to top button