Berisha: Çdo ditë përpiqem që të gjej gabimet që mund të kisha shmangur

Kryeministri në largim, Sali Berisha, vazhdon të jetë aktiv në rrjetin social, Facebook, madje duke u kthyer përgjigje edhe komentuesve.

Një prej tyre i sugjeron Berishës që të jetë pjesë e shoqërisë civile në Shqipëri, pasi vendi ka nevojë për zërin e tij.

Berisha në përgjigjen e tij i thotë se ai çdo ditë përpiqet me veten të gjejë gabimet që mund t’i kishte shmangur.

“Ju siguroj se qëndrimet e mia publike dhe jo publike në çdo pozicion që unë kam pasur, në tërësinë e tyre janë udhëhequr dhe diktuar nga disa parime, të cilat unë besoj dhe i kam mbrojtur dhe do t’i mbroj në çdo rrethanë dhe në çdo rast dhe në çdo pozicion.

Kështu që unë, duke mirëkuptuar plotësisht sugjerimin tuaj të hapur jo keqdashës, më duhet t’ju pohoj se në qëndrimet e mia unë mbetem një dhe vetëm një.

Kjo nuk do të thotë aspak se unë besoj se gjithnjë kam të drejtë apo veproj kështu sepse mendoj se kam monopolin e të vërtetës. Jo, kategorikisht jo.

Unë ju përkas atyre që besojnë se jashtë teorisë së gabimeve askush nuk del i pagabueshëm, është vetëm Zoti.

Nisur nga ky parim unë çdo ditë përpiqem me veten time të gjej gabimet e mia, ato që mund t’i shmangia, të tjerat që mund t’i zvogëloja, por për mua rëndësi kapitale ka raporti im me të vërtetën që unë besoj, parimet që unë i konsideroj jetike dhe të drejta për t’u mbrojtur pavarësisht nga pozicioni im,” shkruan Berisha./ep

Lajme të ngjashme

Back to top button