Sonte në Strugë hap siparin festivali “Këngë Jeho”

Me parakalimin e Shoqërive pjesëmarrëse nëpër rrugët kryesore të qytetit, sonte në orën 19.00 në Strugë, hap siparin Festivali i këngëve dhe valleve të stilizuara shqiptare, “Këngë Jeho”, aktivitet ky që sivjet mbahet për të 22 vit me radhë.

Artdashësit, sivjet në këtë aktivitet, për tri natë me radhë,  do të kenë rastin të shohin  në skenë  14 shoqëri artistike nga gjithë hapësira shqiptare dhe diaspora, si dhe ngulimet e arbëreshëve të Italisë.

Drejtuesit dhe organizatorët e këtij aktiviteti edhe përkundër mungesës së kushteve materiale, kanë parashikuar  një spektakël të vërtetë artistik, ndërsa garanci se do ia arrijnë në këtë qëllim, janë emrat e shoqërive që do të defilojnë në skenën e festivalit, por edhe mysafirëve  të shumtë, artistë të njohur të skenës sonë muzikore, nga e gjithë hapësira shqiptare.

Kështu, natën e parë të “Këngë Jeho” në skenë do të ngjiten SHKA “Jehona” nga Koroshishti-Strugë,SHKA “Karshiaka”-Shkup; Ansambli “Kaltërsia”-Tiranë dhe “Zëri i Kosovës” nga Kosova, kurse për kënaqësinë e publikut pritet të interpretojnë edhe   kantautori Agim Poshka dhe këngëtarja e talentuar, fituese e dhe Voice of Allbania, Venera Lumani .

Edhe nata e dytë e këtij aktiviteti pritet të sjellë vlera, sepse në skenë do të ngjiten ngjiten SHKA-të: “Rrezet e Strugës”-Strugë; “Xheladin Zeqiri”-Tetovë; “Bajram Curri”-Prishtinë; “Sadi Halili”-Librazhd dhe “Drita”-Derven, kurse për kënaqësinë e publikut në skenë pritet të ngjiten edheLiri Rasha, Ingrid Jushi dhe Big Mama.

Në natën e fundit të këtij aktiviteti, para publikut do të prezantohen:: “Valët e Liqenit”-Ladorisht, “Jehona” -Tërrnoi, “Shpresa”- Veleshtë, si dhe grupi “Bashkimi Kombëtar” nga SHBA-të. Ndërkaq të ftuar të kësaj mbrëmjeje janë Besiana Mehmeti dhe Shkodran Idrizi.

Pjesëmarrës i këtij aktiviteti do të jetë edhe “Unionin Artistik i Kombit Shqiptar” që drejtohet nga drejtuesi i këtij asociacioni Azgan Haklaj, kurse edhe pse aktiviteti nuk ka karakter garues, interpretimet e artistëve pjesëmarrës të këtij aktiviteti do të vlerësohen nga juri profesionale, në përbërje të së cilës janë, njohës të mirë të vlerave muzikore dhe koreografike, si Ermir Dizdari, Përparim Tomçinin, Dilaver Kryeziu dhe Sami Pirraj.

Regjinë dhe skenarin e këtij aktiviteti e kanë realizuar , Llesh Nikolla dhe Jeta Hani-Alla, ndërsa skenën si gjithmonë, Sezai Qyra.

Lajme të ngjashme

Back to top button