Azis Pollozhani: diploma, mall që merret kur ia paguan të gjitha të hollat pronarit

Azis Pollozhani ish Ministër i Arsimit të R. së Maqedonisë, e konsideron shqetësuese gjendjen e arsimit në vend në përgjithësi dhe të arsimit shqip në veçanti. Ai thekson se  duket se menaxhimi i keq i reformave, masivizimi i arsimit, pa mekanizma adekuat të cilësisë, mungesa e financimit, liberalizimi i paskrupullt i “tregut të edukimit”, duke e trajtuar arsimin si mall që matet me një letër të quajtur diplomë, që e merr kur ia paguan të gjitha të hollat pronarit dhe jo kur plotëson normën për kuantumin (sasinë) e dijes që ajo diplomë do të duhet të ketë, janë disa nga shkaqet e një situate të tillë.

PORTALB: Zoti Pollozhani, shkollat me mësim në gjuhën  shqipe, sipas rezultateve që kanë treguar nxënësit në maturën shtetërore janë ranguar shumë dobët. Në media, ndërkaq këtyre ditëve është informuar edhe për renditjen katastrofale të universiteteve shqiptare në listat e publikuara nga institucione të specializuara ndërkombëtare. Cili është komenti juaj rreth këtyre zhvillimeve?

A.POLLOZHANI: Fatkeqësisht të gjitha këto informata, tani më të prekshme për çdo njërin, nuk flasin mirë për gjendjen e arsimit shqip në Maqedoni, por edhe për atë te arsimit shqip në përgjithësi.

PORTALB- Po, pse sipas jush arsimi shqip ndodhet në këto nivele, kur me vite të tëra institucionet përgjegjëse po flasin për reforma të thella në këtë veprimtari të rëndësishme të jetës shoqërore të një populli?

A.POLLOZHANI: Reformat e shumëpërfolura dhe të promovuara, do të duhej të sillnin cilësi, efikasitet dhe kompetenca të reja për gjeneratat në vijim. Me sa duket menaxhimi i keq i këtyre reformave, masivizimi i arsimit, pa mekanizma adekuat të cilësisë, mungesa e financimit adekuat, liberalizimi i paskrupullt i “tregut të edukimit” duke e trajtuar arsimin si mall që matet me një letër të quajtur diplomë që e merr kur ia paguan të gjitha të hollat pronarit dhe jo kur plotëson normën për kuantumin (sasinë) e dijes që ajo diplomë do të duhet të ketë, janë disa nga shkaqet e një situate të tillë.

PORTALB-  Konteksti politik është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e arsimit  në një shoqëri. Cili është vlerësimi juaj për kontekstin politik në të cilin arsimi ndodhet në këtë gjendje që ndodhet?

A.POLLOZHANI:  Arsimi i vënë dhe i shikuar edhe nga konteksti politik, me sa duket, më shumë po bëhet mjet për mbledhjen e votave nga njerëz që janë të lidhur me të, si mësuesit, pedagogët, prindërit, studentët etj., se sa është qëllim dhe mjet për përgatitjen e një të ardhmeje më të mirë, e më kompetente. 

Nën trysninë e kësaj tendence populiste dhe obskurantiste, po harrohen obligimet që dolën nga proceset e dobishme politike, sikurse ishte decentralizimi, deideologjizimi dhe nga mundësitë e shumta që ofron mësimi joformal dhe sidomos teknologjia informatike.

Këto synime legjitime dhe që i kërkon edhe ligji, me pakujdesinë dhe indiferencën e pashpjegueshme, dalëngadalë, por sigurt, po shndërrohen në të kundërtën e qëllimit që kishin. 

PORTALB-Çka duhet të ndërmerret në drejtim të përmirësimit të gjendjes në arsim, sipas jush, në kushtet kur situatat është bërë pothuajse e padurueshme?

A.POLLOZHANI: Rezultatet e dobëta në të gjitha nivelet, tani më të dokumentuara me instrumentet e standardizuara, sikurse është testimi i jashtëm dhe matura, si dhe vlerësimet  e institucioneve ndërkombëtarisht kredibile, janë sinjale alarmuese që do të duhej të aktivizojnë të gjitha instancat kompetente për të ndërmarrë masat e duhura që secili nga ingerencat qe i ka, të bëjë analizat përkatëse, të nxjerrë mësime dhe të ndërmarrë masat e duhura.

Këtu duhet të kthjellohen pikë së pari instancat më të larta qeveritare, pastaj universitetet, këshillat dhe menaxherët e shkollave, por edhe prindërit, nxënësit dhe studentët.

Po vërtetohet se qasjet populiste, reformat deklarative, joprofesionalizmi dhe mungesa e kritereve për karrierën e arsimtarëve, si dhe çoroditja e sistemit të vlerave nuk mund te prodhoje efekte pozitive.

PORTALB- Me probleme kaq të mëdha në arsim, shqiptarët po ballafaqohen në të gjithë hapësirën shqiptare. Madje, situata ka shkuar për keq edhe në atë pjesë të kësaj hapësire, ku më herët gjendja ka qenë më e lakmueshme.

A.POLLOZHANI: Të dhënat flasin se problemet, fatkeqësisht, ne i kemi në të gjithë hapësirën shqipfolëse, me nuanca te vogla. Kjo është shumë shqetësuese, dhe kërkon, mendoj unë, një qasje sa serioze po aq edhe gjithëpërfshirëse.

Ne po na paraqitet një situatë tejet paradoksale. Tani kur ne kemi kufijtë e hapur, jemi në rrjedha integruese, rajonale dhe evropiane, në vend që nga këto benefite të përfitojmë, ne thua se kemi nisur, ne vend te shkëmbimit të vlerave të shkëmbejmë antivlerat, të cilat mund të na e katandisin keq arsimin dhe kulturën, por jo vetëm ato.

Njohja e gjendjes dhe vlerësimi i saj, ashtu si është, është parakushti i ndryshimit dhe përmirësimit të gjendjes në këtë drejtim. Le te shpresojmë se secili do të ketë vesh dhe do ta kuptojë se “për kë bien kambanat”/ PORTALB

  

Lajme të ngjashme

Back to top button