Shteti shënjestron qytetarët e varfër nëpërmjet tatimeve

Në bazë të të dhënave të fundit, qytetarët dhe firmat i detyrohen ti paguajnë shtetit në formën e tatimeve, gjithsejtë 272 milion euro. Gjithsejtë 4.239 firma nga fundi i muajit gusht deri ne fund të nëntorit nuk kanë paguar tatime, tregon lista e zezë e shërbimeve tatimore e shpallur nga Drejtoria e të hyrave publike. Një pjesë e konsiderueshme e borxheve vjen edhe nga pamundësia e pagesës së kontributeve për sigurime sociale dhe shëndetësore që për personat fizik arrin në 120.000 denarë.

Sipas ekonomistëve, shteti do të bëjë presion t’i vjelë këto tatime dhe kjo do të krijojë trazira sociale. Ata thonë se vet shteti është përgjegjës për varfërinë që mbisundon e cila në anën tjetër, është fajtore për pamundësinë e pagesës së borxheve tatimore.

Profesori i ekonomisë Besnik Fetahu thotë për Portalb se nga gjithë këto kalkulime mes ndërmarrjeve dhe qytetarëve që lidhen me borxhin e përgjithshëm ndaj shtetit në formën e tatimeve të pa paguara çmimin më të lartë do të paguaj qytetari i thjesht i Maqedonisë.

Ai thotë se kemi një situatë ku fajtore është qeveria sepse ajo nuk arrin që të bëjë shkarkimin e borxheve duke ndjekur trendin real të rritjes së çmimeve të shtrenjtimit të standardit jetësorë dhe të ardhurave që merr një punëtor i thjesht, duke i shtuar kësaj edhe numrin e madh të papunëve.

“Në vendet ku ka varfëri ku qytetarët i kanë pagat e ulëta, ku ke rritje të çmimeve, si rezultat edhe borxhi ndaj shtetit  është i lartë. Varfëria e ka sjellë këtë situatë, me një fjalë borxhet janë të larta për arsye se varfëria dhe papunësia është e lartë”, thotë Besnik Fetahu.

Ai thotë se shteti krijoi diskrepancën dhe solli në gjendje qytetarët që të mos mund të paguajnë tatimet. Sipas tij kjo gjendje do të thelloi krizën sociale e cila mund të sjellë problem edhe më të mëdha, sepse shteti nëpërmjet përmbaruesve do ta  marrë borxhin nga qytetarët duke shterur ato pak asete që mund të kenë.

Në mesin e 20 borxhlinjve janë ndërmarrjet publike “Rrugët e Maqedonisë”, që ka borxh prej 5.7 milion euro, “Pyjet e Maqedonisë”, që kanë borxh prej 4.1 milion euro më pas RTVM-ja me borxh prej 1.7 milion euro tatim të papaguar. Në mesin e  borxhlinjve tatimor është edhe punëtoria e cila ka larë në bronz një pjesë të përmendoreve të porositura nga shteti, me 33 mijë euro tatim të papaguar. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button