Shkollat shtetërore ngarkojnë prindërit me probleme

Prindërit e nxënësve të shkollës së mesme ekonomike “Arseni Jovkov” në Shkup, tani më një kohë të gjatë alarmojnë situatën e stërngarkimit të nxënësve në paralelet shqipe. Portalb foli me disa prindër nga të cilët mësoi se kanë njohuri se si e ka zgjidhur këtë problem shkolla fillore “Panajot Ginovski” në Butel, por rrefuzojnë të bëjnë një gjë të tillë, duke vlerësuar se ajo nuk është zgjidhja e duhur, sepse kjo shkollë është shtetërore dhe jo private.

“Kemi dëgjuar për rastin në shkollën fillore ‘Panajot Ginovski’ ku pas protestave dhe mos zgjidhjes së problemit, ata vet investuan në hapjen e paraleleve si dhe për pagesën e mësimdhënësve. Nuk e di se çfarë do bëhet këtu, mos ndoshta presin që edhe ne ti rregullojmë vetë klasat dhe të paguajmë vetë profesorët për fëmijët tanë. Po të ishte ashtu do ta dërgoja fëmijën në shkollë private dhe jo në atë shtetërore”, tha R.T., prind.

Përfaqësuesi i këshillit të arsimtarëve shqiptarë në shkollën “Panajot Ginovski”, Selajdin Hamidi sqaroi për Portalb, se po të mos investonin prindërit, sërish do të kishte probleme më stërngarkimin e nxënësve në paralelet shqipe.

“Edhe ne kishim probleme me stërngarkimin e paraleleve, pasi që në një paralele mësonin mbi 35 nxënës, por ishin prindërit ata që investuan dhe i ndanë paralelet. Më pas kishim probleme me mësimdhënësit të cilët për një kohë të gjatë nuk janë paguar për angazhimin e tyre në këto paralele të formuara nga vetë prindërit”, tha për Portalb, Hamidi.

Prindërit e nxënësve të shkollës ekonomike ende nuk e dinë se di do të veprojnë në ditët në vijim, andaj nga Këshilli i Prindërve paralajmëruan se të hënën do të mbahet mbledhje dhe do të vendoset për hapat e mëtutjeshëm, lidhur me zgjidhjen e këtij problemi.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button