Qetësi

Dua të ta vë një emër,
Por asnjë fjalë s’të shkon përshtat!
Nga çdo gjë që shoh, ti je aq larg!
Nga çdo e qeshur,
Nga çdo zë i ngritur,
Ti je qetësi – një ëndërr e panjohur, që mall e kam pritur.

Diçka je!
Por akoma s’të njoh; A të kërkoj më shumë se çdo gjë tjetër,
Në tingujt e qetë, plot hijeshi,
Në mua je, a në ndonjë tokë të largët – nuk e di.

Në errësirë ndjellëse, a në dritë të qartë – akoma gjurmët qartë nuk i shoh,
Në ëndrrat e mia të huaja për botën,
A në skicat që m’i fluturojnë mbi kokë –
Çfarë je?!

Të dua më shumë se çdo gjë tjetër,
Në çdo skutë të kërkoj,
Ti veç grimca tingujsh e ndjenjash lëshon,
Më ndjell aq lehtë – botën më bën ta harroj.

Çdo zë që ngadalë vjen, sjell pak nga ti –
Ç’qenie, a ide je? Veç qetësi ka në ty.

Shqipe Palloshi, Dhjetor 2014

Lajme të ngjashme

Back to top button