Marshi i ndryshimeve

“Universiteti është zëri i lirisë “,” Pa drejtësi, s’ka paqe “,”A mund të na dëgjoni tani?!”, “Autonomi”, “Ne jemi studentë, nuk jemi klientë”, “Unë dua të qëndroj në këtë vend”, “Ne jemi forca”…
Këto e mijëra brohoritje tjera sot ngjallën rrugët e qytetit të Shkupit dhe prekën zemrat e të gjithë banorëve të këtij qyteti. Mijëra studentë të gjithë sëbashku dolëm sot që të shprehim revoltën tonë nga këto nënçmime të intelegjencës e cila po na bëhet.

Këto gjeneratat e reja të gjithë jemi të aftë për metafora dhe mesazhe indirekte, por jemi lodhur më, jemi lodhur nga këto retorika të ministrave që ofendojnë nivelin tonë, jemi lodhur me deputetë që tash në funksion të shtetit po e përjetojnë “fëmijërinë” e tyre dhe merren me gjëra të kota, jemi lodhur nga këto liderë partiak, prej të cilëve që kur jam në vetëdije e deri sot i shoh përpara sikur jemi lind t’u shërbejmë atyre dhe kauzave personale të tyre në këtë botë.

Andaj dhe unë sot si gjithë bashkëmoshatarët e mi të cilët përshkuan rrugët e qytetit të Shkupit që të kërkojmë autonominë e shumë kërkuar. Mijëra studentë, profesorë të universiteteve, si dhe të tjerë mbeshtetës studentorë sot i thamë “Jo” planit të Qeverisë për testim shtetëror të studenteve, kjo ishte padyshim protesta më e madhe studentore që zhvillohej në Maqedoni që nga pavarësia e saj.
Me kënaqsi përfaqësova Unionin Studentor Shqiptar me kerkesa gati se të ngjashme edhe me vet organizatat dhe unionet tjera studentore që sot u bashkuan për një qëllim të përbashkët. Por kjo nuk ishte vetëm bashkim studentor, ishte bashkimi më i madh nga ajo që kemi parë më herët.

Përvoja ime në aktivitete të ndryshme më ka mundësuar të krijoj rrjetin tim edhe me koleg studentë maqedonas,me të cilët sot kur takoheshim në çdo pese hapa secili duke bërtitur nga gëzimi “ej edhe ti dole, sa bukur që jemi këtu bash me një qëllim të përbashkët”.

Pas protestës kishim rastin të përshëndetemi edhe me shokët tjerë me të cilët nuk mundëm gjatë turmës, por për fat të keq aq sa do të gëzojë ky rast për bashkjëtesë i cili jep një mesazh të mirë ndaj ndërkombëtarëve, aq edhe do të hidhërojë se ata as që janë në dije se në çfar zullumi është jeta studentore e një studenti shqiptar në Maqedoni, posaqërisht ata të USHT-së, so politizuar skajshmërisht. Shokët e mi ndoshta do më kritikojnë për këto fjalë se nuk jam në Universitetin Shtetëror të Tetovës,mirëpo nuk mundesha që të heshti ndaj faktit që mbi studentët e këtij universiteti është ushtrua presion I madh që të mos dilet në këtë protestë, mirëpo sot me krenari në mes indeksave të kuq të Kirilit kishte edhe nga të gjitha universitetet tjera.

Afërsia që krijohet si rezultat i aktiviteteve të ndryshme të jep qasje në një shoqëri më të madhe, dhe unë sot jam një student që ulem bashkë dhe debatoj për një jetë studentore që vetëm e imagjinojmë sëbashku, e kërkojmë dhe na servohet vetëm gjatë zgjedhjeve si platformë të filmave të animuar nga Disney. Me atë sy na sheh politika shqiptare. Sa nënçmuse, sa të papjekur që janë!
Kërkesat tona studentore janë të qarta. Ne nuk duam që pushteti te na vë nën ombrellën e tyre, ndërsa opozita as mos të guxojë të provojë bile. Unë personalisht ndjej keqardhje se studentët asnjeherë s’janë aktivizuar për ndonjë çështje të rëndësishme në shoqëri dhe nuk kanë treguar ndonjë interes në unitet të tillë as edhe kur vetëm studentët shqiptarë kanë nevojë nga shtypja dhe presioni politik. Kështu që shpresojmë se ky unitet i yni nuk do të jetë i fundit për të cilën të gjithë kemi pikëpamje të forta dhe jemi të gatshëm për të dalë në rrugë.

Nga ana tjetër, më vjen keq që parneri shqiptar në pushtet ende nuk ka histori autentike që do t’u sjellë studentëve shqiptarë një të ardhur të ndritur, por kemi parë vetëm sherr e dëmtime në çdo anë. Do ta marr shembull debatin publik të Unionit Studentor Shqiptar para disa muajve të USHT-së në Shkup, për të cilin debat amfiteatret studentore nuk ishin në dizpozicion për ne, përkundër kërkesës zyrtare për leje. Ende më mirë, ne u servuam para derës së madhe dhe është interesant fakti të përmendet se studentët e USHT-së u tmerruan nga një aktivitet I guximshëm i tillë që kritikon funksionimin e dështuar të pushtetit që ngulfat studentët dhe ardhmërinë e këtij shteti, mirëpo mos t’i fajësojmë edhe aq shumë, të mjerët edhe s’kanë hapsirë, janë të zënë duke u marrë mes vete, apo si thonë pleqtë nga rrethi që vi unë, “dreqi u ka hy brenda”, s’ka hajër prej tyre më. Po kujtoj atë ditë si ditë zie për studentët e pakët dhe të guximshëm të USHT-së që ishin prezent në emër të Unionit Studentor Shqiptar, ngase pas debatit të gjithë ata studentë ishin nën presione të ndryshme nga organet e politizuara të USHT-së, të cilët kishin premtuar hakmarrje shkaku që pikërisht para syve të studentëve tjerë dhe para dyerve të universitetit u kemi bërtitur për paaftësi profesionale!

Sidoqoftë, vazhimisht na thonin që studentët janë të paaftë në artikulimin e qëndrimeve të tyre për ndonjë çështje. E po si duket tash vërtetë na “prekën në tel”. Duhet t’i falimenderojmë për këtë nxitje të mrekullueshme. Kjo ishte një mundësi e shkëlqyer për studentët për t’i dërguar Qeverisë në pushtet një porosi të qartë. Ata duhet të kuptojnë se dituria është e rëndësishme, por integriteti i studentit edhe më shumë. Marshi jonë sot ishte gjigant me më shumë se 10000 brohoritje. Zëri jonë u dëgjua gjithandej… Ne jemi forca e një shteti, ne jemi fryma e një shteti, sepse ne thjesht jemi ardhmëria e një shteti…

Lajme të ngjashme

Back to top button