Miku im izraelit dhe protestat studentore

Javën e kaluar prita mikun tim Oren Farber, një profesor izraelit i fizikës, që vizitoi vendin tonë me qëllimin për të mbajtur takime dhe ëorkshope me nxënës, studentë dhe profesorë dhe për t’u takuar me instancat e larta të arsimit në Maqedoni. Oreni përvec se është një njohës i shkëlqyer i fizikës, ai është edhe inovator në shkencën e pedagogjisë. Ai ka zbuluar teknika dhe mënyra të reja për mësimin e këtyre lëndëve në shkollat fillore dhe ato të mesme. Këto metoda dhe teknika, Oreni i ka të patentuara, ashtu si edhe kompjuterin e tij që ka krijuar në bashkëpunim me IBM për mësimin sa më praktik të shkencave. Qëllimi i tij, ose më mirë kënaqësia e tij më e madhe – në fjalët e tij – është kur nëpërmjet metodave të veta transmeton një teori apo një njohje nga fizika dhe kimia te një auditorium nxënësish dhe sheh në sytë e tyre që e kanë kuptuar fjalën e tij. Këtë edhe e demonstroi me nipin dhe mbesat e mia gjatë darkës.

Fatkeqësisht metodat e veta, Oren Farberi nuk arriti gjatë vizitës së tij 4 ditore t’i shpalosë përpara nxënësve të shkollave publike; nga to mësuan vetëm nxënësit e shkollave private; kjo sepse për arsye të ndryshme nuk mundi të caktojë takim as me Ministrin e Arsimit, as me ndonjë zyrtar të lartë të kësaj ministrie, megjithëse ishte dërguar nga shteti i Izraelit. Arsyet për mungesën e takimit nuk i dij, por e them me keqardhje që një personalitet i tillë që ka ardhur nga një vend i largët, duhet të dinjifikohet me një takim. Nejse, kjo është punë qeverie e ministrash, e ne mortalët e zakonshëm nuk i dijmë marifetet e tyre.

Ajo që më shtyri të shkruaj për Orenin, është reforma e ardhshme në arsimin sipëror të cilin e planifikon programi i qeverisë, apo thënë më mirë programi i VMRO-së dhe protestat e djeshme të studentëve për të kundërshtuar këto reforma.

Janë dy momente ose më mirë thënë kontradikcione që dua t’i analizojmë bashkë. E para është momenti në të cilin bëhet kjo reformë. Ajo që duhet patur parasysh është fakti, që e kam përmendur shpesh në kolumnat e mia, që arsimimi masiv dhe kuantifikimi i arsimit në një vend është i dëmshëm. Kur në mënyrë masive arsimohen të rinjtë, nuk mund të presësh kurrfarë rezultati pozitiv në rritjen e nivelit të dijenive dhe kualitetit të kuadrove. Sepse, thënë troc, tek ne gjithsecili mund të fitojë një diplomë. Sepse univerzitete ka sa të duash, qoftë privatë, qoftë shtetërorë, të korruptuar ka akoma më shumë, qoftë profesorë, qoftë zyrtarë univerzitetesh, që për një grusht para janë të gatshëm të shtypin diploma nga më të ndryshmet. Ndërkaqkonkurrenca joreale për arritjen deri tek diploma krijon një ofertë shumë të madhe për punë, gjë që tregu i vendit – as sot, por edhe asnjëherë, me gjithë investimet e dynjasë – nuk mund ta përballojë. Kapacitetet tona ekonomike janë të tilla që nuk mund ta përballojnë fluksin që pritet gjatë viteve të ardhshme. Rezultatet e deritanishme e vërtetojnë këtë gjë. Ndërkaq që rritet numri i të arsimuarve, ashtu edhe rritet numri i të papunëve.

Vetëm në muajin tetor, sipas statistikave zyrtare, numri i të papunëve është rritur për mbi 10.000 njerëz – shumica të rinj. Me siguri ndonjë paksa më i mencur në VMRO, më falni në qeveri e ka spikatur këtë moment, dhe ka reaguar deri tek shefi i vet. Këtu vijmë tek momenti i dytë, momenti i reformës më të re. Ajo bëhet për të përballuar situatën e cila pritet të ndodhë nesër.

Pra, qeveria e rrit numrin e studentëve për të justifikuar shpenzimet e bëra në hapjen e fakulteteve të disperzuara në secilin qytet dhe fshat të vendit dhe stimulimit të të rinjve për të mbaruar fakultetin ndërsa në anën tjetër, nëpërmjet kësaj reforme do të tentojë të ulë numrin e të diplomuarve të paaftë. Në teori, efekti eral i kësaj është rritja e punës së shtypshkronjave: për të shtypur diplomat “false” dhe gjysëm false. Korrupsioni në arsimimin e lartë akoma do të vazhdojë bile do të lulëzojë sot e tutje. Të gjitha këto univerzitete, e sidomos ato privatet, do të shtyhen njëra me tjetrën se cila do të shesë më shumë diploma. E dhimbshme por e vërtetë. Do të duhet të arsyetojnë shpenzimet e veta dhe të mbijetojnë financiarisht. Ndryshe, cili është qëllimi i tyre përvec profitit?

Është e kuptueshme që studentët do të ndjehen të zhgënjyer dhe të manipuluar. Prandaj edhe masiviteti i protestave të djeshme. Megjithëse shteti nëpërmjet marionetave të veta (“mediumeve të lira”) mundohet ta minimizojë numrin e tyre dhe mesazhin të cilin ato e përcollën dje nëpër rrugët e Shkupit. Sinqerisht ishte një pamje mahnitëse, nga ato që të mbushin plot frymë, plot shpresë, plot iniciativë. Ju lumtë studentëve!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button