Unë jam fajtori!

Në shumë raste të ndryshme, në biseda me miq dhe shokë, në familje, nëpër media, etj. më vrasin veshin biseda dhe diskutime të natyrës si,  “punë shqiptari ”, “ne nuk bëhemi”, “zbëhet mirë këtu”, “ku shkojmë ne, shkaktojmë probleme”, dhe shprehje tjera të ngjajshme të cilat ndjellin pesimizëm, plogështi, ngathtësi dhe dëshpërim. Le që, gati se të gjithë të tjerët ankohen prej nesh, madje edhe ne si shqipëtar në biseda e sipër ankohemi shpesh herë për “fatin tonë të zi”, ankohemi prej vetes sonë.

Prirja jonë për të qenë autokritik për problemet tona është për t’u përshëndetur, por nuk mjafton me kaq! Për të zgjidhur nyjen, patjetër që përveç identifikimit të problemit dhe fajtorit, duhet që të merren masa edukuese për t’u përmirësuar dhe tejkaluar ky problem. Që të zhvillohemi dhe të kemi rezultate të mira na duhet të punojmë, të derdhim djersë, t’ia prishim qejfin vetes dhe t’i themi mjaft hatrit.

Me keqardhje e them se, veprimet tona shpesh herë argumentojnë konstatimet e lartpërmendura. Fatkeqësisht, nuk janë të rralla rastet kur disa djem të ulur në kafene luksoze, duke rrotulluar marlborot dhe duke “gjuajtur” aty këtu ndonjë “çupkë”, të diskutojnë për fenomene me peshë, si p.sh. të diskutojnë për papunësinë, varfërinë, mungesën e suksesit, etj. Për më tepër, jo rrallë herë hasim në raste kur burrat, gratë etj. të ankohen për sjellje të ulët dhe vrazhdësinë e fëmijëve të tyre.  Madje, tani po t’i telefonosh ndonjë miku dhe ta pyesësh, çka bën, me se merresh? Me siguri që përgjigjja  e vetme që mund të merrni është: “Ja, po rri kot, e humbi kohën, s’kam çka të bëj” ose “mërzi, nuk rrihet, s’ka gjë këtu, hajde të dalim pak”! Kjo situatë bëhet edhe më problematike kur, zgjidhja për këto raste nuk kërkohet nëpërmejt studimit, edukimit, punës etj. por, në relaksim, duke e ndëruar kafenenë apo çajtoren, duke vizituar korzot dhe baret e natës, duke luajtur me letra, duke shikuar seriale etj. Ndodh që, na bezdis edhe shëtitja në natyrë. Madje, ky është thelbi kryesor i problemit.

Me plot përgjegjësi mund të them se aktualisht, ne vuajmë nga letargjia dhe dembelizmi fizik, ideologjik dhe ai më kryesori sipas mendimit tim nga dembelizmi psikologjik. Ky i fundit na ka bërë pesimist për perspektivën, na bën që të mos e duam punën, të mos ndjehemi mirë me punë dhe angazhime. Për fatin tonë të keq, të tre këto lloje dembelizmi i kemi prezent me bollëk në shoqërinë tonë. Madje, ky fenomen ka lëshuar aq rrënjë  të thella, saqë duhet shumë punë dhe djersë për t’u çrrënjosur. Por, kjo nuk duhet të jetë shkak për dëshpërim dhe pesimizëm!

Mendoj se, nuk do ishte aspak e drejtë që të gjitha dështimet dhe fajet t’ia faturojmë, politikës dhe pushtetit. Sepse, fundja ne jemi ata që ua “ofrojmë” pushtetin, politikanëve. Ne kemi nevojë që, ndonjëherë t’i themi vetes, unë i kam fajet! Ne kemi nevojë që, të pyesim veten pse nuk kam sukses në jetë, pse nuk kam qetësi dhe harmoni në familje, pse u diplomova dhe nuk jam i zoti/e zonja në profesionin tim, pse i bëj gjërat vetëm për t’u dukur dhe pa sinqeritet, pse e humbi kohën kot kur e di se nuk kthehet më, pse më tepër i çmoj kravatat se sa njerëzit dhe shumë pse-ja tjera. Çfarë ka dikush që është më i mirë se ti, çfarë posedon një gjerman apo një japonez që ka përparuar ekonomikisht, politikisht etj. Çfarë kishin më tepër se ne vëllezërit Frashëri, mos vallë ata kishin 30 orë në ditë në dispozicion dhe ne kemi vetëm 24 orë.

Për të përmbyllur,  mendoj se ne si shoqëri, kemi burime të shëndosha, materiale, shpirtërore dhe morale për të ecur përpara. Me pak fjalë, ajo që na mungon neve sot është vetëm puna dhe vullneti për punë. Andaj, duhet t’i themi vetes ndal, unë e kam fajin kryesor, unë meritoj t’i rishikoj veprimet dhe qëndrimet e mia! Nëse ne duam zhvillim, ndryshim, përparim dhe perspektivë të shëndoshë, duhet të jemi të sigurtë se ndryshimi fillon nga vetja jonë.

Lajme të ngjashme

Back to top button