Bota myslimane apelon: të luftohet terrorizmi ngado që vjen ai

Kohë më parë, në Kajro, në Qendrën më të vjetër për mësime islame, në Universitetin “Al-Az’har”, u mbajtë Konferenca Ndërkombëtare me temë “Konfrontimi i ekstremizmit dhe terrorizmit”. Në këtë Konferencë morën pjesë dijetarë islam, studjues, politikanë, udhëheqës fetarë nga 120 vende të ndryshme të botës, si dhe përfaqësuesit e të gjitha Kishave nga Lindja e Mesme. Konferenca ishe dyditore dhe u mbajt nën patronazhin e Muftiut të Az’harit – Imamul Ekber, Sheijhut të Azharit Prof. Dr. Ahmed Tajjib.

Nga Maqedonia i pranishëm ishe Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë, Reis Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, i cili u paraqit me kumtesën “ Radikalizmi dhe ekstremizmi”. Në këtë kumtesë efendi Rexhepi ka shpalosur një sërë problemesh me të cilat po ballafaqohen muslimanët anekënd botës si pasojë e lëvizjeve ekstremiste, manipulative të sërë grupacioneve që aktet terroriste po i ndërmarrin në emër të islamit. “Në jetën tonë të përditshme vazhdimisht po përballemi me armiq të rinj të Islamit, po shprehen përpjekje të vazhdueshme për ta ringjallur ekstremizmin dhe aktet terroriste në mesin e muslimanëve. Krejt kjo bëhet me qëllim të stigmatizimit të muslimanëve si dhe të përbuzjes së Islamit, të paraqitjes së Islamit si fe e dhunës, e terrorit, dhe jo si Fe e paqes, bashkëjetesës dhe solidaritetit”, ka thënë Kryetari i BFI-së në RM.

Gjithashtu, Reisul Ulema i BFI-së, efendi Rexhepi ka folur edhe për rolin e dijetarëve në rastin konkret. “Roli i dijetarëve dhe institucioneve fetare përballë ekstremizmit është i rëndësishëm dhe i detyrueshëm dhe se çdokush e ka për obligim që kur të gjykojë rreth këtyre dukurive  të bazohet në Librin e Allahut dhe në Sunetin e Pejgamberit”, ka nënvizuar H. Sulejman ef. Rexhepi.

Gjatë këtyre dy ditëve, diskutues të shumtë, personalitete eminente nga bota akademike dhe jeta fetare islame, rrahën probleme të shumta që vijnë nga ekstremizmi, nga terrorizmi dhe nga manipulimi në emër të fesë islame. Emërues i përbashkët i të gjithëve ishte që, pa asnjë kompromis t’u dilet përpara ekstremistëve dhe manipulantëve dhe të mbrohet feja islame prej tyre si dhe të shpëtojë bota muslimane prej një dukurie e cila asgjë nuk ka të përbashkët as me fenë islame por as me fetë e tjera qiellore. Gjithashtu, u apelua deri te bota arabe që mos të bijnë pre e planeve dhe synimeve të ulta të ekstremistëve të cilët terrorizmin po e përdorin si mjet për t’i arritur qëllimet e tyre meskine. Theks i veçantë u vu edhe mbi diversitetin etnik, fetar e kulturor i cili është pasuri e paçmueshme e botës arabe dhe se si i tillë duhet të çmohet si vlerë e përbashkët dhe të ruhet e kultivohet duke i shmangur të gjitha barrierat që i dalin përpara këtij diversiteti.

Nga kjo Konferencë u kumtua edhe një apel shumë i fuqishëm i cili thërret në dialog që ofron paqe dhe që promovon drejtësi dhe respektim të pluralizmit fetar, sektar dhe racor.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button