Sekretari i Shtetit i SHBA-së Kerry përgëzon Kosovën për formimin e Qeverisë

Në adresimin e tij publik, John Kerry, Sekretari i Shtetit i SHBA-së ka përgëzuar Kosovën për konstituimin e Kuvendit të saj dhe formimin e qeverisë së re, të parës të dalë nga zgjedhjet e lira dhe të drejta, në gjithë territorin e Kosovës, thuhet në komunikatën e zyrës për informim të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kerry tha se, kjo qeveri e koalicionit dhe procesi që çoi në formimin e saj tregojnë qëndrueshmërinë dhe vitalitetin e institucioneve politike dhe demokratike të Kosovës.

“Ne e përgëzojmë Presidenten Jahjaga për lidershipin e saj të palëkundur për të siguruar që ky tranzicion të jetë në pajtueshmëri me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës. Ne poashtu përgëzojmë Kryeministrin Isa Mustafa dhe presim që të punojmë afërsisht me të dhe me kabinetin e tij të ri gjersa ata përballen me sfidat e shumta të Kosovës dhe rajonit” tha Kerry duk e shtuar se, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përkrahin përpjekjet e Kosovës në tejkalimin e këtyre sfidave, përfshirë Dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, dhe në përkushtimin e Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale për t’u marrë me akuzat e hetuara nga Task Forca Speciale Hetimore.

”Ne presim nga qeveria që të punojë në mënyrë gjithëpërfshirësë për të përkrahur të gjitha komunitetet e Kosovës, dhe që të merret seriozisht me çështjen e korrupsionit. Presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë me Kosovën lidhur me agjendën e përbashkët që e çon përpara zhvillimin politik dhe ekonomik të Kosovës dhe integrimet Euro-Atlantike” përfundoi urimin e tij, Sekretari i Shtetit Kerry, drejtuar institucioneve të sapoformuara të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button