Çka fshihet pas nënshtrimit të BDI-së ndaj VMRO-së?

Së pari “ardhja e vonshme” e shqiptarëve në Shkup e më pas edhe stema e re shtetërore që nënçmon skajshërisht identitetin shqiptar në Maqedoni. Këto dy zhvillime e karakterizuan javën që lamë pas, e të cilat ngjallën shumë revoltë tek popullata shqiptare.

Analistët vlerësojnë se ndaj kësaj fushate antishqiptare nuk po reagon pala shqiptare në pushtet. Sa do të vazhdojë kjo heshtje e zyrtarëve të partisë shqiptare në pushtet? Edhe sa veprime të ngjashme do t’i zgjojnë nga letargjia “pushtetarët me pak pushtet”?!

Këto pikëpyetje i kanë shtjelluar analistët politikë të kontaktuar nga ‘Shenja”. Analisti politik Mersel Bilalli, thotë se nuk mund të gjindet përgjigje elementare logjike nënshtrimit që po bën BDI-ja karshi VMRO-DPMNE-së, ndërsa ky nënshtrim, sipas tij i tejkalon gjitha limitet e nënshtrimit të njohur deri tash.

“Pas këtij nënshtrimi besoj se fshihet diçka serioze. Një ‘durimi i tillë nuk ka ndodhur as në fashizëm, as në komunizëm e as në autoritarizëm, jo vetëm te ne por nuk është e njohur në rrethana të këtilla diku kështu e ngjashme të ketë ndodhur. Ajo jo vetëm që kapërdinë aso fushate antishqiptare, por edhe është pjesë e saj. E ardhmja do të tregoj çka paska ndodhur, që kaq shumë mazohizëm ndodhë në BDI. Ata sikur kënaqen me sadizmin e VMRO-së. Për fat të keq më shumë ngjasojnë si nëndegë e VMROS-së”, ka deklaruar për SHENJA, analisti Bilalli.

Ndërkaq profesori universitar dhe publicisti Sefer Tahiri, vlerëson se me stemën e propozuar shqiptarët edhe njëherë do të ndjehen të zhgënjyer dhe të papërfaqësuar në njërin nga simbolet shtetërore, ndërsa kjo, sipas tij do të tendos edhe më shumë marrëdhëniet ndëretnike.

“As himni e as flamuri shtetëror nuk reflekton asnjë element historik dhe kombëtar të shqiptarëve. Mendoj se tendosja etnike sa vjen e do të shtohet, aq më tepër që priten zhvillime dramatike politike. Në këtë drejtim, jo vetëm stema, por edhe vendnumërimi në procesin e integrimit, Shkupi monoetnike dhe monoreligjioz 2014, mosrespektimi i gjuhës shqipe si zyrtare nga VMRO-DPMNE-ja edhe disa pakënaqësi tjera të shqiptarëve do të tendosin ambientin ndëretnik”, ka deklaruar për SHENJA, publicisti Tahiri.

Ai vlerëson se është BDI-ja ajo që duhet të japë përgjigje për këto fushata antishqiptare, ndërsa shton se ajo nuk ka rrugë tjetër ose “t’i pranoj ato vendime dhe projekte që i imponohen ose të dalë nga Qeveria”.

“Mendoj se ty dy variantet janë në dëm të saj, por kjo është rezultat i partneritetit që ka me një parti etnonacionaliste, e cila aspak nuk ka qëndrime që i shkojnë për shtati harmonisë ndëretnike, ndërfetare dhe ndërkulturore”, ka theksuar Tahiri.

Përndryshe, stema e re ka marrë dritë të gjelbër nga Qeveria, në të cilën kanë votuar edhe ministrat shqiptarë, ndërsa tani pritet të miratohet nga Parlamenti.

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Une mendoj se fshihet vetèm interesi Partiak i Bdi-sè,duke mos u merrzite aspak per gjendjen e Miletit!?

  2. Une mendoj se kjo eshte marrèveshja e vetme per ta marrè ne qeveri , Vmro-ja bdi-nè!?

  3. Tani ia ka fillu me Ortodoksizmin si dhe ofenzive diplomatike dhe s’ka kohe per gjera pa lidhje….

Back to top button