“BDI turpëroi shqiptarët me luanin e VMRO-së”

Vendimet skandaloze të qeverisë VMRO-BDI nuk kanë të ndalur. Pas vendimit për testim ekstern të studentëve, opinioni publik mbeti pa koment edhe me një vendim tjetër, kësaj radhe që ndërhyn fuqishëm në relacionet ndëretnike. Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Maqedonisë, unanimisht është miratuar propozimi për ndryshimin e stemës së shtetit. Tani mbetet që të kalojë procedura në Kuvend dhe Republika e Maqedonisë për stemë shtetërore do të ketë luanin e VMRO DPMNE-së. Si është e mundur që partia politike shqiptare në koalicionin qeverisës të pranojë një propozim të këtillë, në fakt, nuk arritën të kuptojnë e të sqarojnë as analistët të cilët i kontaktoi SHENJA.

Analisti Xhelal Neziri këtë e kupton vetëm në një mënyrë, sipas tij BDI definitivisht është dehur nga pushteti dhe pranon zgjidhje të paparashikueshme.

“Nëse stema është një nga vendimet e papritura dhe jashtë programit partiak, që i paralajmëroi Ahmeti në kuvendin e degës së Tetovës, atëherë na ngelet të kërkojmë zgjedhje të parakohshme që të shpëtojmë nga ky turp që po na ndodh. Stema e propozuar është simbol partiak i VMRO – DPMNE. Stema duhet të jetë simbol i të gjithë qytetareve të shtetit, i të gjithë taksapaguesve e jo vetëm i një partie politike”, shprehet Neziri.

As kryeredaktori i Televizionit Alsat Muhamed Zeqiri, nuk mund ta shpjegojë këtë vendim të pakuptimtë të partisë shqiptare në pushtet.

“Si është e mundur, sigurisht atë duhet ta shpjegoje për opinionin dhe popullin shqiptar këtu në Maqedoni, vetë BDI-ja që e ka miratuar këtë vendim. Ata tani do tentojnë që ta fshehin këtë punë, se luani është simbol edhe i shqiptarëve, mirëpo me këtë nuk mund të bindin asnjë shqiptar këtu në Maqedoni përpos vetes së tyre”, shprehet Zeqiri.

Ai në vazhdim shton se vetëm BDI-ja e dinë se si ka qenë pazari me VMRO-në për të pranuar një simbol të tillë.

“Un vetëm do i pyesja ata: me çfarë flamuri ka luftuar Skënderbeu, Isa Boletini dhe Ismail Qemali, me çfarë flamuri ka luftuar Adem Jashari e kështu me radhë. Në këtë mënyrë situata do të qartësohej. Le të na shpjegojnë se në çfarë lufte shqiptarët janë identifikuar me luanin? Shqiptarët, e dinë mirë edhe të BDI-së, me luanin dhe me luanët kanë pasur punë këtu në Maqedoni në vitin 2001 kur kanë luftuar kundër tyre. Tani të dalin dhe të shesin këtë punë të këtillë se luani është simbol edhe i shqiptarëve është marrëzi për mua”, thekson Zeqiri.

Analistët janë të mendimit se përbuzja dhe nënçmimi ndaj shqiptarëve nuk do mbarojë këtu. Ata thonë se VMRO do vazhdoj t’i përbuze shqiptarët derisa BDI të tolerojmë një situatë të këtillë.

Në propozimin për ndryshimin e stemës thuhet se simboli nuk përçan por përkundrazi krijon bashkim për të gjithë ata që jetojnë në këto hapësira, por mbetet të sqarohet se në çfarë mënyre do të bashkohen shqiptarët rreth luanit, simbolit partiak të VMRO-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button