Drejtoresha e ‘Arseni Jovkov’ shkarkon Nazmi Ramanin

Drejtoresha e Shkollës së Mesme Ekonomike ‘Arseni Jovkov’, Jovanka Asprovska, sot pa paralajmërim ka shkarkuar nga detyra ndihmës drejtorin e shkollës, Nazmi Ramanin, transmeton Alsat

Drejtoresha Asprovska në vend të tij ka emëruar profesorin Arben Krivanjeva, si duket i dëshirueshëm vetëm për të.  Shkarkimi nga detyra i Nazmi Ramanit vjen pas kronikave të emetuara në ALSAT-M rreth standardeve të dyfishta për nxënësit maqedonas dhe ata shqiptarë. Kujtojmë se ndihmës drejtori shqiptar i ‘Arseni Jovkovit’ ishte personi i vetëm i cili gjatë dy javëve të fundit para kamerës së ALSAT-M pranoi gjendjen e vështirë dhe jashtë çdo standardi në të cilën ndjekin mësimin nxënësit shqiptarë të kësaj shkolle.
“Kemi raste në të gjitha gjeneratat duke filluar nga vitet e para e deri tek të katërtat, kemi në çdo paralele mbi 40 nxënës dhe realisht ku numër është shumë për këto klasa. Problemet janë të pranishme në të gjitha aspektet, edhe nga aspekti i disiplinës edhe problem kemi me vlerësimin real të nxënësve. Pasi jam ndihmës drejtor vetëm për paralelet shqipe, atëherë të dhëna të sakta për numrin e nxënësve në paralelet maqedonase nuk kemi mirëpo besojë që kushtet janë më të mira dhe kanë hapësirë më shumë pasi numri i nxënësve nëpër klasa është shumë i vogël se sa në paralelet me mësim në gjuhën shqipe”, deklaroi kohë më parë Nazmi Ramani, ish ndihmës/drejtor i SH.M.E ‘Arseni Jovkov’.

Për të ditën e martë nxënësit shqiptarë të kësaj shkollë në shenjë proteste kanë paralajmëruar bojkotimin e mësimit dhe organizimin e protestave para godinës së shkollës. Ndërkohë gjatë gjithë kohës për sa ka informuar ALSAT-M për standardet e dyfishta të drejtoreshës në këtë shkollë, ajo në asnjë moment nuk ka pranuar të prononcohet para kamerës sonë për këtë situatë. Të vetëm gjë që e ka bërë Asprovska kanë qenë kërcënimet ndaj ekipit tonë dhe vendimit që mos të lejohet ekipi ynë të filmojë këtë shkollë. ALSAT-M gjatë javëve të kaluara ka alarmuar se në këtë shkollë paralelet me mësim në gjuhën shqipe janë të stërmbushura me nxënës, ndërsa ato me mësim në gjuhën maqedonase janë gjysmë të zbrazura dhe pjesa më e madhe e tyre janë me nxënës shqiptar.

Lajme të ngjashme

Back to top button