U shpallën fituesit e “Junior Oskar”

Në kuadër të edicionit të katërt të kësaj gare u ndan katër çmime kryesore për kategorinë e filmit dokumentar, për tregimin më të mirë , filmin më të mirë në gjuhën angleze dhe për filmin më të mirë të animuar. Çmimin për kategorinë e parë e fituan nxënësit nga Prizreni, ndërsa tri çmimet e tjera, i fituan nxënësit e shkollave të Prishtinës.

Të enjten në Prishtinë u mbajt ceremonia e shpalljes së fituesve të garës së katërt vjetore “Junior Oskar”, të organizuar nga Programi për Arsimin Themelor i USAID-it.
“Junior Oskar” u hap nga drejtori i zyrës për zhvillim ekonomik të USAID-it, Luis Guzman i cili theksoi se qëllimi kryesor i kësaj gare është zhvillimi i shkathtësive kreative, inovative dhe punës grupore të nxënësve.
Çmimin e parë për filmin më të mirë dokumentar shkoi në Prizren për nxënësit e shkollës fillore “Dy Dëshmorët”, që janë prezantuar me filmin që për temë kishte “Varshmërinë ndaj telefonit”.

Çmimin e parë për tregimin më të mirë e mori shkolla “Meto Bajraktari” nga Prishtina që tema e tyre ishte “Shoqëri e interes”.

Çmimi i parë për filmin më të mirë në gjuhën angleze iu nda “Shkollës së Gjelbërt” nga Prishtina me titull “Distinguished student”.

Ndërsa çmimi i parë për filmin më të mirë të animuar, iu dha shkollës fillore “Mitrush Kuteli” nga Prishtina për filmin “Shoqëria e keqe” i cili është punuar me programin ALICE.

Nxënësja e cila është përfaqësuesja e grupit i cili punoi për këtë film Erina Gashi tha për KultPlus se nuk ishte e vështirë pasi që punimi në grup është më i lehtë edhe se janë akorduar mirë mes vetes.

Secili film i prodhuar nga nxënësit e shkollave fillore do të zgjaste 10 minuta, e ata e kishin mundësinë të zgjedhin tema lidhur me fushat e tyre të studimit, ose të zgjedhin tema siç janë: diversiteti, miqtë, ëndrrat, librat, muzika, etj.

Këtë vit në “Junior Oskar” kanë aplikuar 48 filma nga shkollat në mbarë vendin. Filmat fitues nga klasa e 6-9 janë shfaqur në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit dhe Teatrit “Skena Up”, kurse filmat më të mirë nga klasa e 1-5 do të shfaqen nëpër shkolla të ndryshme të Kosovës./KultPlus.com

Lajme të ngjashme

Back to top button