Detina Zalli: nëse ia dola unë, mundeni edhe ju! (Intervistë)

Detina Zalli punon në Universitetin e Harvard si shkencëtare dhe lektore në fushën e biologjisë dhe biokimisë së qelizave (cell biology/biochemistry). Ajo është nga Fieri i Shqipërisë ndërsa jeton në Boston. Detina gjithashtu ka filluar projektin We Speak Science Worldwide, projekt shumë interesant me shumë shqiptar nga vende të ndryshme të botës. Ajo rreth vetes në këtë projekt ka mbledhur doktor dhe kërkues shkencor për të informuar publikun me më të rejat e shkencave mjekësore. Lexojeni dhe shpërndajeni këtë intervistë për të motivuar edhe të tjerët!

Intervistoi: Venhar Ramadani 

Kush është Detina Zalli dhe si duhet ta njohë opinioni në Maqedoni? Ligjëruese, dentiste më e mira e Harvard-it apo?

D.Zalli: Mua do më pëlqente ta përshkruaja veten si një vajzë e thjeshtë, si gjithë tjerët që janë në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe gjithandej. Jam një vajzë e thjeshtë që gjithmonë është munduar të bëj më të mirën. Edukimi për mua ka qenë shumë i rëndësishëm gjatë gjithë jetës sime. Doktoratën e kam kryer në Universitetin e Lester-it në Angli dhe pas publikimit tim në një gazetë shumë të njohur shkencore fitova bursën për post-doktoratë në Harvard, ku gjithashtu jam duke dhënë edhe mësim në këto dy vitet e fundit ku kam organizuar edhe dy kurse, për dentist dhe mjekësi të avancuar. Në këto kurse kanë marrë pjesë edhe profesorë eminent në lëmi të lidhura me mjekësinë.

Si e zgjodhët këtë profesion?
D.Zalli: Gjatë gjithë kohës kam pasur dëshirë që të jem pjesë e fushës së mjekësisë dhe gjithmonë kam pasur ëndërr të jem mjeke dhe jo shkencëtare. Për shkak të dokumenteve kur ishim në Angli, ne nuk kishim mundësi të shkonim në shkollën e mjekësisë se nuk na pranonin, pavarësisht notave të shkëlqyera ata sërish na refuzuan. Pas kësaj ne aplikuam për mjekësi molekulare në University of Sussex në Angli. Në këtë Universitet na ofruan ndihmë duke na siguruar dokumentet e duhura për qëndrim dhe studim në Angli. Kur filluam studimin në mjekësi molekulare filluam të kuptojmë se me të vërtetë na pëlqen shkenca dhe pavarësisht se e kishim mundësinë të kthehemi për të studiuar mjekësi zgjodhëm të vazhdojmë me shkencën. Flas në shumës pasi në këtë rrugëtim isha edhe me motrën time binjake, Argita Zalli, e cila është si kopja ime me të cilën kemi bërë çdo gjë bashkë.

Nga se e merrni fuqinë juaj?
D.Zalli: Fuqia ime vjen nga inspirimi që kam. Ndonjëherë më duket se kam një rreze brenda vetes që dua ta shpërndaj sa më shumë si një inspirim tek të rinjtë, një rreze shprese, një rreze drite për të ju thënë atyre se ju jeni njejtë si unë. Nëse ia dola unë, ju nuk jeni asgjë më pak se unë dhe për këtë e di se mund t’ia dilni edhe ju si unë. 

Nga e merr inspirimin kur dëshiron të bësh diçka të re? Nga se dhe si duhet të inspirohet rinia?
D.Zalli: Kam një thënie që çdo herë më motivon dhe më jep inspirim, e kjo thënie është: “Being a great dreamer is most my powerful weapon, for it expands my believes and increases my determination to the power of infinity. There where you get only one choice, to succeed.” (Të qenurit një ëndërrimtar është arma ime më e fuqishme, pasi që i zgjeron bindjet e mia dhe e rrit vendosmërinë time deri në fuqinë e pamatë. Më dërgon deri atje ku ke vetëm një zgjidhje, atë të suksesit). Kur Zoti të ndihmon, vullnet është gjigand edhe pengesa më gjigande bëhet mikroskopike. Këto fjalë dua që të rinjtë t’i mbajnë mend gjithmonë. Patjetër që gjatë studimeve dhe karrierës do të kenë rrëzime dhe asnjëherë rruga nuk do të jetë vetëm pozitive, por njeriu kështu bëhet edhe më i fortë. Njeriu i fortë nuk është vetëm ai që qëndron lartë, por ai që bie poshtë dhe ngrihet menjëherë.

Shumë të rinj në trevat shqiptare ju mendojnë si udhëheqëse e së ardhmes. Do kishit pranuar?
D.Zalli: Do kisha pranuar me gjithë qejf dhe do të ishte një nder për mua nëse ata më shohin si një inspirim, si një njeri që i besojnë. Do të isha më se e lumtur të bëhesha udhëheqësja e tyre.

A është e vështirë të mbani këtë tempo pune?
D.Zalli: Është e vështirë të mbash këtë tempo pune sepse këtu është një ambient shumë konkurrues dhe të gjithë duhet të jenë të përgatitur në çdo moment, por mësohesh si gjithë të tjerët. Unë gjithmonë mundohem të jem e përgatitur gjatë gjithë kohës dhe për këtë duhet punë dhe një tempo e lartë. 

Cili është sekreti juaj i suksesit?
D.Zalli: Në rradhë të parë unë suksesin tim nuk dua ta lidh fare me karrierën time ose me gjërat që bëj unë në punë. Puna ime është punë, siç e bëjnë edhe shumë shkencëtarë tjerë. Pak a shumë, të gjithë jemi të suksesshëm në këtë drejtim. Sukses timin do ta quaja në qoftë se unë kam ndikim te personat tjerë. Në qoftë se unë si Detina mund të ndryshoj jetën e të tjerëve duke i inspiruar ata me shembuj të mirë dhe duke më parë ata si një model për të cilin ata kanë nevojë si shpresë. Sekreti im i suksesit është të jem pozitive dhe të ju bësh mirë njerëzve. Në këtë botë biznesi dhe interesi, ne si njerëz humbim vlerat e humanizmit dhe për këtë mendoj se duhet të jemi shembulli i mirë dhe pozitiv për të tjerët.

A keni në jetën tuaj një person që ju e ndiqni si shembull sukesi? A mendoni se është e rëndësishme të keni në jetë, persona-shembuj?
D.Zalli:  Në jetën time gjithmonë model kanë qenë prindërit e mi të cilët kanë sakrifikuar për mua dhe motrën, dhe më kanë treguar se me punë, drejtësi dhe thjeshtësi gjithçka mund të arrihet.

Kur e filluat karrierën, si e re që ishe, a menduat vallë se do të bëheni kjo që jeni?
D.Zalli
:  Gjithmonë kam pasur një fuqi që donte të shpërthente dhe t’u jepja inspirim të tjerëve, që të bëj diçka të madhe dhe nuk isha e kënaqur me diçka të vogël. E kam ditur pak a shumë që kam dashur të inspiroj. Nuk mund të them se a kam menduar se do vij në Harvard, pasi pavarësisht se është Universiteti më i mirë në botë për mua ai është thjeshtë universitet, si gjithë të tjerët. E di se gjithmonë  kam menduar se kam pasur një dëshirë për të arritur diçka të madhe.

A jeni perfeksioniste?
D.Zalli: Jam perfeksioniste dhe do të doja të jem më pak perfeksioniste se sa jam. Të qenurit perfeksioniste ka përparësitë dhe disavantazhet e veta. Përparësitë pasi në punë të bën të shkëlqesh dhe disavantazh është fakti se jeta është e bukur kur nuk je perfeksioniste. Jeta duhet të jetë thjeshtësi.

A jeni krenare me suksesin tuaj dhe a mendoni se duhet të jenë krenar të rinjtë për suksesin e tyre?
D.Zalli:  Të rinjtë duhet të jenë krenar për suksesin pasi ato kanë derdhur djersën e ballit për atë që kanë arritur. Ata kanë bërë shumë sakrifica gjatë rrugës dhe në fund duhet të ndjehen krenar për atë që kanë realizuar. Është shumë me rëndësi që krenarinë të mos e përdorin si mendjemadhësi, por si një motivim për të bërë diçka më të mirë. E sigurisht se krenaria duhet të ndahet me tjerët që të motivohen edhe ato.

Nëse do të mund t’i jepnit vetes suaj në moshë më të re ndonjë këshillë, cila do ishte ajo? Cila është këshilla që i jepni të rinjve?
D.Zalli: Këshilla që do t’i jepja vetes në moshë më të re është që të kënaqesha më shumë. Jo që nuk jam kënaqur, por fokusimi im në jetë më shumë kanë qenë studimet. E të rinjve që kënaqen shumë ju jap një këshillë, të studiojnë më shumë.

Aktualisht, çfarë mësimi jetësor jeni duke përjetuar?
D.Zalli: Që të kesh lëkurë të trashë. Lëkurë të trashë do të thotë që t’i anashkalosh të gjithë gjërat e vogla që mund të të besdisin. Të kesh një objektiv, të kesh lëkurë të trashë dhe të arrish suksesin e kërkuar.

Cili është plani për të vepruar në të ardhmen e juaj?
D.Zalli: Momentalisht jam ende në Harvard, duke dhënë  mësim dhe duke bërë edhe disa gjëra tjera. Planin e kam akoma të qëndroj këtu. Mund të kem edhe një të ardhme tek shqiptarët atje, për t’i inspiruar dhe motivuar, nëse më jepet mundësia.

Cila është metoda më e mirë për të ndryshuar botën?
D.Zalli: Metoda më e mirë është të ndryshojmë vetveten. Vetëm duke ndryshuar vetveten duke dhënë një shembull pozitiv tek tjerët ju filloni të ndryshoni botën. “Gjithçka duhet nisur nga vetvetja! Respekti, vlerësimi, thjeshtësia. Kur ti zotërosh këto cilësi, fillo të mendosh për dikë tjetër” është thënia që më pëlqen mua e dua ta ndajë me ju, dhe lidhet ngushtë me pyetjen. 

Si duhet të veprojë një i ri i pa-punë?
D.Zalli:  Ndërkohë që është pa punë, mëson edhe një aftësi tjetër. Në qoftë se je inxhinier dhe je pa punë, mëso edhe aftësi tjera qoftë ato edhe të jenë jashtë drejtimit tuaj. Këto do të ndihmojnë të gjeni punë më të mirë. E vetmja gjë që nuk duhet ta bëni është që mos rrini duarkryq dhe të prisni të ju vij mundësia te dera. Trokisni në shumë dyer dhe një mundësi do të hapet për ju.

Cili është filmi dhe libri juaj i preferuar?
D.Zalli: Një nga të shumtët që i preferoj është filmi shqiptar “Zemër Nëne”. Ndërsa libri është “Un sac de bille” nga Joseph Joffo.

Kjo intervistë është bërë nga Vizione.info dhe Portalb.mk i ka të gjitha të drejtat e publikimit të intervistës, sipas marrëveshje së arritur mes palëve. Për më shumë intervista, ndjekni VIZIONE në rrjetet sociale.

Lajme të ngjashme

Back to top button