Kosovë: Migrimi ilegal, dëmton proceset integruese

Migrimi ilegal i kosovarëve drejt shteteve të Bashkimit Evropian (BE), do të paraqes pengesë në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli thotë se rritja e numrit të personave që migrojnë ilegalisht, ka sjellë dëme serioze në procesin e liberalizimit të vizave.
Ai për Epoka e Re ka thënë se kosovarët duhet të kenë parasysh se pasojat e migrimit ilegal, do t’i vuaj e gjithë shoqëria.
“Mendoj se kjo rritje e këtij trendi, e cila shpresoj se nuk do të vazhdojë, ka rezultuar me një dëmtim serioz të procesit të liberalizimit të vizave, duke pasur parasysh se ndalimi i migrimit ilegal është një nga parakushtet për të avancuar këtë proces”.

“Qytetarët e Kosovës do të jenë të vetëdijshëm se çdo shkelje në kuptim të migrimit ilegal do të penalizohet jo vetëm individualisht, por do të penalizohet edhe shoqëria kosovare”.
Ndërkaq, njohësi i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi mendon se Kosova nuk ka bërë asgjë për të ndaluar migrimin ilegal.

Ai ka thënë se shteti duhet të fokusohet që të gjenerojë më shumë vende pune.
“Një ndër indikatorët kyç nga kushtet e BE-së është edhe numri i azilkërkuesve. Kosova e ka këtë problem dhe nuk bëri asgjë, përpos disa fushatave nëpër media, të adresojë këtë problematikë. Pra, të investojë në gjenerimin e vendeve të punës dhe krijimit të kushteve më të mira të jetesës dhe biznesbërjes”, ka thënë Muharremi./Epoka e re

Lajme të ngjashme

Back to top button