Raporti i KE-së për Maqedoninë përgënjeshtron Fatmir Besimin

Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, i cili qëndron për vizitë punë në Republikën e Francës tha se Maqedonia me reformat e deritanishme të zbatuara, është e gatshme për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Maqedonia me reformat e deritanishme të zbatuara, veç më është e gatshme për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, prandaj mbështetja e Francës në Samitin e dhjetorit të Këshillit të Evropës, do të ishte e mirëseardhur duke pas parasysh se Franca është një nga vendet anëtare të BE-së e cila e mbështet integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Përmes integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimit të ndërsjellë dhe gjetjes së zgjidhjeve për çështjet e hapura, do të kontribuohet në përforcimin e stabilitetit në rajon “potencoi Besimi pas takimit me Ministrin për Çështje Evropiane të Republikës së Francës, Harlem Dezir, transmeton Portalb.

Raporti i KE-së për përparimin e Maqedonisë përgënjeshtron Besimin

Ekspertët si dhe vet ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni, disa herë e cekin faktin se nuk mjafton vetëm të zgjidhet çështja e emrit të Maqedonisë që ajo ti fillojë negociatat me Brukselin.

“Kur flasim për shtetin tuaj duket se çështja e emrit është pengesa e vetme  por ndoshta ishte kështu disa vite më parë por sot jo. Ka shumë çështje mbi tavolinë për momentin. Çështja e emrit, diçka po duket se lëviz me Bullgarinë por kritika ka pasur në raportin e progresit të Bashkësisë Evropiane për lirinë e mediave gjyqësorin dhe patjetër duhet një luftë më e rreptë kundër korrupsionit”, tha Aivo Orav, ambasador i BE-së në Maqedoni. 

Dëshmi për mos-përmbushjen e reformave, sidomos gjatë viteve të fundit ku vërehet edhe regres në disa fusha, është edhe Raporti më i ri i Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë në të cilën thuhet se procesi i anëtarësimit të Maqedonisë është në rrugë-qore dhe se Këshilli i BE-së ende nuk i ka hapur negociatat për anëtarësim, transmeton Portalb.

“Komisioni kërkoi nga qeveria që të ndërmerr aksion vendimtar që të zgjidhet problemi i politizimit i cili shkon në rritje dhe mangësitë në gjyqësor dhe lirinë e shprehjes në mënyrë që do të lejojë që rekomandimi të bëhet i qëndrueshëm edhe në vitet e ardhshme”, thuhet në dokument.

“Besimi në institucionet shtetërore po zbehet. Janë rritur shqetësimet rreth drejtësisë selektive. Gjendja e lirisë së medias vazhdon të përkeqësohet.”

„KE shpreh shqetësimin serioz për shkak se gjatë vitit të kaluar është rritur politizimi në institucionet shtetërore, kontrolli i qeverisë ndaj mediave dhe zgjedhjeve. Kriza politike ndërmjet qeverisë dhe opozitës tregoi se interesat partiake janë më të rëndësishme se interesi kombëtar. Kjo është përgjegjësi edhe e Qeverisë edhe e opozitës të cilët duhet të sigurojnë që debati politik të zhvillohet në Kuvend dhe të ndihmojnë në krijimin e kushteve për funksionimin e mirë të saj”, thuhet në raport.

Brukseli gjithashtu shton se “Qeveria duhet ti sigurojë opozitës mundësi që në përgjithësi ta plotësojë funksionin e saj demokratik. Ndërsa opozita duhet që në mënyrë konstruktive të futet në procesin demokratik”. KE nuk është e kënaqur me mënyrën me të cilën po zhvillohen marrëdhëniet ndëretnike në vend. “Në lidhje me marrëdhëniet ndëretnike, mungesa e besimit midis bashkësive po mbizotëron. Nevojitet shqyrtimi i Marrëveshjes së Ohrit që të kompletohet i njëjti dhe rekomandimet e tij të zbatohen”, theksohet në raportin e KE-së. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button