Nazisti më i kërkuar në botë ka vdekur

Hetuesi që ndjek kriminelët e mbijetuar të Luftës së Dytë Botërore ka deklaruar se Alois Brunner, një nga nazistët gjermanë më të kërkuar në botë për krimet e tij, ka 99 për qind gjasa që të ketë vdekur 4 vite më parë në Siri.

“Ne nuk mund ta provojmë këtë në rrugë shkencore, por jemi të sigurt se ka ndodhur kështu”, ka deklaruar Efraim Zuroff, i njohur ndryshe si gjahtari i nazistëve.

Ish-kapiteni i SS-ve, Brunner, që tani do të ishte 102 vjeç, akuzohet për dërgimin e mbi 128 mijë hebrenjve në kampet e vdekjes gjatë Luftës II Botërore. Për vite të tëra ka pasur pasiguri nëse ai kishte vdekur apo jo.

Doktor Zuroff, drejtor i Qendrës Simon Wiesenthal në Jeruzalem, ka deklaruar për BBC se informacioni i fundit mbi vdekjen e Brunner dhe varrimin e tij në Damask ka ardhur nga një burim i besueshëm, që është një ish-agjent i shërbimeve sekrete gjermane që ka shërbyer në Lindjen e Mesme.

Ai ka thënë se provat e reja tregojnë se Brunner është varrosur në një lokalitet të panjohur në Damask rreth vitit 2010 dhe se deri atëherë ai nuk ishte penduar për krimet e tij.

Në muajin prill, emri i Brunner u hoq nga lista e personave më të kërkuar nga Qendra Simon Wiesenthal, lëvizje kjo që tregon se ai konsiderohet i vdekur.

Doktor Zuroff, që është gjithashtu një historian i Holokaustit, ka shtuar se informacioni i fundit ofronte prova më konkrete për të mbështetur këtë konkluzion.

“Brunner luajti një rol kyç në përmbushjen e “Zgjidhjes së Fundit”, plani i Hitlerit për të vrarë hebrenjtë. Ai ishte një monstër”, ka thënë Zuroff.

Sipas tij, oficeri nazist dërgoi 47 mijë hebrenj në kampet e vdekjes në Austri, 44 mijë në Greqi, 23.500 në Francë dhe 14 mijë në Sllovaki, ku ata u ekzekutuan.

Në vitin 1950 thuhet se ai u arratis në Siri, ku dhe u bë këshilltar i presidentit Hafez al Assad dhe ku mësoi qeverinë e tij se si të kryente tortura. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button