Nesër apeli vendos për Serbi – Shqipëri

Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata e Futbollit të Serbisë po qëndrojnë në heshtje para mbledhjes së Komisionit të Apelit të UEFA-s, që mbahet nesër, më 2 dhjetor. Komisioni i Apelit pritet të vendosë për ankesat e FSHF-së dhe FSS-së lidhur me vendimet e marra nga Komisioni për Kontrollin, Etikën dhe Disiplinën për ndeshjen e ndërprerë mes Serbisë e Shqipërisë.
Ndeshja nisi më 14 tetor në Beograd dhe u ndërpre në fund të pjesës së parë, pasi tifozët serbë sulmuan lojtarët e Shqipërisë në fushë.

UEFA, më 24 tetor, vendosi që ndeshja të regjistrohej me rezultat zyrtar 3-0 në favor të Serbisë, ndërsa FSHF-ja u dënua edhe me 100 mijë euro. Serbisë iu hoqën tri pikë nga ky cikël eliminator, u dënua që dy ndeshje t’i luajë pa shikues dhe po ashtu u gjobit me 100 mijë euro. UEFA ka vlerësuar se Shqipëria refuzoi të kthehet në fushën e lojës dhe për këtë ka regjistruar ndeshjen me rezultatin zyrtar në të mirë të Serbisë.

Me vendimin e 24 tetorit kanë mbetur të pakënaqura të dyja palët që kanë paraqitur ankesa dhe që do të shqyrtohen nga Komisioni i Apelit, të martën (nesër). FSHF-ja më herët ka njoftuar se do të kërkojë ndryshimin e vendimit të parë dhe se do të përfaqësohet nga tri studio ligjore në mbledhjen e Komisionit të Apelit të UEFA-s. Pritet që FSHF-ja të kërkojë regjistrimin e ndeshjes me rezultat zyrtar në të mirë të Shqipërisë. FSHF-ja ka thënë më herët se çështjen do ta çojë edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, nëse nuk mbetet e kënaqur nga vendimi i Komisionit të Apelit.

Lajme të ngjashme

Back to top button