Sërish probleme me të akuzuarit për rastin ‘Monstra’

Tre të akuzuarit për rastin “Monstra” ende nuk janë transferuar në burgun e Idrizovës edhe pse kërkesa e tyre u miratua gjatë javës që lamë pas. Avokati mbrojtës, Naser Raufi bën të ditur për Portalb, se dokumentacioni është në rregull dhe se gjatë ditëve në vijim pritet të bëhet transferimi.

“Jemi në kontakt me burgun e Manastirit dhe Prilepit nga duhet të transferohen tre të akuzuarit për rastin ‘Monstra’ dhe gjatë kësaj jave ata do të vinë në burgun e Idrizovës në Shkup, ku do të jenë më afër familjarëve të tyre”, tha për Portalb, Naseri.

Familjari i Fejzi dhe Haki Azirit, Bedri Ajdari thotë për Portalb, se edhe transferimi po zvarritet nga gjykata dhe burgjet.

“Deri më tani është dashur të bëhet transferim, por na thonë që dokumentet na kanë dërguar vetëm në gjuhën shqipe dhe jo edhe në atë maqedonase dhe nuk pranojnë dokumente me faks por të dërgohen me postë. Shpresojmë që kjo punë mos të zvarritet dhe sa më shpejtë të na i sjellin familjarët këtu, që të kemi mundësi të jemi më afër me ata dhe të jenë në kushte më të mira sesa në burgjet ku ishin deri më tani”, tha për Portalb, Ajdari.

Nga ana tjetër prindi i të vrarit Aleksandar Nakevski, Goran Nakevski bën të ditur për Meta se të akuzuarit kanë kërkuar transferimin në burgun e Idrizovës që të komunikojnë me ata të cilët kanë porositur vrasjen.

“Ajo që kërkohet transferimi nga Manastiri dhe Prilepi në burgun e Idrizovës, do të thotë vetëm një, të arrijnë në telefonat celularë që të komunikojnë me ata që porositën vrasjen. Kjo është e qartë për të gjithë. Duan të komunikojnë me të njëjtit ata që janë në padi si persona me identitet të pazbuluar ku ka, sa e di unë edhe pesë numra të fshehur të telefonit. Për këtë shkojnë në Idrizovë, e cila quhet tani ‘hotel promaja’. Në Manastir dhe Prilep është ndryshe atje nuk kanë mundur. Ndërkaq për personat e panjohur si dhe për numrat, Ali Ahmeti di gjithçka”, tha Nakevski

Ndërkaq javën që lamë pas u miratua kërkesa e avokatit mbrojtës për transferimin nga burgu i Manastirit dhe Prilepit në atë të Idrizovës, të Agim Ismailoviq, Fejzi dhe Haki Aziri, të akuzuar për rastin ‘Monstra’. /Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button