Dimushevska: Në Kavadar dhe Zletovë institucionet lanë të lirë persona të rrezikshëm

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale nuk pranon takime me organizatat joqeveritare, prandaj protestat tona do të vazhdojnë në çdo 25 të muajit, paralajmëron në intervistën për Inbox 7 Elena Dimushevska, drejtoresha ekzekutive e Rrjetit Kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e cila bashkon 27 organizata joqeveritare.

Dimushevska thekson se në dy rastet e fundit në Kavadar dhe Zletovë, ku personat e denoncuar për dhunë në familje kanë vrarë gjashtë veta, kanë dështuar qendrat për punë sociale dhe policia.

“Në rastin në Kavadar kishte kërcënime për jetë dhe askush nga institucionet nuk kanë kushtuar vëmendje. Për t’u parandaluar situatat e këtilla tragjike është e nevojshme që institucionet të bëjnë një vlerësim të rrezikut nga përdorimi i këtyre armëve“, thotë ajo.

Për propozimin e ri të qeverisë për marrjen e armëve nga personat që i posedojnë ato në mënyrë zyrtare, Dimushevska është me rekomandim – duhet të zgjerohet edhe për persona të tjerë që kanë leje për posedim të armëve.

Dy nga katër qendrat strehimore nuk punojnë fare, shpjegon Dimushevska pas vëzhgimit të tyre në terren. Ajo alarmon se deri tani nuk ka asnjë shembull pozitiv të viktimës së dhunës në familje, e cila pas strehimit disa mujor në një qendër strehimore ka filluar një jetë të pavarur, sepse punësimet shpeshherë janë të përkohshme dhe me të ardhura minimale, masat aktive të punësimit për gratë viktima të dhunës nuk kanë qenë të suksesshme.

“Shërbimet janë më të rëndësishme, ne mund të punojnë në parandalimin, por është e nevojshme të punohet edhe me fëmijët, sepse për ta mbeten dy opsione, nëse do të shndërrohen në dhunues apo viktima, prandaj ministria duhet të sigurojë financa për të hapur qendra strehimore“, thekson drejtoresha ekzekutive e Rrjetit Kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Numri i denoncimeve është rritur si rezultat i fushatave që kanë kontribuar për denoncimin e dhunës në familje.

“Kur i kemi ndërgjegjësuar gratë, tani duhet të jemi të gatshëm për t’i ndihmuar ato, thotë Dimushevska.

Organizatat joqeveritare janë të pakënaqura me ligjin e ri kundër dhunës në familje, i cili do të hyjë në fuqi më 1 janar 2015, sepse ai nuk përmban asnjëfarë aplikacionesh financiare. Një tjetër vërejtje janë gjobat e larta nga 2500-5000 euro, të cilat, sipas Dimushevskës, do të thotë, nga njëra anë, një barrë shtesë për buxhetin e familjeve ku ndodh dhuna, kurse nga ana tjetër, se të pasurit do t’i paguajnë gjobat e tyre dhe do të vazhdojnë me abuzime dhe maltretime.

Ajo kritikon edhe dispozitën ligjore për dëbimin e dhunuesit nga shtëpia:

“Nuk mund ta dëboni nga shtëpia pa siguruar se ku do ta vendosni atë, ai do të kthehet dhe do të  vrasë“, paralajmëron Dimushevska.

Lajme të ngjashme

Back to top button