Analizë: Varfëria gjithnjë e më e madhe në familjet me shumë fëmijë!

Familjet me tre ose më tepër fëmijë gjithnjë e më shumë po varfërohen. Në krahasim me vitin 2012 përqindja e varfërisë në ato familje është rritur dukshëm për një periudhë prej dy vitesh. Thellohet varfëria edhe në familjet me një prind dhe një fëmijë. Matja më e re statistikore “Indikatori Laeken për varfërinë” tregoi se në vitin 2012 varfëria në nivel të shtetit ka qenë 26,2%, dhe në krahasim me vitin 2011, është zvogëluar për 0,6%. Mirëpo, në të njëjtën kohë, Enti statistikor e zvogëloi përqindjen e varfërisë për vitin 2011, me arsyetimin se të dhënat janë përditësuar. Cilat familje jetojnë në varfëri më të thellë, si sqarohet gjendja në të ciën rritet niveli i punësimit, ndërsa varfëria pothuajse është betonuar? 

Në varfëri jetojnë 540.000 njerëz…

Në Maqedoni ka 540 mijë njerëz që jetojnë në prag të varfërisë. Në qoftë se merret parasysh definicioni Bankës Botërore për varfërinë, kjo do të thotë se çdo qytetar i katërt jeton me dy dollarë në ditë. Sipas të dhënave të Entit për statistikë, përqindja e varfërisë në vitin 2012 ka qenë 26,2% dhe në krahasim me vitin 2011 ajo është zvogëluar për 0,6%.

“Ky është zvogëlim shumë i vogël, dallim i vogël në krahasim me gjendjen në vitin 2011. Praktikisht, në dhjetë vitet e fundit edhe nuk kemi ndonjë lëvizje të konsiderueshme kur flasim për varfërinë. Deri në vitin 2002, përqindja rrotullohej nën 20%, mirëpo pastaj u rrit, dhe rrotullohet rreth 30%, dhe çdo zvogëlim i këtillë minimal nuk ndikon aspak, gjegjësisht nuk tregon se ka ndonjë ndryshim të madh të gjendjes.” – thotë për “Portalb”-in profesori universitar, Ilija Acevski.

Ajo që sipas sociologëve brengos është informata se varfëria thellohet te personat që kanë të ardhura, gjegjësisht te ata që punojnë. Kështu, të dhënat tregojnë se përqindja e varfërisë te të punësuarit në vitin 2012 ka qenë 11,1% dhe është rritur në krahasim me vitin 2011, kur ajo ka qenë 10,2%. Në të njëjtën kohë, statistika ka matur se varfëria rritet si te ata që kanë orar të plotë ashtu edhe te ata që kanë orar të shkurtuar të punës. Për dallim nga të punësuarit, varfëria te të papunësuarit zvogëlohet, para së gjithash si rezultat i kompensimeve shtetërore. Në vitin 2012 përqindja e varfërisë te të papunësuarit ka qenë 46,5%, ndërsa në vitin 2011 ajo ka qenë 48,7%.

“Fakti që përqindja e varfërisë rritet te të punësuarit është gjendje që ka sqarim të thjeshtë dhe logjik. Në fakt, ajo tregon se kryesisht të punësuarit, që në numër më të madh janë në veprimtaritë me pagesa të ulëta, marrin rroga të ulëta. Kjo do të thotë se ata fitojnë, mirëpo me paratë nuk mund të sigurojnë jetë normale. Nga ana tjetër, përqindja e varfërisë zvogëlohet te ata që nuk punojnë e që janë shfrytëzues të beneficioneve shtetërore. Kjo do të thotë se vija ndërmjet të punësuarve të varfër dhe të papunësuarve afrohet. Ajo që alarmon është se një pjesë e madhe e popullatës gjendet në zonën e të punësuarve e që janë të varfër. Poashtu, edhe nëse punojnë e nuk marrin rrogë, ata automatikisht hyjnë në këtë zonë.” – thotë për Portalb, profesori Acevski.

Sipas sociologëve edhe një tregues nga matja e re statistikore tregon se ka përkeqësim të gjendjes, veçanërisht te “klasa e mesme”. Kështu, treguesit flasin se ka rritje të varfërisë te familjet katëranëtarëshe, me dy fëmijë më të vegjël se 14 vjet. Nën pragun e varfërisë jetojnë mbi 141 mijë njerëz nga familjet e këtilla dhe për një vit numri i këtyre njerëzve është rritur për 11.600.

“Te familjet katëranëtarëshe, të cilat konsiderohet se janë më të shumta, kryesisht ka nga një të punësuar, edhe atë me rrogë të ulët. Këto familje, veçanërisht ato me fëmijë të moshës ndërmjet 10 dhe 17 vjet, kanë edhe harxhime më të mëdha për shkak të nevojave më të mëdha të fëmijëve, për mirëmbajtjen dhe arsimin e tyre. Kjo është kategoria më e brishtë e qytetarëve.” – sqaron sociologu Acevski.

Statistika tregon se përqindje më të lartë të varfërisë ka te familjet me tre ose më shumë fëmijë, ku është matur varfëri prej 53,9% dhe në krahasim me vitin 2011, ka rritje të konsiderueshme, kur përqindja ka qenë 49,6%, ndërsa në vitin 2010, 44,0%. Varfëria thellohet edhe te familjet me dy fëmijë, me përqindje prej 24,3%, e pastaj vijnë familjet me një prind dhe një fëmijë, me përqindje të varfërisë prej 30,8%.

Varfëria thellohet edhe te pensionistët, kështu që në vitin 2012 përqindja e varfërisë te kjo kategori e njerëzve ka qenë 14,1%, për dallim nga viti 2011, kur ajo ka qenë 13,0%.

Përderisa nga njëra anë përqindja e varfërisë zvogëlohet ngadalë, nga ana tjetër të dhënat e institucioneve kompetente tregojnë rritje të përqindjes së punësimit.

“Është e vërtetë se rritet numri dhe vlera e investimeve të huaja dhe se ato hapin vende të reja pune, mirëpo duhet thënë se ata janë punëtorë me rroga të ulëta prej 200 deri në 250 euro, rroga që nuk mund të sigurojnë jetë normale, jashtë kufirit të varfërisë. Nga ana tjetër, për këto vende pune, në Evropë punëtorët paguhen prej dhjetë deri në pesëmbëdhjetë herë më shumë.” – thotë profesori Portalb, Acevski.   

Sipas dokumentit “Qëllimet e zhvillimit të mijëvjeçarit”, kushtuar Maqedonisë për vitin 2015, varfëria në Maqedoni duhet të zvogëlohet në vetëm 9,5%, përqindje kjo e cila sipas sociologëve nuk është e arritshme e as e realizueshme.

Sipas njërit nga raportet e Bankës Botërore, numri i njerëzve në Maqedoni që jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë (që është parametër për definimin e varfërisë) në vitin 2012 është rritur në 140.000, me ç’rast shënohet rritje e atyre që nuk mund t’i plotësojnë nevojat themelore jetësore. Sipas analizës, vetëm 5 për qind e qytetarëve disponojnë me 49% të të ardhurave të vendit.

Në prill të këtij viti, Instituti “Kejto” nga Uashingtoni e rangoi Maqedoninë në vendin e 11 nga gjithsej 90 vende të analizuara sipas nivelit të varfërisë. Me indeksin 35,7%, vendi numërohet në mesin e shteteve që janë më të varfëra, ndërsa si shkak kryesor përmendet papunësia./Portalb

Comments are closed.

VERZIONI DESKTOP