Shkollat e mesme profesionale rrezikojnë të shuhen për mungesë të nxënësve

Paralelet shqipe në shkollat e mesme profesionale dhe të zanatit rrezikojnë shuarjen, për shkak të mungesës së nxënësve. Gjashtë  paralele në gjuhën shqipe në shkollën profesionale “8 shtatori” dhe 19 në shkollën “Boro Petrushevski” numërojnë mesatarisht nga 20 nxënës në klasë, që është larg numrit të rezervuar për nxënësit shqiptarë. Ndihmës drejtorët në shkollat respektive, Vullnet Iseni nga “8 shtatori” dhe Zekirja Zekiri nga “Boro Petrushevski”, thonë se interesi i nxënësve përqendrohet në shkollën ekonomike dhe gjimnaze, edhe pse nevojat e tregut të punës janë krejtësisht të ndryshme, transmeton Alsat.

“Numri i nxënësve në këtë shkollë, siç e dini edhe vetë, për t’u formuar një paralele minimumi është 24 nxënës, ndërsa maksimumi 34. Te ne kemi një vështirësi, vite me radhë se nuk mund ta plotësojmë as numrin minimal. Sillet numri mesatar diku 20. Jo vetëm shkolla jonë, por edhe disa shkolla të tjera profesionale, interesi është shumë i vogël. Kryesisht ka interes për gjimnazin, ekonominë. Megjithëse drejtimet këtu janë mjaft interesante, bëhet parapërgatitje për inxhinier të makinerisë”, deklaroi Vullnet Iseni, ndihmës drejtor i shkollës “8 shtatori”.

“Ne nuk kemi probleme sikur tek shkolla e ekonomisë, mjekësisë dhe të tjera. Aty interesi i nxënësve është më i madh. Te ne interesi nuk është i volitshëm aq sa duhet, por është mesatar interesi. Kemi klasa që kanë 29 nxënës, por kemi klasa që kanë edhe 20 nxënës. Tek paralelet në gjuhën maqedonase interesi është pak më i ulët, edhe atje ka paralele me nën 20 nxënës, por ekzistojnë”, tha Zekirja Zekiri, ndihmës drejtor në shkollën “Boro Petrushevski”.

Gjatë vitit shkollor 2013/14, 316 nxënës shqiptarë të shkollës “Cvetan Dimov” e ndoqën mësimin në gjuhën maqedonase, duke mbajtur aktive madje 11 paralele maqedonase. Në “Arseni Jovkov”, mësimin në gjuhën maqedonase e kanë ndjekur 118 nxënës shqiptarë.

Lajme të ngjashme

Back to top button