Abdilaqim Ademi harroi shkollën e Lubetenit

Ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASH), Abdilaqim Ademi ende nuk e ka vizituar shkollën fillore “Liman Kaba” në Lubeten, edhe pse drejtori i kësaj shkollë, Xhezmi Abdyrrahmani  që nga muaji gusht e ka njoftuar ministrin lidhur me kushtet e mjerueshme në të cilat ndodhet kjo shkollë.

Si vite më parë edhe këtë vit nxënësit e kësaj shkolle filluan mësimin në kushte minimale, pasi që hapësirat e këtij objekti shkollor nuk janë të mjaftueshme për 500 nxënës dhe kështu disa prej tyre mësojnë edhe në podrum.

“Deri para disa muajve tualetin e kishim në oborr te shkollës, të cilin na e mbylli Inspektorati shëndetësor, dhe kërkuam nga komuna zgjidhje. Tani i rregulluan brenda por hapësira për nxënësit ngelet shumë e vogël.Është shkollë e vjetër, është ndërtuar disa herë, është shndërruar në një objekt shkollor me pesë hyrje sepse është ndërtuar nga nj klasë nga një klasë”, tha për Portalb, Abdyrrahmani.

Shkolla fillore "Liman Kaba"
Shkolla fillore “Liman Kaba”

Ai shtoi se projektin e kanë bërë gati dhe disa herë e kanë dërguar në Komunën e Butelit dhe në MASH, po përgjigje nuk kanë marrë ende.

“Ka disa vite që jemi duke dërguar në komunë planin për zmadhimin e objektit, por asgjë nuk ndermirët, gjithashtu jemi ankuar edhe në Ministrin e Arsimit dhe Shkencës por ende asnjë përgjigje nuk kemi marrë”, tha Abdyrramani.

Shqetësim shprehën edhe banorët e këtij fshati, duke thënë se dimri po afrohet dhe brengosen për fëmijët e tyre të cilët mësojnë në ato kushte.

“Fëmijët tanë pothuajse tërë ditën e kalojnë në shkollë, tani do të bëhet ftohtë si do të kenë kushtet nuk e di. Sa mund të ngrohet një hapësirë që është pothuajse me zgavra në tërë anët nuk e di.  Pastaj problem tjetër përveç vjetërsisë së objektit është edhe mungesa e hapësirës dhe stërrngarkimi i paraleleve që është prezent në këtë shkollë, sepse padyshim që kjo ndikon keq edhe në mësimdhënie”, tha R.Sh. prind.

Banorët e fshatit si dhe vetë drejtori i kësaj shkolle, bëjnë të ditur se nxënësit mësojnë në kushte të mjerueshme, ku katër paralele ndjekin mësimin në podrum.

Shkolla fillore "Liman Kaba"
Shkolla fillore “Liman Kaba”

Edhe pse MASH ka një projekt për sanimin dhe rindërtimin e shkollave fillore dhe të mesme, shkolla “Liman Kaba” e cila ka rreth 500 nxënës dhe bie nën komunën e Butelit, nuk është askund në atë listë.

Ndërkaq në kuadër të këtij projekti MASH ka ndarë mjete për sanimin dhe rindërtimin e shkollave fillore “Aco Shopov”, “Goce Dellçev”, “Kliment Ohridski”, “Panajot Ginovski” dhe “Petar Zdravkovski-Penko” në komunën e Butelit.

Kurse nga komuna e Butelit bëjnë me dije se momentalisht nuk kanë fonde për ndërtimin apo rindërtim të ndonjë shkolle.

“Faza për ndërtimin e objekteve shkollore në këtë fshat është në fazën e detajizimit urban dhe së shpejti pritet të përfundojë, mirëpo ne këtë vit kemi ndërtuar shkollën ‘Zhivko Brajkovski ‘ në lagjen e Butelit dhe komuna fatkeqësisht nuk ka kapacitet që të ndërtojë dy objekte shkollore në të njëjtën kohë”, tha, Snezhana Klinçarova, zëdhënëse e komunës së Butelit.

Shkolla fillore "Liman Kaba"
Shkolla fillore “Liman Kaba”

Lajme të ngjashme

Back to top button