Ukrainë, Yatseniuk konfirmohet kryeministër

Parlamenti ukrainas ka miratuar Arseny Yatseniuk për një tjetër mandat si kryeministër të vendit, gjatë së enjtes, në një ceremoni e cila doli kundër raportimeve për përçarje në nivelet e larta, por edhe si një mesazh ndaj Rusisë për mbështetjen e kësaj të fundit ndaj separatistëve në lindje të vendit.

Krenari dhe emocione karakterizuan çeljen e punimeve të Parlamentit të parë të Ukrainës, që prej rrëzimit në muajin shkurt të Presidentit prorus, Viktor Yanukovich, teksa pasardhësi i tij, Petro Poroshenko, dha një fjalim, ku theksoi se nuk mund të ketë asnjë formulë zgjidhjeje për të ardhmen e Ukrainës, në vend të asaj për një shtet të vetëm dhe të bashkuar.

Më shumë se 2/3-at e deputetëve në Parlamentin prej 450 vendesh votuan për Yatseniuk, për të qëndruar si kreu i qeverisë, një post të cilin ai e mban që prej rrëzimit të Yanukovich nga protestat e sheshit “Maidan”, gjë që detyroi më pas Rusinë të aneksonte rajonin e Krimesë nga Ukraina, por edhe të mbështeste rebelët prorusë në lindje të vendit.

Në një xhest, i cili synonte të shmangte përshtypjet e një rivaliteti dëmtues mes tij dhe Poroshenkos, gjë që ka alarmuar edhe qeveritë e Perëndimit, Yatseniuk drejtoi dorën nga Presidenti dhe deklaroi mes brohorimave: “Ky është krahu im i djathtë, për sipërmarrjen e të gjitha gjërave që janë thënë nga kjo foltore. Kjo është një përgjegjësi e përbashkët”, shtoi më pas ai, përpara se ta përqafonte me ngrohtësi Presidentin.

Shfaqja e unitetit është bërë nga njëra anë për sytë e Rusisë, e cila ka mbështetur separatistët rusishtfolës në “zemrën industriale” të Ukrainës, konkretisht në rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut, ku nga konflikti i gjatë kanë mbetur rreth 4300 viktima.

Partitë politike që favorizojnë lidhje të ngushta me Bashkimin Europian siguruan një fitore bindëse në zgjedhjet e 26 tetorit, duke i dhënë Poroshenkos një mandat për t’i dhënë fund konfliktit në lindje, por edhe për ta shkëputur përgjithmonë ish-republikën sovjetike nga orbita e Rusisë, e për ta futur në orbitën e Europës. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button