VENDIME TË NJËANSHME, TRAGJEDI TË PASHMANGSHME

Mahnitëse, e thellë, e përgjithmonshme, është letërsia antike greke. Të plotësuar e të pasur janë lexuesit e kryeveprave të kësaj periudhe. Skajshmërisht njerëzor janë përthithësit e mesazheve të veprave gjeniale, kur kontribuojnë që e ndodhura në skenë të mos ndodh në jetën tonë. Falë kësaj letërsie, të vjetër si moshë dhe të re si porosi, zgjidhim dilema të shfaqura në kohë të ndryshme. Nëse duam të dimë se çfarë tragjedish shkaktojnë ligjet e këqija shtetërore, atëherë mund t’i referohemi tragjedisë “Antigona” të Sofokliut. Nga kjo vepër kuptojmë se kur ligjet shtetërore ndeshen me ato morale, tradicionale, atëherë ndodh tragjedia.

Përqasja e asaj që ndodh në këtë vepër me atë që ndodh në realitetin tonë krijon rrezikun e keqpërdorimit të një vepre gjeniale të letërsisë për qëllime jashtëletrare. Duke dashur të japim mesazhin se ligjet shtetërore këtu, në këtë vend, duke i cenuar të drejtat e qytetare e kombëtare mund të çojnë në tragjedi, ne mbase i bëjmë lexim të keq veprës letrare, ngase fokusohemi vetëm te një shtresë kuptimore, duke anashkaluar shtresat tjera kuptimore të veprës letrare. Leximet e këqija e dëmtojnë letërsinë. Është keqpërdorur “Don Kishoti” i Servantesit. Janë keqpërdorur veprat e Niçes. Janë keqpërdorur edhe vepra të letërsisë sonë kombëtare, për qëllime jashtëletrare…

Le të ndalemi pra te “Antigona”, gjegjësisht te mospërputhja e ligjeve të shtetit me ato tradicionale, që çojnë në katastrofë.

Ne e dimë se Sofokliu e trajtoi temën e tiranisë, ngase ishte kundërshtar i saj. Studiuesit na thonë se për Sofokliun mbrojtja e dinjitetit njerëzor mundësohej në kushte demokracie. E kështu pafund. Ne e kemi të njohur subjektin e veprës. Antigona rebelohet kundër urdhrit të Kreontit. E varros të vëllanë Polinikun. Rebelja dënohet me vdekje, sepse tirani nuk heq dorë nga vendimi i tij. Hemoni, i fejuari i Antigonës dhe i biri i Kreontit, i thotë të atit se “shteti nuk është vetëm një njeri”. Kreonti ngulmon në mbrojtjen e së drejtës shtetërore, përkundër paralajmërimeve të Tiresias se kokëfortësia do të shkaktonte fatkeqësi. Tirani tërhiqet nga vendimi, por është tepër vonë. Tragjedia veçse kishte ndodhur.

Përse ndodhi tragjedia? Sepse nuk ishin ekuilibruar ligjet e shtetit me kodet tradicionale, pra normat juridike me normat morale.

Kreonti besonte që “tradhtari” duhej të mbetej i pavarrosur, kurse Antigona besonte se varrimi i të vdekurit ishte detyrë e shenjtë morale. Pra konflikti lindi si pasojë e çekuilibrimit ndërmjet ligjeve të shkruara shtetërore (të Kreontit) dhe atyre të pashkruara, të trashëguara nga morali tradicional fetar (që për Antigonën ishin më të rëndësishme se sa urdhri i Kreontit).

Kush pati të drejtë? Filozofë të ndryshëm, me mendime të ndryshme. Për Hegelin e drejta e familjes dhe shtetit janë njësoj të ligjshme. Tragjedia ndodhi për shkakun e qëndrimeve të njëanshme të Antigonës dhe Kreontit. Thënë ndryshe: nuk duhet të dominojnë ligjet e shtetit, pa i respektuar ligjet e fisit dhe as e kundërta. Mungesa e ekuilibrit çon në konflikt, në përplasje, në tragjedi.

Mendimtarë të tjerë pohojnë se Antigona pati të drejtë, sepse kreu detyrën familjare: varrosjen e vëllait të vrarë nga i vëllai tjetër, ashtu sikurse ka të tjerë që e quajnë të ngutshëm veprimin e Antigonës.

Filozofi ekzistencialist, Nikolaj Berdjajev, situatën e ndërlidh me veprimet e shtetit totalitar, i cili, sipas tij, dëshiron që të jetë gjithçka: “të jetë vetë kisha, të organizojë shpirtrat e njerëzve, të sundojë me shpirtrat, me vetëdijen e mendimet, pa mos i lënë vend lirisë shpirtërore për sferën e ‘Mbretërisë Hyjnore’” dhe pa gatishmërinë për ta ndarë sovranitetin me askënd tjetër. Konfliktin ndërmjet Antigonës dhe Kreonit ai e konsideron si konflikt ndërmjet moralit personal, njerëzor, që mbron të drejtën e varrosjes së vëllait të saj dhe moralit jopersonal, jonjerëzor të shtetit që e mohon këtë të drejtë. “Morali personal gjithmonë ka qenë i drejtë në krahasim me moralin shtetëror; është moral njerëzor, ekzistencial, përkundrejt moralit jonjerëzor, të objektivizuar”.

Pavarësisht se kujt duam t’i japim të drejtë, ne e dimë vetëm një gjë: se ligjet e shtetit nuk do të funksionojnë dhe do të sjellin tragjedi po nuk u përputhën me moralin tradicional.

Nëse i lexojmë drejt porositë e këtilla, atëherë duhet ta kundërshtojmë tiraninë e krijuesve të ligjeve që bien ndesh me traditat e “tjetrit”, sepse prej këtyre ligjeve pësojnë të gjithë, si ata që i mbrojnë me verbëri, si ata që i kundërshtojnë.

Duke kritikuar veprimet e këtilla, të pranishme në shoqërinë tonë, dhe duke u përpjekur për ekuilibrin për të cilin flitet te vepra e Sofokliut, ne bëhemi heronjtë e paqes, si kohë e mendimit, kundrejt atyre që duan të bëhen heronj duke krijuar tragjedi.

Ne e dimë se tragjeditë sjellin dhimbje, boshllëk, lot. Që të mos kemi dhimbje, trauma, boshllëk, lot e ndarje tronditëse, duhet të mos rrimë asnjanës, që të mos tronditemi nesër. Duhet që të mos lejojmë një njeri të bëhet vetë shteti, sepse do të vdesin antigonat…

Le ta përfundojmë qëllimshëm me një kolos tjetër të periudhës antike, i cili e thotë shkoqur: “Në kohë paqe fëmijët i varrosin prindërit, në kohë lufte prindërit i varrosin fëmijët”. E para është normale, e dyta është tronditëse. Nëse nuk punojmë për kohën e paqes, e keqja do të vijë dhe do na duket se erdhi papritur.

Lajme të ngjashme

Back to top button