Vllasi: Hashim Thaçi të mbetet kryeminister

Njohësi i zhvillimeve politike në vend Azem Vllasi thotë se Kosova tani pas marrëveshjes PDK-LDK ka nevojë të ketë një qeveri kompetente, profesionale dhe me duar të pastra.

Vllasi thotë se Isa Mustafa duhet të kënaqet me postin e kryeparlamentarit, kurse Thaçi të mbetet kryeministër. Ai parasheh edhe mospajtime të thella që mund të qojnë edhe në zgjedhje të reja.

Azem Vllasi thotë se tani Kosova nuk duhet të humb kohë, por duhet të insistojë në formimin sa më të shpejt të institucioneve shtetërore.

Sipas tij dy partitë politike PDK e LDK kanë potencial kadrovik ta bëjnë një qeveri kompetente dhe profesionale për të mbuluar të gjitha lamitë, raporton rajonipress.

Vllasi ka edhe një porosi për dy liderët Thaçi e Mustafa. “Kjo qeveri nuk duhet të ketë emra nga qeveritë e kaluara e që janë përfolur dhe janë në procedura hetimore rreth korrupsionit dhe keqpërdorimeve. Unë mendoj se është nevojë e madhe me u formue një qeveri me emra të pastër” tha Vllasi.

Megjithatë aii shton se edhe pse është arritur marrëveshja PDK- LDK megjithatë po shihet se me këtë marrëveshje ende nuk është kryer puna sepse nuk janë ndarë pozitat. “Thaçi këmbëngul tek pozita e kryeministrit, kurse Isa sa ishte në VLAN insistonte tek kryeparlamentari. Por tashti e kemi një situatë të re. Mendoj se Isa Mustafa duhet të pajtohet me kryeparlamentarin sepse i flenë ajo pozitë, por ai e din se ka pakënaqësi nga elektorati dhe nuk e ka bash lehtë ta pranojë kryeparlamentarin. Ndoshta këto dy poste edhe mund të ndahen në mënyrë “paqësore” ose LDK mund ta prishë marrëveshjen dhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja” shton Vllasi.

Ai thotë se edhe nëse shkojmë në zgjedhje të reja edhe kjo formulë i konvenon Hashim Thaçit, por më racionale do të ishte formula e formimit të Qeverisë sipas marrëveshjes PDK-LDK.

Lajme të ngjashme

Back to top button