Këtu donte të fshihej Xhaxhi, në rast të luftës: Ja bunkeri me pesë kate nën tokë dhe 106 dhoma! (Video)

Pas 36 vjetësh nga inaugurimi në qershor të 1978-ës, u hap këtë të shtunë tuneli kundërbërthamor i komunizmit, por këtë radhë i shndërruar në një qendër historiko-artistike të quajtur “BUNK’ART”.

Hapësirat e parashikuara për mbledhjet e Byrosë Politike nëse Shqipëria sulmohej, dhomat ku mendohej të flinin ish-diktatori i komunizmit Enver Hoxha dhe ish-kryeministri Mehmet Shehu në rast rreziku, janë transformuar në art.

Bunkeri me pesë dyer të blinduara, i emërtuar në vitet e regjimit komunist si “Objekti 0774”, është pesë kate nën tokë dhe ka mbi 106 dhoma, mes tyre ajo e ish-diktatorit të komunizmit Enver Hoxha dhe e kryeministrit të asaj kohe Mehmet Shehu. Në shumë nga këto ambiente janë ekspozuar armatime, uniforma, dokumente, harta të ndryshme dhe detaje të tjera që shërbenin në atë kohë.

Bunkeri, i cili ndodhet në Shish Tufinë, pranë Batalionit Mbështetës të Shtabit të Përgjithshëm, hapet me rastin e 70 vjetorit të çlirimit.

Brenda bunkerit ka disa ambiente interesante për vizitorët, të cilat janë kuruar me kujdes dhe pajisur si në kohën kur u ndërtua objekti. Secili ambient shoqërohet me histori për të orientuar dhe pajisur me informacione të nevojshme vizitorët. Në hyrje, në nivelin e pestë të bunkerit, pas pesë dyerve të blinduara, thuajse në fund të korridorit, gjendet dhoma ku do të qëndronte Enver Hoxha në rast të ndonjë sulmi të mundshëm. Dhoma është pajisur me objekte origjinale të asaj kohe.

Po ashtu në këtë bunker që përmban 106 zyra, gjenden edhe mjaft ambiente të tjera me interes për vizitorët, si dhoma ku do të qëndronte Mehmet Shehu, një sallë ku do të mblidhej Kuvendi i Shqipërisë në rast sulmi bërthamor, dhoma ku ishin vendosur pajisjet që do të pastronin ajrin ne rast të një sulmi me armë kimike, e shumë ambiente te tjera – deri tek një bar-bufe që funksiononte në kohën kur bëheshin stërvitjet ushtarake. Bari është rikthyer në funksion dhe në të do të shërbejë Natasha, e njëjta bariste që shërbente kafetë në periudhat e stërvitjeve ushtarake.

Bunkeri ka nisur të ndërtohet në shtator të vitit 1972. Pjesa strukturore e mureve u përfundua me 1 maj 1975, ndërsa u deshën dhe tri vite të tjera për të plotësuar përfundimin e impianteve dhe të sistemit të ndërlidhjes. Inaugurimi u bë me 25 qershor 1978. Sipërfaqja totale është 2685 metra katrorë, e shpërndarë në pesë nivele dhe përmban 106 zyra dhe një sallë Kuvendi-kinemaje.

Qëllimi i ndërtimit të këtij objekti ka qenë për funksione ushtarake, për të garantuar funksionimin normal të linjës së komandimit – drejtimit politik dhe ushtarak në kohë krize – duke garantuar kushtet për strehimin e gjithë lidershipit politikë dhe ushtarakë të vendit. Kjo është e vetmja strukturë që ka parishikuar një sallë ku do të mund të mblidhej Parlamenti shqiptar në rast lufte.

Ideja lindi pas një vizite që krerët ushtarakë shqiptarë bënë në vitin 1964 në Korenë e Veriut, ku ishte traditë që tunelet të parashikoheshin të përshtatshme edhe për mbledhje të Kuvendit.

Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, direktiva e përgjithshme politike dhe ushtarake u drejtua për fortifikimin e vendit. Objektivi ishte: “Të ndërtohej një sistem i fortifikuar me një qëndrueshmëri maksimale ndaj përdorimit të armëve konvencionale dhe atyre bërthamore; të ishte në gjendje të siguronte në maksimum forcën e gjallë dhe teknikën luftarake nga zjarri i shumëllojshëm armik; të kishte masivitet për të rikuperuar kohën e humbur; të përgatitej me ritëm sa më të shpejtë”.

Në total u projektuan 207 mijë bunkerë në të gjithë Shqipërinë dhe u ndërtuan 168 mijë. Projektuesit e strukturës ishin: Drejtoria e Xhenios, Byroja e Projektimit dhe Grupi i fortifikimeve në vartësi të Institutit të studimit dhe Projektimit të Veprave të Mbrojtjes. /Shqiptarja/

Lajme të ngjashme

Back to top button