Aksion policor në Koliçan të Shkupit, banorët revoltohen në rrugë

Fshati Koliçan i Poshtëm i Komunës së Studeniçanit, mbrëmë ka qenë shënjestër e policisë pyjore dhe më vonë edhe e njësive speciale të policisë të cilat kanë zhvilluar një aksion me qëllim sekuestrimin e druve të prerë në mënyrë të paligjshme. Një banorë i Koliçanit thotë se policia pyjore ka hyrë gabimisht dhe pa fletë-urdhëresë në shtëpinë e Xhelal Llazanit dhe për këtë shkak është shkaktuar rrëmujë.

 ‘Kanë hyrë pa treguar fletë-urdhëresën dhe menjëherë kanë prangosur pronarin e shtëpisë. Nuk i është treguar fletë-urdhëresa pasi ka qenë emri i Llazan Xhelalit, kurse kanë hyrë tek Hamiti, kanë parë atje se ka pasur dru dhe pas disa orëve kishin bërë fletë-urdhëresë tjetër dhe kanë hyrë edhe në këtë shtëpi. Dy gra të kësaj shtëpie gjenden në spital dhe janë në gjendje të rëndë.’

 ‘Pas përfundimit të aksionit, dolën jashtë dhe ma morën letërnjoftimin dhe tani kanë bërë një proces-verbal sikur të kishin ardhur me fletë-urdhëresë tek unë. As unë nuk e di pse kanë ardhur tek unë, më kërkuan dokumente për drutë…’, thonë banorët e fshatit Koliçan, Komuna e Studeniçanit.

Një tjetër banorë i këtij fshati tha se pushteti dhe në veçanti policia duhet të ketë parasysh se Koliçani nuk njihet për krim të organizuar dhe asnjëherë nuk ka pasur probleme me ligjin.

 ‘Çfarë kemi bërë ne, a ka ndjenja ky shtet i yni, a kanë ndjenja se ne si Koliçan nuk kemi të burgosur, e as krisma armësh, as drogë…ne jemi bujq të vërtet. Armë asnjëri nëpër shtëpi nuk kemi, pse të vinin këtu me pushkë automatike, mos kemi vrarë dike ne…turp, frikësuan gratë, fëmijët. Ky është turp për Gruevskin tonë që i dhamë mbi 250 vota nga ky fshat.’

Gjatë kohës së aksionit policor në fshatin Koliçan, tre gra në mesin e të cilëve edhe një shtatzënë janë transportuar në spital si pasoj e shqetësimeve që kanë përjetuar. Banorët diku 600 në numër, të cilët kishin dalë fillimisht në rrugë, pas lejimit të policisë pyjore që të konfiskoj drutë janë shpërndarë nëpër shtëpitë e tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button