Këta jemi Ne…

Shkas për këtë shkrim u bënë do, t’i quaj, kuriozitete (në rrethanat tona), sipas të cilave “…fëmijët japonezë se bashku me mësueset e tyre shpenzojnë 15 minuta në ditë për të pastruar shkollat e tyre, gjë e cila ka bërë të mundur lindjen e një brezi modest dhe të prirë drejt pastërtisë”, dhe se “…çdo qytetar japonez i cili ka një qen duhet të mbajë me vete qese të posaçme për të hedhur aty jashtëqitjen e qenit”.

Si rrjedhojë, mu kujtua koha kur isha nxënës në shkollë fillore, me ç’rast e pata mësuar një vjershë dedikuar pastërtisë, disa prej vargjeve të së cilës ishin si vijon:

Ku pastërti nuk ka,
Mos kërko shëndet.
Këto fjalë mësuesi
Për çdo ditë i flet.

Ajo që vonë e mora vesh ishte se bëhej fjalë për Japoninë a Zvicrën, por kurrë për Maqedoninë, respektivisht Tetovën. 

Sa i takon pastërtisë, me të obligohemi si në aspekt shkencor ashtu edhe në atë fetar. 
Populli thotë që pastërtia është gjysma e shëndetit. Ndërsa Profeti Muhamed (a.s.), thotë: “pastërtia (materiale dhe shpirtërore) është gjysma e besimit.”

Për abdesin Allahu (xh.xh.) thotë: “O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri tek dy kyçet.” (El-Maide 6), ose “…aty ka burra që dëshirojnë të pastrohen mirë, e All-llahu i do të pastrit”. (Et-Teube: 108).

Në anën tjetër, Paolo Giovio (1483 – 1552), një udhëtar Italian në një prej librave të tij flet për ushtarët myslimanë: ” Ushtarët myslimanë janë te pastër dhe te shëndetshëm. Në Evropë afër garnizoneve ushtarake nuk kalohet nga era e keqe, ndërsa te myslimanët ndodh e kundërta…Te ne jo vetëm që ka papastërti, por si pasojë dhe sëmundjet janë shumë të përhapura, ndërsa këtu fytyrat e ushtarëve shkëlqejnë nga shëndeti….”

Mos mbajtja e higjienës shkakton sëmundje të ndryshme. Kështu p.sh. moslarja e duarve shkakton infektime të ndryshme dhe paraqitjen e sëmundjeve të rrezikshme për jetën e njeriut. Zgjebja (zhuga) është pasojë e moslarjes së rregullt të trupit dhe rrobave. Këtë, do të kishit thënë që e dini të gjithë, apo jo? Por, a mjafton vetëm higjiena personale për t’u mbrojtur nga sëmundjet e ndryshme, apo duhet me tepër se kaq? Ajo me të cilën ne definitivisht kemi problem të madh është vetëdija kolektive dhe interesi publik, prona shoqërore dhe kujdesi ndaj pasurive natyrore të cilat nuk i kemi prodhuar ne, por na i ka falë i madhi Zot për t’i shfrytëzuar por edhe për t’u përkujdesur për të njëjtat gjithashtu. 

Duke na munguar këto vlera dhe duke përbuzur të gjitha këto pasuri e begati të dhuruara nga Krijuesi, kemi ardhur në atë gjendje që frazën “ushtarët myslimanë” nga citati i mësipërm apo edhe të tjerat si “qytetarët shqiptarë”, apo “tetovarët”, t’i zëvendësojmë me ushtarët amerikanë a evropianë, qytetarët zviceranë apo japonezët. Kjo qartë flet se derisa të tjerët po tentojnë me çdo kusht të adoptojnë vlerat e mirëfillta me të cilat dikur shquheshin edhe shqiptarët po edhe myslimanët, ne kemi marrë rrugën e regresit pafund dhe vetëm Zoti e di se ku do të përfundojmë. Duke mos e zgjatur më tej, po ju lë të sodisni fotografitë e mëposhtme, sepse, siç thonë, fotografia vlen sa njëmijë fjalë.

TETOVA:

ZVICRA:

JAPONIA:

Lajme të ngjashme

Back to top button