Një tjetër kornizë për Marrëveshjen kornizë

Në 12-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, dokument ky që ende frymon ndër shqiptarët e Maqedonisë, partitë shqiptare në këtë vend, sidomos partia në pushtet (BDI), duhet të mendojë për forma të reja të veprimit për implementimin e plotë të saj. Dihet që kjo marrëveshje është dashur të sendërtohej plotësisht deri nga vitet 2004-2005, por, mjerisht, kjo nuk ndodhi për shkak të obstruksioneve të vazhdueshme të palës tjetër.

Meqë këtu kemi një shtet, ku aktualisht dialogu politik nuk po funksionon në asnjë vijë në nivelin e duhur, as ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI, për të rrahur me drejtësi këtë problem dhe të tjera që presin në sirtarë drejtuesish partiakë, do të ishte mirë që kjo dhe çështjet e tjera jetike të shqiptarëve këtu, të vihen në formë kushtëzimesh të patjetërsueshme përpara mandatarit të qeverisë së ardhshme. Do të ishte mirë që ajo të ndodhë sa më parë që është e mundur, por kjo mund të ndodhë urgjentisht vetëm në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Ndonëse BDI nuk dëshiron zgjedhje të parakohshme parlamentare, së paku kështu po deklarohet zyrtarisht, ato zgjedhje, sipas të gjitha indikacioneve, do të mbahen (me marrëveshje apo pa marrëveshje) në pranverën e vitit të ardhshëm (2014), së bashku me zgjedhjet presidenciale. Për këtë është në dijeni edhe vetë BDI-ja.

Pse do të ishte mirë që të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Tashmë është bërë praktikë që para formimit të koalicionit qeveritar në Maqedoni, ku shqiptarët janë domosdo partnerë, shtrohen disa kushtëzime nga palët që e bëjnë atë. Nëse kihet parasysh kjo, aq më shumë që tashmë kemi tretjen (mbylljen) e kushtëzimeve (programeve) të mandatit vijues, pas zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2011 (ligji për amnisti etj.), atëherë zgjedhjet e ardhshme do të ishin një mundësi për  partinë fituese shqiptare në pazaret për bashkëqeverisje të kushtëzojë për zgjidhje, pos të tjerash, edhe këto çështje jetike: 

1. Buxheti shtetëror: tashmë është e paqëndrueshme gjendja me buxhetin shtetëror, ku paratë e taksapaguesve shqiptarë shkojnë në va e pa va. Në shtetet vërtet demokratike jepen llogari para qytetarëve për çdo shumë të harxhuar parash, që tek ne nuk po ndodh. Shqiptarët janë taksapagues të rregullt, madje sipas disa argumentimeve, janë më të rregullt se vetë maqedonasit, por nga kjo ndarje të parave të fituara me djersë dhe mund të madh, ata nuk shohin shumë dobi, madje edhe po diskriminohen. Vetëm nëse analizohen shkallët e shpenzimeve buxhetore nëpër qytetet e tjera të Maqedonisë, për dallim nga ato të Maqedonisë perëndimore, me komuna shqiptare, bindja për këto vlerësime do të jetë e patundur. Këto vlerësime kanë dalë shpesh edhe nga deputetët shqiptarë në foltoren e Parlamentit të Maqedonisë.
Së këndejmi, kushtëzimi numër një do të ishte vendosja e barazisë mes kolektivitetit maqedonas dhe atij shqiptar në menaxhimin e mjeteve të buxhetit shtetëror, me një kushtëzim shumë serioz për një qeveri të ardhshme mes palës maqedonase dhe shqiptare. Me këtë do të evitoheshin shpenzimet e dyfishta të qytetarëve shqiptarë, të cilët me taksa e tatime mbushin arkën e shtetit dhe ato mjete nuk kthehen në të mirën e tyre (shpesh janë edhe në dëm të tyre), për ngritjen e infrastrukturës, zhvillimit ekonomik, shoqëror e kulturor-arsimor, për çka shqiptarët detyrohen me mjetet e veta t’i mbajnë në jetë këto segmente të zhvillimit dhe veprimit brenda kolektivitetit të tyre nacional.

2. Ndryshimi i Kushtetutës së RM: kushtëzimi për bashkëqeverisje do të konsistonte me një marrëveshje kompromisi për ndryshimin e Kushtetutës aktuale të RM, e cila si në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, ka zënë të bëhet një gjenerator i krizës. Shqiptarët do të kërkonin, edhe jashtë frymës së Marrëveshjes së Ohrit, që me ndryshime të kushtetutës të forcohet elementi shtetformues i shqiptarëve, ku do të kyçeshin buxheti, ndarja e drejtë e posteve më të larta shtetërore, si kryetari i shtetit, kryeministri, kryetari i parlamentit, kryetari i gjykatës supreme, kryetari i gjykatës kushtetuese, guvernatori i bankës popullore etj., me qëllim që këto poste t’u takojnë edhe shqiptarëve, pastaj më shumë kompetenca për komunat, integrime rajonale etj. 
Me forcimin e elementit shtetformues të shqiptarëve në RM, që do të harmonizohej edhe me ligje, shqiptarët përfundimisht do të duhej të zgjidhnin edhe çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet, si dhe atë të përdorimit të flamurit kombëtar pa asnjë kufizim.

3. Marrëveshja e Ohrit: partnerët maqedonas e shqiptarë, fitues të zgjedhjeve të ardhshme eventuale, do të duhet të merren vesh edhe për vendosjen e një kornize të re të afateve të implementimit të Marrëveshjes kornizë të Ohrit, dokument ky që ndaloi përshkallëzimin e mëtejmë të një konflikt të armatosur mes dy kolektiviteteve më të mëdha nacionale në Maqedoni dhe që u firmos jo vetëm nga krerët politikë maqedonas dhe shqiptarë të asaj kohe (13 gusht të vitit 2013), por edhe nga përfaqësuesit apo lehtësuesit ndërkombëtarë të BE-së dhe SHBA-së, që janë garantues të implementimit jo vetëm të kësaj marrëveshjeje, por edhe të sigurisë në rajon. 
Me këtë do të evitoheshin dyshimet dhe kalkulimet e ndryshme, të shumtën politike, nëse është realizuar apo jo kjo marrëveshje, në çfarë mase është realizuar, apo nëse është mbyllur ky kapitull, siç pretendojnë qarqet e ndryshme. Kësaj duhet të jepen vlerësime relevante, në mbështetje të fakteve, ndërsa në kuadër të këtyre vlerësimeve do të jepeshin edhe afatet përfundimtare të implementimit, me obligime ligjore dhe kushtetuese. Me këtë do të mënjanoheshin edhe dilemat e shqiptarëve pas deklarimeve joserioze e kontroverse se kjo marrëveshje ka përfunduar apo se do të realizohet pas 20-30 vjetësh, madje se kjo fare nuk ekziston.

Pse do të ishin të dobishme për shqiptarët zgjedhjet eventuale të parakohshme parlamentare vitin e ardhshëm?

Nëse nuk mbahen këto zgjedhje para kohe, ato të rregullta do të mbaheshin në qershor të vitit 2015, deri kur ky proces i zhvillimeve të shoqërisë shqiptare në Maqedoni do të zvarritej, problemet edhe ashtu të mëdha do të ishin të paqëndrueshme, me një rrezik potencial për përshkallëzim të mëtejshëm, ndërsa  reperkusionet me siguri që do të ishin të pariparueshme për më shume vite. Andaj, nëse këto çështje kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni shtrohen sa më parë në tavolinën e bisedimeve (përderisa tavolina të tjera të gjelbra nuk po duken, pos atyre të zgjedhjeve parlamentare që prodhojnë qeverinë), kjo avari e shqiptarëve në këtë vend nuk do të stërzgjatej dhe dëmi në çdo aspekt do të ishte më minor.

Lajme të ngjashme

Back to top button