KOHË SHPIRTRASH TË FOSILIZUAR

Në media rrallë e më rrallë flitet për librin. Po triumfon e tashmja e përjetshme. Po terrorizohemi nga tirania e shijes së turmës. Bëhen modele referimi kokat kompetente të marrëzisë. Ndërkohë shuhen ato pak revista kulturore. Shuhen rubrikat e kulturës ose aty botohen horoskopë. “Rubrikat që duhej të sillnin poezi sollën portrete artistike gjeneralësh”, është një varg i Rrahman Dedajt, emër i panjohur për lexuesin e ri, sikur sa e sa emra të tjerë që botës kulturore shqiptare i falën perla shkëlqimtare. Sot botohen libra autorësh mediokër, vetëm se nuk janë shqiptarë, që nuk lexohen as në sistemet e tyre kulturore. Sot librat më të lexuar në gjuhën shqipe shkruhen nga opinionistët. Si e do zakoni: në prag panairesh libri. Paraprakisht bëhet hataja për librat e “shkrimtarëve” që shkruajnë shumë e lexojnë fare pak. Pra, zhurmë për autorët e lexuesit të sotëm. Lexuesi i së nesërmes për ta është i largët. E po këta janë të adhuruarit e botuesve tanë, që s’i lexojnë as librat të cilët i botojnë. Investojnë në “gjetjet” e çastit, në biografitë me dhjetë referenca, sepse këtu është fitimi. Autorët e preferuar, pasi nuk lexojnë, e paketojnë si zbulim interesant atë që dihet kaherë.

Mund të vazhdojmë me shaka: botuesi i ankohet shkrimtarit të njohur se shqiptarëve u mungon drama cilësore. Shkrimtari ja kthen me ironi: – për Ju zotëri nuk ka dhe nuk ka për të pasur asnjë dramë cilësore. Botuesi nuk lexon libra.

Dhe vazhdojmë me radhë: një tjetër shoumen boton libër bombastik. Pas një muaji e plotëson, sepse një ngjarje e paparashikueshme ja ka djegur gjysmën e librit! Libri nuk është aktual pas dy muajve, por është aktual në prag të panairit të librit!

Shkruhen edhe memoare. Politikanët e djeshëm janë shkrimtarët e sotëm që rrëfejnë për bëmat e dikurshme dhe jetën e tyre atraktive.  Politikanëve të djeshëm, shkrimtarë të sotëm, u intereson aktualja dhe jo universalja. Janë shkrimtarë të ditës së sotme!

Shkrimtari, studiuesi e shkencëtari i vërtetë nuk është atraktiv. Jeta e tij ngjan me atë të një asketi. Nëse shpreson se lexuesit mezi presin t’ia lexojnë librin e radhës, atëherë shumë shpejt do të zhgënjehet. Do ta kuptojë se pak kush e di që ka botuar libër të ri. Ai nuk është protagonisti i ditës dhe i javës. Kur të tjerët kanë bërtitur dhe kanë bërë zhurmë, ai ka punuar në heshtje. Këtu heshtja nuk ka çmim. Paguhet zhurma. Lexues mund t’i ketë miqtë e tij. Nuk është pak, nëse nuk i zhgënjen. Madje, duhet të kujdeset edhe për shpenzimet e botimit. Nëse është me fat, libri do t’i botohet falas, kurse autorit do t’i jepen disa kopje. Nuk ka si të mos jetë i kënaqur!…

Shkrimtari i vërtetë shkruan edhe për lexuesin e së nesërmes, të cilin Emersoni e quan “lexuesi i përjetshëm”. Shkrimtari i vërtetë shkruan për lexuesin ideal, e ai mund të jetë vetë autori, sipas Nabokovit. Lexuesit që e plotësojnë autorin janë më të rrallë. Shija estetike krijohet shkallë-shkallë. Lexuesit të sotëm i ofrohet storje me kallashë, me peshq, me banane këngëtarësh e molla këngëtareje. Vazhdon ngrohja globale nga temperaturat seksuale. Marrëzitë janë pilula të domosdoshme shpëtimtare në botën ku triumfon trivialiteti. Kohën e lexuesit të vërtetë,  që lexon vertikalisht dhe përfiton dije të qëndrueshme, që nuk joshet nga mallkimet e përditshmërisë politike, e plotësojnë të tjerë emra. Edhe emra autorësh vdekur prej vitesh.

Sot ndjehesh ngushtë kur të thirrin në ndonjë orë poetike. Patjetër do të shfaqen krijuesit me “dhunti hyjnore” që shkruajnë pa lexuar, ndonëse nuk njoh artistë të mëdhenj pa kulturë të gjerë. Aty duhet të shkosh me pancirë. Vringëllojnë shpatat. Krisin pushkët. Do të dëgjosh poezi me rima foljore, me patos nacional, me ofshama dhe do të dëgjosh emra të shumtë heronjsh të sotëm e të djeshëm. Nëse nuk jep shenja atdhetarie mos shpreso se do të duartrokitesh. Duhet të jesh i lumtur nëse nuk të fishkëllejnë. Me këtë shije është bombarduar lexuesi ynë. Aty do të defilojnë poetë që shkojnë pas “traditës”. Shkruajnë për kulla e nënëloke. Po nuk “thure” poezi me “taban kombëtar”, po nuk tregove respekt për vargëzuesit e djeshëm, po shprehe mendim kritik ndaj traditës, do të akuzohesh si i degjeneruar. Pas përfundimit të orës poetike duhet të përgatitesh të dëgjosh ligjërata pensionistësh për “letërsinë e vërtetë”. Kanë mbetur ende te “Këneta”. E këta janë të shumtë. Madje edhe solidarë mes vete.

E njëjta ndjenjë edhe në mesin e “krijuesve urbanë”. Nuk shkruajnë shqip, sepse gjuhët e huaja u japin hapësirë ta shprehin botën e pasur emocionale! Edhe librat e shkrimtarëve të njohur shqiptarë i lexojnë në gjuhë të huaj! Shpesh fotografohen para librave që s’i kanë lexuar. Mburren se lexojnë “letërsi në trend”. Me pak fjalë, letërsi që lexohet në tramvaj.

Asgjë e keqe.

Le të lexojnë çfarë të duan, por mos të bëhen udhërrëfyes letërsie dhe mohues të letërsisë shqipe…

Përgjithësisht, sot librat më të lexuar janë lektyrat e dikurshme shkollore, të lexuara me detyrim, ndonëse leximi me detyrim është mosmirënjohës. Së paku kështu thotë njëri nga lexuesit më të mirë të epokës sonë – J.L.Borges. Prandaj nëpër anketa “pëlqehet Xhojsi” e lexohet “Lulja e kujtimt”.

E kështu me radhë. Deri në skajet më të largëta të trivialitetit.

Është kohë shpirtrash të fosilizuar. Kohë e triumfit të trivialitetit mbi kreativitetin. Kohë e frikës nga dija. Kohë adhurimi refrenesh e mendimesh të gatshme. Kohë fjalorësh të marrëzive e përsëritjeve të kotnasikotshme. Kohë jargësh që lëvaren si kravatat, më të mençura se sa pronarët e tyre, të cilët flasin me orë të tëra për ushqimet e shijshme, sepse të vetmet libra që lexojnë janë menytë e restoranteve. Është kohë e përshtatshme për marrëzira, që shiten shtrenjtë në pazarin e kotësisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button