Korab Shaqiri: kam lindur i famshëm (Intervistë)

Korab Shaqiri është një personalitet tashmë i njohur për të gjithë, jo vetëm si i biri i Ilir Shaqirit por si këngëtar i cili ka sjellë shumë këngë të bukura në skenën shqiptare. Portalb realizoi një intervistë me Korabin në të cilën ai tregon dëshirën, pasionin dhe punën e tij për muzikën. Po ashtu, ai flet me plot sinqeritet ndihmën dhe qëndrimin e babit të tij pranë.

Intervistoi: Dijana Gj. Dukaj

Portalb: Në fillim, do të doja të ju pyesja për hapat tuaj të parë në muzikë, kishi dëshirë për të qenë këngëtar apo dikush rastësisht e zbuloi talentin tuaj?

K.Shaqiri: Dëshira ishte e madhe kuptohet, mirëpo ishte babai ai i cili më ndenji afër në çdo hap deri në momentin kur arrita të jem i zoti i vetes dhe i jam falënderues për gjithçka që ka bërë për mua.

Portalb: Sa jeni i kënaqur, sa i përket punës tuaj në muzikë deri më tani?

K.Shaqiri: Jam i kënaqur sepse në asnjë moment nuk turpërohem nga ajo të cilën e kam bërë dje. Do te mundohem ta ruaj dhe ta kultivoj muzikën e pastër shqipe ose motivet e saj.

Portalb: Si mendoni, a kini arritur qëllimin që keni dashur deri më tani sa i përket muzikës?

K.Shaqiri: Jo, nuk e kam arritur akoma. Energjia ime për punë është e madhe dhe qëllimet e mija janë të mëdha kështu që shpresoj se do te arrijë atje ku synoj.

Portalb: Kënga që ju mendoni se ju bëri të suksesshëm, cila është?

K.Shaqiri: Unë, linda i famshëm sepse jam djali i Ilir Shaqirit, mirëpo suksesin ma dha kënga e parë dhe çdo këngë që pasoi.

Portalb: Pa dyshim, babai juaj është edhe mbështetje shumë e madhe në këtë drejtim. Sa ndikon ai në profesionin tuaj?

K.Shaqiri: Ndikim do ta quaj edhe atë të cilin unë e kam dëgjuar qysh në djep, pra muzikën e tij. Jam rritur me këngët shqipe dhe nuk mundem as nuk dua të dalë nga ajo melodi e bukur.

Portalb: Gjatë gjithë këtyre viteve eksperiencë, sipas jush, cili ka qenë çelësi i suksesit tuaj?

K.Shaqiri:  Koncentrimi tek një tekst i bukur që është zanafilla e çdo kënge, puna në përshtatjen e fjalës në melodi, krijimi ne orkestrim duke u bazuar në melodinë e asaj fjale dhe në fund një interpretim ndryshe nga ai i këngës se kaluar. Punë, punë, punë…

Portalb: Punoni vazhdimisht, gjithmonë duke sjellë hit-e. E tillë ishte edhe kënga juaj e fundit “Welcome to Albania”. Me kë bashkëpunuat?

K.Shaqiri:  Këngët me dedikim janë ato të cilat të japin rrugën e drejtë se çka dëshiron të prezantosh dhe kujt i drejtohesh. E tillë ishte edhe kënga “Welcome to Albania”. Çdo këngë për dashuri bëhet me pasion, mirëpo për atdheun tejkalon çdo dashuri tjetër dhe e jep krejt shpirtin në të. Gjithçka është e realizuar nga kompania ime “Barok Sound Studio”.

Portalb: Me cilën këngëtare shqiptare do të donit të bënit një duet?

K.Shaqiri: Me disa, por do të ju vijë koha edhe dueteve.

Korab Shaqiri

Portalb: Rryma të ndryshme  të muzikës shohim çdo ditë në treg. Në ç’ nivel ju duket muzika shqiptare?

K.Shaqiri: Nuk na përfaqëson denjësisht kjo (performancë), sidomos e këngëtarëve tonë, në botë. Na duhet qëndrueshmëri në meloditë tona dhe nivel në paraqitjen tonë. Estrada kosovare është në një hamendje se çfarë këngësh duhet të krijojë! Kemi mjaft brumë mirëpo nuk po dimë ta gatuajmë.

Portalb: Cila është gjëja më e bukur në profesionin tuaj?

K.Shaqiri: Kur publiku këndon bashkë me mua.

Portalb: Ndërkohë, të shkëputemi nga muzika, si kalon një ditë e Korabit?

K.Shaqiri: Studion e re e kam afër shtëpisë, zgjohem në mëngjes, përgatis mëngjesin, e bëjë një kafe dhe lexoj lajmet në portale të ndryshme. Pastaj hyj  në studio dhe ndodhë shpesh që mos të dalë nga aty deri në fund të ditës.

Portalb: Cilin virtyt tuajin e çmoni më së shumti?

K.Shaqiri: Thjeshtësinë dhe vërtetësinë.

Portalb: “Suksesi vjen tek ata që janë shumë të zënë duke e kërkuar atë”. Si e komentoni këtë thënie?

K.Shaqiri: Unë nuk e kam kërkuar suksesin, unë e kam bërë atë që më ka fjet në shpirt dhe pa menduar se si do të mendojnë apo flasin tjerët për mua. Nuk kam dashur të bëhem këngëtarë deri në momentin kur gjeta melodinë e këngës “Banesa e vogël”. Aty më lindi edhe dëshira e madhe që të dalë e të prezantohem si këngëtarë. Kam dashur gjithmonë të jem vetëm kompozitor.

Portalb: Sezonin veror tashmë po lëmë pas. Si ka kaluar kjo verë për ju, sa jeni i kënaqur me punën që keni bërë gjatë kësaj kohe që po lëmë pas dhe ku keni qenë më së shumti?

K.Shaqiri: Jam shumë i kënaqur me  sezonin që kaloj. Jam shumë i kënaqur edhe me ato që po vijnë, sepse kam shumë rezervime për vitin e ardhshëm. Dua ti falënderoj shumë vëllezërit tonë nga Maqedonia e në veçanti vëllezërit kërçovar që kalova shumë kohë me ta. Kam qenë pothuaj se në të gjitha trojet Shqiptare. Më mirë vetëm prishet! Qesh

Portalb: Cili është mesazhi juaj për adhuruesit e muzikës tuaj?

K.Shaqiri: Do të jetë një mesazh falënderimi për kohën dhe përkushtimin që kanë ndaj këngëve të mija. Do të punoj shumë qe të mos i zhgënjej dhe do ti ruaj nga meloditë e këqija që mund të imponoj koha. Nëse ka ndonjë fjalë më shumë se falënderimi ma tregoni sepse kjo nuk më mjafton. I juaji, Korab Shaqiri.

Lajme të ngjashme

Back to top button