Raufi: Kërkojmë ndryshime në USHT për të mirën e studentëve (Intervistë)

Kryetari i deritanishëm i Parlamentit Studentor në Universitetin Shtetëror të Tetovës deri më tani nuk ka bërë ndonjë aktivitet që të del në mbrojtje të studentëve gjatë pakënaqësive të tyre. Studentët, madje u kushtëzuan të paguajnë për Parlamentin Studentor edhe pse ata nuk e kishin idenë se kush e udhëheq këtë organ të Universitetit. Disa nga studentët që ngritën zërin u organizuan dhe formuan Organizatën e Studentëve të Pavarur ndërsa në ditën që shpërndanë fletushka në Universitet ata u ndaluan nga sigurimi dhe u mbajtën për disa orë peng për pyetje të ndryshme. Portalb zhvilloi një bisedë më të gjërë me njërin nga anëtarët e OSP-së, Denis Raufi.

Intervistoi: Besart Laçi

PORTALB: Zgjedhjet për Parlamentin Studentor u shpallën. Çfarë tani?
D.Raufi: Do të shohim si do të shkojë procesi. Ne kemi për qëllim të formojmë një Parlament Studentor të mirëfilltë, i cili do të ketë për qëllim të mbrojë realisht studentët. Ne nuk duam ta zaptojmë këtë organ, thjeshtë kërkojmë ndryshime për të mirën e studentëve.

PORTALB: Cilat janë vështirësitë më të mëdha me të cilat ballafaqohen studentët e USHT-së? Çfarë problemesh keni me Parlamentin Studentor?
D.Raufi: Mungesa e Parlamentit Studentor, apo mungesa e pranisë reale në jetën e studentit në Universitet, sjell mos-përfaqësimin e nevojave dhe dëshirave për përmirësimin e kushteve të studentëve përgjatë ecurisë së tyre në sfidën e madhe të rritjes së brendshme në rradhë të parë, e padyshim në atë profesionale vetjake si vijim.
Por mbi të gjitha, mos-prania apo mungesa tërësore e Kuvendit Studentor sjell një ngërç shumë herë të pakalueshëm në marrëdhëniet dhe vijën e drejtpërdrejtë që duhet të lidhi studentët me profesorët, studentët me dekanatet, studentët me rektoratin. Kjo pasi Kuvendi Studentor ka si detyrë të krijojë ura lidhëse apo të jetë vetë ura lidhëse midis administratës dhe degëve të shumta të saj dhe shtyllës më të rëndësishme që përbën një Universitet, shkakun e qënësisë së këtij të fundit, pra nxënësin, studentin. Në këtë mënyrë thjeshtohen gjithmonë e më shumë hendeqet që krijohen për shkak të zyrësisë (burokracisë) së tepërt, duke u ardhur në ndihmë të dyja palëve në lehtësimin e rrethanave që i lidhin detyrimisht ngushtë në problematikat e ndryshme të jetës universitare.
E thënë me një pikëpamje më praktike, deri më sot nëse një student kishte një vështërsi apo pengesë, endej në kërkim të një zgjidhje duke trokitur shpesh në zyrat jo të duhura, derisa udhëzim pas udhëzimi ndoshta dhe theksoj ndoshta, arrinte të zgjidhte ngërçin e tij, duke shkaktuar kësisoj humbje kohe dhe energjie për të dyja palët. Ose shihen nxënës/student që për një pengesë të njëjtë apo të ngjashme drejtohen njëri pas tjetrit, kohë pas kohe, duke shkaktuar rrjedhimisht rradhë dhe vonesa. Kuvendi Studentor do të shërbente për përditësimin e zgjidhjeve dhe udhëzimin e studentëve drejt rrugës më të drejtë në përfundimin e përpëlitjeve pa krye që shkakton zbrazëtia e të qënit të mospërfaqësuar.

PORTALB: Ju lutemi të bëni paralelen mes profilit të kryetarit aktual të Parlamentit Studentor dhe atij që kërkon OSP-ja?
D.Raufi:  Pikërisht këtu qëndron pengesa që solli edhe veprimtarinë studentore të pavarur pasi mungon edhe më i vogli informacion mbi këtë organizëm. Pra, duke përsëritur pyetjet që kishim parashtruar në fletushkën e shpërndarë në mjediset e Universitetit dhe duke u dhënë atyre një përgjigje paraprake, mund të themi se deri para të enjtes nuk dihej se:
Nuk dihej se cili është kryetari i Kuvendit Studentor
Nuk dihej se kush e ka zgjedhur këtë kryetar
Nuk dihej se cilët janë anëtarët e Kuvendit Studentor
Nuk dihej se si janë zgjedhur këta anëtarë
Deri pak ditë më parë nuk është ditur se cila është ecuria (procedura) e zgjedhjeve, pra një herë në sa kohë mbahen, ku mund të shtrohet kërkesa për tu kandiduar, si mund të votojnë studentët, sa kohë zgjat fushata, ku dhe kur mbahen zgjedhjet dhe mbi të gjitha kush cilësohet si vëzhgues për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve në mënyrë që, të zgjedhurit nga votat e studentëve të jenë realisht ata të cilët do ti përfaqësojnë përballë administratës universitare. Dua të theksoj, se kjo nuk është një luftë kundër askujt në veçanti, por kërkimi i të drejtës të çdo studenti që të mësojë duke nisur në pjesën e jetës së tij formuese se cilat janë mënyrat më demokratike të mundshme të zbatimit të vullnetit të gjithsecilit në respekt të të drejtave të të gjithëve.
Pra ne nuk kemi asgjë kundër kryetarit të tanishëm e aq më pak kundrejt administratës, thjesht mospasqyrimi i kësaj pjese të rregullores çon me të drejtë në vënien në dyshim të gjithë kësaj strukture përfaqësuese të studentëve, e cila realisht nuk jep shenja jete në të përditshmen e studentëve.

PORTALB:  Sa janë të informuar studentët për të drejtat e tyre edhe sa interesohen për ti gëzuar ato?
D.Raufi:  Do të thoja me keqardhje shumë pak, prandaj edhe këmbëngulim në një përfaqësim më të dendur të studentëve dhe nevojave të tyre në ballin e administratës universitare. Kështu pengesë pas pengese e zgjidhje pas zgjidhjeje do arrihej një vetëdijesim më i plotë i gjithsecilit qoftë mbi të drejtat e qoftë mbi detyrat e studentit në mjediset universitare, e pse jo edhe më tej.
Interesimi u pa hapur në mbiveprimin (reagimin) e menjëhershëm në mbështetje të veprimtarisë tonë, e cila synon përmirësimin e kushteve të studentëve, pra njohjen me të drejtat e tyre dhe mënyrën demokratike të zbatimit të tyre. Në të njëjtën kohë synohet bashkë me këtë, ti lehtësohet ngarkesa administratës universitare me studentë më të mirëinformuar që nuk humbin në ecejake të kota, por drejtohen në zyrën e duhur në kohën e duhur. Të rritet kështu thjeshtësimi i bashkëpunimit të  të dyjave përbërësve të Universitetit të Tetovës, duke shtuar harmoninë e ecurisë së tij. Për një Universitet më afër nxënësit/studentit dhe një nxënës më të përgjegjshëm në jetën e tij studentore, duke shndërruar përvojën brënda Universitetit të Tetovës në një frut sa më të pjekur, i gatshëm çdo herë të vilet nga çdokush në nevojë udhëzimi.

PORTALB: Mendoni se studentët heshtin për problemet e tyre? Nëse po, pse?
D.Raufi:  Po dhe mendoj se këtu ndikojnë një varg plagësh, të cilat shkojnë nga ato shekullore që kanë të bëjnë me mendësinë e përgjithshme ku dergjet një pjesë e popullit shqiptar, deri tek disa rrethana që ende për mua mbeten jo shumë të qarta. E para është një varg shtypjesh, përdhosjesh, mohimesh që i janë bërë popullit shqiptar duke nisur nga otomanët e duke vazhduar deri më sot me regjimet sllave. Kjo ka sjellur një plogështi të trishtueshme të marrjes së vendimeve duke nisur nga mendimi vetjak, nga pikëpamja vetjake. Një formë përtacie në kufijtë e mospërgjegjësisë duke mos kuptuar se fati i gjithsecilit varet pikësëpari nga peshimi vetjak që i jep rrethanave, pra vullneti i popullit përbëhet nga vullneti i gjithsecilit apo shumicës së tij. Pa vlerësimin e çdonjërit apo e thënë në mënyrë praktike, pa votën e çdonjërit, nuk mund të ndërtohet përfaqësia që do të udhëheqi.
Rrethanat e paqarta kanë të bëjnë me sjelljet e pakuptueshme që pësuam gjatë veprimtarisë sonë nga pjestarët e sigurimit të mjediseve universitare, të cilët dolën jashtë detyrave të tyre dhe e tepruan me sjellje të pahijshme kundrejt disa studentëve që thjesht po zbatonin të drejtën e tyre për tju dëgjuar zëri. Më takon të sqaroj se kanë qenë disa sjellje të veçanta për të cilat kam folur qoftë me komisionin disiplinor, qoftë me dekanë e profesorë, të cilët kanë shprehur habi për këto sjellje dhe kanë marrë largësinë prej tyre. Kështu mu bë të kuptoj se ishin sjellje të pamatura nga ana e disa punëtorëve të sigurimit që shumë hapur mund të them se nuk janë të mësuar me gjendje që në universitetet europiane janë në rendin e ditës, sidomos kur studentët nuk ndjehen të përfaqësuar apo të peshuar mjaftueshëm; pra mu bë të kuptoj që nuk është politikë e përgjithshme e Universitetit të Tetovës, por një gabim i lindur nga mospërvoja e përballjes nga kësisoj rastesh mëse normale, sidomos kur në asnjë mënyrë nuk cënohet tërësia e Universitetit të Tetovës, por përkundrazi synohet lartësimi i tij në mes simotrave europiane.
Universiteti i Tetovës, i ndërtuar  me themele gjakun e shqiptarëve dhe djersën e shtegtarëve të shumtë shqiptarë, meriton të jetë sa më i ngritur nga ana cilësore.

PORTALB: Si i pranua OSP-ja te studentët? A është Parlamenti Studentor e vetmja çështje me të cilën do të mirret OSP-ja, a do të vazhdon të zgjon interesimin e publikut edhe për çështje të reja dhe cilat janë ato çështje?
D.Raufi:  Na vjen mirë për përkrahjen e menjëhershme që morëm por të them të drejtën nuk kishim dyshim për këtë, pasi në fund të fundit ne nuk jemi gjë tjetër përveç se zëri i studentëve. Nuk lindëm nga hiçi apo me synime karriere, por thjesht me dëshirën për të mbushur një zbrazëtirë nevoja e së cilës ndjehet gjithmonë e më shumë. Secili nga ne do të mbarojë në kohë të shkurtër rrugën e tij të ndërmarrë brenda Univeristetit të Tetovës, duke përfunduar kështu lidhjen e tij me këtë organizatë të pavarur të studentëve, por përvoja dhe fryma që ne do mundohemi të përcjellim,do tu shërbejë brezave të rinj që të kenë një qasje gjithmonë e më të frytshme me Univesitetin e Tetovës, dhe do ndihmojë këtë të fundit të ketë studentë gjithmonë e më të përgatitur duke i shkurtuar humbjet e kota të kohës dhe cilësi me të mirë të ndërsjelltë.
Gjithçka që ka të bëjë me studentët, të drejtat, vështirësitë dhe detyrimet e tyre, janë objekt i veprimtarisë sonë në mënyrë që të gjejmë parashtrimin më të përshtatshëm të këtyre përpara administratës universitare, e cila do ta ketë më të lehtë përpunimin e kërkesave dhe zgjidhjen më të mirë të tyre.

PORTALB: Cili është bashkëpunimi i OSP-së me organizatat tjera të të rinjëve dhe a gëzon kjo iniciativë e Juaja përkrahjen e ndonjë organizate tjetër?
D.Raufi: Pasi kishim parë veprimtarinë e shëndoshë të disa organizatave universitare të Tiranës dhe Prishtinës në veçanti, duke vlerësuar me admirim përmirësimin që kishin sjellur në përvojën Universitet-Student, mund të themi se përkrahjen më të madhe e kemi nga këto drejtime. Kemi pasur gjithashtu lidhje me organizata vendore por duke qenë ne një organizatë e krijuar para pak ditësh akoma nuk kemi vendosur ura veprimi. Di të them se nuk mundet që një veprimtari që synon një përmirësim të përgjithshëm të mos ketë përkrahje dhe më vjen mirë që ne jemi pjesë e nismave studentore. Kërkojmë të ngrejmë studentin njeri dhe përmirësojmë Universitetin student.

PORTALB: Cili është qëndrimi Juaj në lidhje me testimin ekstern të studentëve për të cilin po flitet kohëve të fundit? A e përkrahni organizatën Studentski Plenum e cila inicioi aktivitetet e para kundër këtij testimi dhe a morët pjesë në marshin e së hënës në Shkup nga kjo organizatë?
D.Raufi: Jo nuk morëm pjesë. Kjo është një çështje që tejkalon nismën e ndërmarrë nga ne, pasi sipas pikëpamjes time vetjake është një çështje më shumë politike. Mendoj se ka mungesë të dhënash të mjaftueshme për të dhënë një gjykim të peshuar. Do të prisja sqarime të mëtejshme nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe udhëzime të frytshme nga ana e Universitetit të Tetovës ku bëjmë pjesë, në mënyrë që të sqarohen më mirë disa pjesë akoma në hije gjykimi. Prandaj edhe përkrahja ndaj kësaj organizate shtyhet deri në marrjen e të gjitha të dhënave të nevojshme. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button